Loading

Ka thënë shejhul Islam Ibnu Tejmijjeh rahimehullah:

“Nëse dikush do thoshte këtë për dikë që është më poshtë se Muauijeh ibnu Ebi Sufjan prej mbretërve të Beni Ummejeh dhe Benu Abbas, si p.sh. Abdul Melik ibnu Meruan dhe bijtë e tij, apo Ebu Xha’fer el-Mensur dhe dy bijtë e tij – të njohur si el-Mehdi dhe el-Hãdi – si dhe Harun Er-Rashid dhe të ngjashmit me ta, prej atyre që morën hilafetin dhe udhëheqjen e besimtarëve; atëherë kushdo që do t’ia atribuonte ndonjërit prej tyre ridetin (daljen nga Islami) dhe se ai ka vdekur në fenë e të krishterëve, çdo njeri i arsyeshëm do ta dinte se ai është prej njerëzve më gënjeshtarë.

E si mund të thuhet diçka e tillë për Muauijeh ibnu Ebi Sufjan dhe të ngjashmit me të prej sahabëve?!

Madje edhe djali i tij, Jezid ibnu Muauijeh, megjithë ngjarjet që ndodhën në kohën e tij, kush thotë për të se ishte qafir dhe murted, ka shpifur ndaj tij.

Përkundrazi, ai ishte një mbret prej mbretërve të muslimanëve, si të gjithë mbretërit e tjerë të muslimanëve. Shumica e mbretërve kanë të mira dhe të këqija; të mirat e tyre janë të mëdha dhe të këqijat e tyre janë të mëdha. Ai që sulmon njërin prej tyre e jo të ngjashmit e tij, ose është injorant ose është zullumqar.

Këta kanë të njëjtin gjykim si muslimanët e tjerë: prej tyre ka nga ata që të mirat i kanë më të shumta se të këqijat; prej tyre ka që janë penduar nga gjynahet; prej tyre ka që Allahu ua ka shlyer të këqijat; prej tyre ka që Allahu mund t’i fusë në Xhennet; prej tyre ka që mund t’i ndëshkojë për gjynahet e tyre; prej tyre ka që Allahu mund ta pranojë për ta ndërmjetësimin e një profeti apo të ndërmjetësuesve të tjerë. Ndaj, të dëshmuarit për ndonjërin prej tyre se është në Zjarr, është prej fjalëve të pasuesve të bidatit dhe devijimit.

Po ashtu, synimi për ta mallkuar ndonjërin prej tyre me emër të përveçëm, nuk është prej veprave të njerëzve të mirë dhe të devotshëm.

Është vërtetuar nga Profeti ﷺ se ka thënë: «Allahu e mallkoftë alkoolin, shtrydhësin e tij, atë për të cilin shtrydhet, bartësin e tij, atë që e shërben, pirësin e tij, shitësin e tij, blerësin e tij dhe atë që ha fitimin e tij.»

Po ashtu është saktësuar se në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte një njeri që pinte shpesh alkool dhe quhej “Himar”.

Sa herë që sillej te Profeti ﷺ, ai e dënonte me kamxhik. Një herë, kur e sollën për ta dënuar, një njeri tha: Allahu e mallkoftë! Sa shpesh po sillet tek Profeti ﷺ!

Atëherë Profeti ﷺ tha: «Mos e mallkoni, sepse ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.»

Pra, Profeti ﷺ e mallkoi pirësin e alkoolit në përgjithësi, por ndaloi mallkimin e një besimtari të caktuar.

Ashtu siç themi atë që ka thënë Allahu i Lartësuar:

{إنَّ الَّذِينَ يَأْكُلُونَ أَمْوَالَ الْيَتَامَى ظُلْمًا إنَّمَا يَأْكُلُونَ فِي بُطُونِهِمْ نَارًا}

{Vërtet ata që hanë padrejtësisht pasurinë e jetimëve, në barkun e tyre hanë vetëm zjarr.}

Megjithatë, nuk i takon askujt të dëshmojë për një person të caktuar se është në Zjarr, sepse është e mundur që ai të pendohet, ose Allahu t’ia falë përmes veprave të mira që i shlyejnë gjynahet, ose përmes fatkeqësive që shlyejnë mëkatet, ose përmes një ndërmjetësimi të pranuar, ose Allahu ta falë në mënyra të tjera.

Kështu është gjendja edhe e mbretërve apo e të tjerëve. Edhe nëse prej tyre ka dalë padrejtësi, kjo nuk e bën të domosdoshme që ne ta mallkojmë dhe të dëshmojmë se është në Zjarr.

Kush hyn në këtë rrugë, është prej ithtarëve të bidatit dhe devijimit.
E si është puna kur njeriu ka të mira të mëdha, me anë të të cilave shpresohet falja për të, megjithë padrejtësinë e tij?!

Siç është vërtetuar në Sahihun e Buhariut nga Abdullah ibnu Umar, nga Profeti ﷺ se ka thënë: «Ushtria e parë që do ta sulmojë Kostandinopojën është e falur.»

Ushtria e parë që e sulmoi atë kishte si prijës Jezid ibn Muauijeh, dhe me të në atë betejë ishte Ebu Ejjub el-Ensari, i cili vdiq atje dhe varri i tij gjendet aty edhe sot.

Për këtë arsye, dijetarët e matur prej imamëve të selefit thoshin për Jezid ibnu Muauijeh dhe të ngjashmit me të:

“Ne as nuk i shajmë dhe as nuk i duam.”

Domethënë: nuk e duam padrejtësinë që ka dalë prej tyre.

Një person i vetëm mund të bashkojë në veten e tij të mira dhe të këqija, bindje dhe gjynahe, devotshmëri dhe shthurje, mirësi dhe ligësi.

Allahu e shpërblen për të mirat e tij dhe e ndëshkon për të këqijat e tij nëse do, ose ia fal. Ai e do të mirën që ai ka bërë dhe e urren të keqen që ai ka bërë.”

📚 “مجموع الفتاوى” (٤ / ٤٧٣-٤٧٥)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: