Loading

Emri i tij:

‘Ata’u ibnu ebij Rabāh Eslem el-Kureshij, skllav i tyre (i fisit el-Kurejsh)

Ai është imami, shejkhu i Islamit, muftiu i haremit, ebu Muhamed el-Kureshij, el-Mekkij.

Lindi gjatë Khilafetit të Uthmanit -radij’Allahu anhu-.

Ka transmetuar nga: ‘Aishja, Ummu Selemete, Umm Hānij, ebu Hurejrete, ibnu Abbās…dhe nga një numër sahabësh.

Ka transmetuar “murselen” nga: Pejgamberi ﷺ, ebu Bekri, Uthman ibnu Affan, Attāb ibnu Usejd, el-Fadl ibnu Abbās dhe nga një grup sahabësh.

Kanë transmetuar prej tij: Muxhahid ibnu Xhebër, ebu Is’hak es-Sebi’ij, ebuz Zubejr, Amër ibnu Dijnār, dhe të hershmit: ez-Zuhrij, Katadeh, Amër ibnu Shu’beh, Malik ibnu Dijnār, el-E’amesh, Ejjub es-Sekhtijanij, dhe një grup prej tabi’inëve të vegjël, ebu Hanifeh Junus ibnu Ubejd, Usameh ibnu Zejd el-Lejthij, Xhe’afer es-Sa’dik, el-Euzā’i, el-Lejth ibnu Sa’ad etj….(sh.p. janë një numër i madh transmetuesish).

Ka thënë Alij ibnul Medinij: Emri i ebij Rabāh është: Eslem, shërbëtori i Habibetu bint Mejserate ibnu ebij Khuthejm.

Ibnu Sa’ad ka thënë: ai ishte shërbëtor i benij Fihr, apo benij Xhumahin, banorët e Mekës tek ai u kthenin për fetva dhe te Muxhahidi, por më shumë tek Ata’u.

(Thotë edh-Dhehebij) Kam dëgjuar disa njerëz të dijes të thonë se: Ata’u ishte i zi, shihte vetëm me njërin sy, me hundë të shtypur, me një dorë të paralizuar, çalaman, më vonë u verbua, ai ishte njeri besueshëm, fakih, dijetar, transmetues i shumë haditheve.

Ka thënë ebu Daudi: Babai i tij ishte Nubij (sh.p. fis i njohur në veri të Sudanit) dhe punonte si mbledhës hurmash. Ata’u shihte vetëm me njërin sy, njërën dorë e kishte të paralizuar, me hundë të shtypur, çalaman dhe i zi.

Iu pre dora bashkë me ibnuz Zubejrin.

Ka thënë ebu Amër ibnul Ala’u: i thashë Atasë: atë ditë ishe i moshuar por godisje fort me shpatë.

Tha: ata u futen te ne.

Tha Xheriru ibnu Hāzim: e kam parë dorën e Atasë të paralizuar, u godit ditët e ibnuz Zubejrit.

Ka thënë ebul Mulejh er-Rakkij: e kam parë Ata’në dhe ai ishte i zi dhe lyhej me këna.

Ka transmetuar Abbāsi nga ibnu Ma’in i cili tha: Ata’u ishte mësues ku i mësonte fëmijëve Kur’anin.

Transmetohet nga Khalid ibnu ebij Neufin nga Ata’u i cili tha: kam arritur 200 prej Sahabëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Transmeton eth-Theurij nga Umer ibnu Se’id ibnu ebij Husejn dhe ai nga nëna e tij: se ajo dërgoi tek ibnu Abbās dikë që ta pyeste për diçka.

Ibnu Abbāsi tha: o banorë të Mekës! Mblidheni rreth meje ndërkohë që keni Atanë!

Ka thënë Bishër ibnus Serijj nga Umer ibnu Se’id dhe ai nga nëna e tij se ajo e pa Pejgamberin ﷺ në ëndërr dhe i tha asaj: “zotëria e muslimanëve është: Ata’u ibnu ebij Rabāh”.

Ka thënë ebu Asim eth-Thekafij: e kam dëgjuar ebu Xhe’afer el-Bākir t’iu thotë njerëzve -ndërsa ishin mbledhur- merreni dijen nga Ata’u, ai -pasha Allahun- është më i mirë sesa unë.

Transmetohet nga ebu Xhe’afer se ka thënë: merrni nga Ata’u sa të mundeni.

Transmeton Eslem el-Minkarij nga ebu Xhe’afer se ka thënë:

Nuk ka mbetur në sipërfaqen e tokës njeri më i ditur për ritualet e Haxhit sesa Ata’u.

Transmeton Abdul-Aziz ibnu ebij Hāzim nga babai i tij se ka thënë: nuk kam arritur dikë më të ditur për ritualet e Haxhit sesa Ata’u ibnu ebij Rabāh.

Transmeton ebu Hafs el-Ebbār nga ibnu ebij Lejlā i cili tha: hyra tek Ata’u dhe ai filloi të më pyes. Nxënësve të tij (ebu Lejlās) nuk u pëlqeu kjo gjë dhe i thanë: a po e pyet atë?!

Tha: përse nuk iu pëlqeu? Ai është më i ditur sesa unë.

Ka thënë ibnu ebij Lejlā: ai kishte dituri të madhe rreth Haxhit dhe e ka kryer atë më shumë sesa 70 herë.

Dhe tha: ditën që vdiq ishte rreth 100 vjeç, e pashë atë duke pirë ujë në Ramazan dhe thoshte:

Ka thënë ibnu Abbas-i:

وَعَلَى الَّذِيْنَ يُطِيْقُوْنَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِيْنٍ، فَمَنْ تَطَوَّعَ خَيْراً فَهُوَ خَيْرٌ لَهُ

{Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.}:

Unë ushqej më shumë sesa një të varfër.

Transmeton ibnu Uehb nga Maliku se ka thënë: Amër ibnu Dijnār, Muxhahidi dhe të tjerë prej banorëve të Mekës se: ata vijonin të ishin të barabartë në dije kur Ata’u ibnu ebij Rabāh shkoi në Medine, kur ai u kthye te ne doli në pah vlera e tij ndaj nesh.

Ka transmetuar Ibrahim ibnu Umer ibnu Kejsan i cili tha: i kujtoj ata, në kohën e benij Umejeh ata e urdhëronin tellallin në Haxh që të thoshte me zë të lartë:

Askush përveç Ata’u ibnu ebij Rabāh të mos u japë fetva njerëzve, nëse nuk është Ata’u, atëherë Abdullah ibnu ebij Nexhih.

Ka thënë ebu Hāzim el-E’arexh: ‘Ata’u i kaloi banorët e Mekës në dhënien e fetvave.

Transmeton Hemmām nga Katadeh se ka thënë:

Sulejman ibnu Hisham më tha: A ka në këtë vend -dmth: Mekën- njeri të ditur?

Tha: po; më i moshuari në gadishullin arabik për dije.

Tha: cili?

I thashë: Ata’u ibnu ebij Rabāh.

Transmeton ibnu ebij Arubeh nga Katadeh i cili tha:

Nëse kam katër persona nuk u kushtoj rëndësi të tjerëve veç tyre dhe nuk e vras mendjen për ata që i kundërshtojnë ata: el-Hasen (El-Basrij) ibnu Musejjib, Ibrahim (en-Nekhaij) dhe ‘Ata, ata janë janë imamë të të gjitha vendeve.

Transmeton Demrah nga Uthman ibnu Ata’u se ka thënë: Ata’u ishte i zi, shumë i zi, nuk kishte në kokë vetëm disa fije flokë, fliste në gjuhë letrare, dhe ajo që thoshte ai në Hixhaz pranohej prej tij.

Transmeton ibnu Ujejneh nga Isma’il ibnu Umejjeh se ka thënë:

Ata’u rrinte për një kohë të gjatë i heshtur dhe kur fliste na dukej sikur Allahu i jepte sukses në përgjigje.

Ka thënë Eslem el-Minkarij: erdhi një beduin për të pyetur dhe e drejtuan për te Se’id ibnu Xhubejr, filloi beduini të thotë: ku është ebu Muhamedi (Se’id ibnu Xhubejr)?

Se’idi i tha: nuk japim fetva ndërkohë që Ata’u është këtu.

Transmeton Abdul-Hamid el-Himmānij nga ebu Hanifeh se ka thënë: nuk kam parë nga ata që kam takuar më të mirë sesa ‘Ata’u ibnu ebij Rabāh dhe nuk kam takuar më gënjeshtar sesa Xhabir el-Xhu’ëfij….

Ka thënë Muhamed ibnu Abdullah ed-Dijbāh: nuk kam parë mufti më të mirë sesa Ata’u, uljet e tij ishin të mbushura me përmendjen e Allahut, nëse fliste apo pyetej për diçka jepte përgjigjen më të mirë.

Transmeton Ejjub ibnu Suejd nga el-Euzā’ij se ka thënë:

Vdiq Ata’u ibnu Ebij Rabāh ditën që vdiq dhe ai ishte njeriu më i dashur te njerëzit nga banorët e tokës dhe në mësimin e tij nuk prezantonin vetëm se 9 apo 8 vetë.

Transmeton eth-Theurij nga Selemeh ibnu Kuhejl se ka thënë:

Nuk kam parë dikë që kërkon Fytyrën e Allahut me këtë dije përveç tre vetave:

Ata’u, Tāusi dhe Muxhahidi.

Ka thënë ibnu Xhurejxh: xhamia ishte shtrati i Atasë për 20 vjet dhe ai ishte prej njerëzve më të mirë në kryerjen e namazit.

Ka thënë el-Esma’ij: hyri Ata’u ibnu Ebij Rabāh tek Abdul-Melik ibnu Meruan ndërsa ishte në ulur në divanin e tij dhe përreth tij ishin pjesëtarë nga elhlul bejti. Kjo ishte në Meke në kohën kur kishte ardhur për të kryer Haxhin gjatë khilafetit të tij. Kur Abdul-Meliku e pa u ngrit dhe i dha selam, e uli pranë tij dhe i tha: o eba Muhamed! Çfarë halli ke?

I tha: o prijës i besimtarëve! Frikësoju Allahut në Haremin e Allahut dhe Haremin e të Dërguarit të Tij, përkujdesu për ruajtjen e saj, frikësoju Allahut për fëmijët e Muhaxhirinëve dhe Ensarëve, sepse prej tyre je ulur në ulje. Frikësoju Allahut për ata që janë në frontet e luftës, sepse ata janë mburoja e muslimanëve, sepse ti vetë je përgjegjës për ta, frikësoju Allahut ndaj atyre që qëndrojnë para derës tënde mos ua mbyll derën atyre dhe të tjerëve veç tyre.

Dhe i tha: bëji këto, pastaj u ngrit, Abdul-Meliku e kapi për krahu dhe i tha: o eba Muhamed! Ti na kërkove për nevojat e të tjerëve dhe tashmë i kemi plotësuar ato që the, ti çfarë halli ke?

I tha: unë nuk kam nevojë për krijesat, më pas u largua.

Abdul-Meliku tha: ky është nderi dhe dinjiteti.

Përcjell Mus’ab ibnu Hajjān se: Isha tek Ata’u ibnu ebij Rabāh dhe u pyet për diçka.

Tha: nuk e di është gjysma e dijes dhe është thënë: gjysma e injorancës.

Ka thënë Abdul-Aziz ibnu Rufej’u: u pyet ‘Ata’u për diçka dhe tha: nuk e di.

I thanë: a nuk do të japësh mendimin tënd?

Tha: unë vërtet kam turp prej Allahut që të merret si fe fjala ime në tokë.

Përcjell ibnu Xhurejxh nga Ata’u se ka thënë: vërtet, kur një burrë me tregon ndonjë hadith hesht dhe hiqem sikur nuk e kam dëgjuar, ndërkohë që unë e kam dëgjuar atë përpara se ai të lind.

Dhe ai në atë kohë ishte 90 vjeç.

Ka thënë Umer ibnu Kajs: e pyeta Atanë: kur ke lindur?

Tha: kam lindur 2 vjet pasi e kishte marrë khilafetin Uthmani -radij’Allahu anhu-.

Ka përcjellë ibnu Xhurejxh se: e kam shoqëruar Atanë 28 vjet, kur ai u plak dhe u dobësua dhe gjatë faljes lexonte 200 ajete prej sures el-Bekareh duke qëndruar në këmbë, pa lëvizur nga vendi.

Ka thënë Ata’u: Nëse do të më besohej shtëpia e thesarit do të isha i besueshëm, por nuk i zë besë vetes ndaj një robëreshe me epsh.

Them (edh-Dhehebij): të vërtetën tha, Allahu e mëshiroftë, siç gjendet në hadith: “Të mos veçohet një burrë me një grua se i treti i tyre është shejtani”.

Ka përcjellë Affān nga Hammād ibnu Selemeh, i cili tha: shkova në Mekë dhe Ata’u ishte gjallë.

Tha: ai vdiq në Ramazan.

Ka thënë el-Hejthem, ebul Melih er-Rakkij, Ahmed, ebu Umer ed-Derir dhe të tjerë veç tyre: vdiq Ata’u në vitin 124 Hixhrij.

Ka thënë Jahja el-Kattān: vdiq në vitin 124 ose 125 h.

Ka thënë ibnu Xhurejxh, ibnu Ujejneh, El-Uakidij, ebu Nu’ajm dhe el-Fel-lās se: ai ka vdekur në vitin 125 Hixhrij.

Ka thënë el-Uakidij: jetoi 88 vjeç.

Dhe ka thënë Shebab: ka vdekur në vitin 127 Hixhrij.

Dhe kjo është gabim, ibnu Xhurejxh dhe ibnu Ujejneh janë më të ditur rreth saj.

Kanë qenë në Meke me Atanë imamët e Tabi’inëve si: Muxhahidi, Tāusi, Ubejd ibnu Umejr el-Lejthij, ibnu ebij Mulejkeh, Amër ibnu Dijnār, ebuz Zubejr el-Mekij e të tjerë.

سير أعلام النبلاء” (ترجمة عطاء بن أبي رباح)” 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: