![]()
Ka përmendur hafizi Ibnu Kethir në librin “El-Bidajeh uen-Nihajeh” (8/330) siç gjendet në botimin e shtëpisë botuese “es-Seadeh” nga Nafiu, robi i fisit Beni Esed:
Hyri Abdullah ibnuz-Zubejr tek nëna e tij -e cila ishte Esma bint Ebi Bekër- dhe iu ankua për braktisjen që i bënë njerëzit, të cilët kishin kaluar në anën el-Haxhaxh ibnu Jusuf-it, madje edhe fëmijët dhe familja e tij. Tha se me të kishin mbetur vetëm pak veta dhe as ata nuk mund të duronin veçse një orë, ndërsa pala tjetër po më ofron çfarë të dua prej dynjasë, çfarë mendon?
Ajo tha: “O biri im, ti e njeh veten tënde më mirë. Nëse e di se je në të vërtetën dhe po thërret në të vërtetën, atëherë duro në të, sepse për këtë janë vrarë edhe shokët e tu. Mos lejo që me qafën tënde të luajnë djelmoshat e Beni Umejeh! Por nëse ti ke dashur vetëm dynjanë, atëherë sa rob i keq je! E shkatërrove veten edhe ata që u vranë me ty. E nëse je në të vërtetën, atëherë feja nuk dobësohet. E sa do të jetoni në këtë dynja? Vrasja është më e mirë.”
Atëherë ai iu afrua, ia puthi kokën dhe tha: “Pasha Allahun, ky është edhe mendimi im.”
Pastaj tha: “Pasha Allahun, nuk jam mbështetur në dynja dhe nuk e kam dashur jetën në të. Nuk më ka shtyrë të dal veçse zemërimi për hir të Allahut që të mos shkelen Kufijtë e Tij. Por desha të dëgjoja mendimin tënd, dhe ti ma shtove qartësinë mbi qartësinë që kisha.
Shiko, o nëna ime, sepse unë jam i vrarë që sot. Mos e tepro me pikëllimin dhe dorëzohu ndaj Paracaktimit të Allahut, sepse biri yt:
- nuk ka bërë qëllimisht ndonjë të keqe,
- nuk ka bërë kurrë imoralitet,
- nuk ka devijuar në gjykimin e Allahut,
- nuk ka tradhtuar në amanet,
- nuk ka bërë padrejtësi ndaj asnjë muslimani apo njeriu nën besë,
- sa herë që më arrinte ndonjë padrejtësi nga ndonjë punonjës i imi, nuk e pranoja, por e kundërshtoja,
- dhe tek unë nuk ka pasur gjë më të dashur se Kënaqësia e Zotit tim, të Lartësuarit.
O Allah, nuk e them këtë për të lavdëruar veten time -Ti më njeh më mirë se unë dhe se kushdo tjetër- por e them për ta ngushëlluar nënën time, që ta ketë më të lehtë ndarjen prej meje!”
Atëherë nëna e tij tha:
“Shpresoj nga Allahu që ngushëllimi im për ty të jetë i mirë, qoftë nëse vdes para meje apo pas meje. Dil, o biri im, derisa të shoh se si do të përfundojë çështja jote.”
Ai tha: “Allahu të shpërbleftë me të mira, o nëna ime. Mos e lër duanë për mua para dhe pas vdekjes sime!”
Ajo tha: “Nuk do ta lë kurrë për atë që u vra mbi të vërtetën. Ti je vrarë në të vërtetën.”
Pastaj filloi t’i përmendte virtytet e tij dhe tha:
“O Allah, mëshiroje atë qëndrim të gjatë në namazin e natës, atë vajtim e përgjërim, atë etje në vapën e Medinës dhe Mekës, mirësinë e tij ndaj babait dhe ndaj meje! O Allah, unë ta kam dorëzuar atë Ty dhe jam e kënaqur me Paracaktimin Tënd, prandaj më shpërble për Abdullah ibnuz Zubejrin me shpërblimin e durimtarëve dhe falënderuesve!”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema