![]()
Pyetja e një motre:
A lejohet të falen namaze vullnetare (nafile) ndërmjet namazit të jacisë dhe vitrit, e po ashtu ndërmjet vitrit dhe sabahut? Disa njerëz thonë se nuk lejohet falja pas vitrit deri në sabah; disa të tjerë thonë se gjumi i ndan ato; një dijetar në vendin tonë ka thënë se mund të falesh para sabahut, mes ezanit të parë dhe të dytë; ndërsa të tjerë thonë se nuk lejohet. Unë shpesh zgjohem para sabahut dhe dua të falem, por nuk e di nëse lejohet apo jo.
Muftiu: AbdulAziz Ibnu Baz rahimehullah
Përgjigjja:
Po, po, nuk ka problem të falesh pas vitrit. Nëse njeriu e ka falur vitrin në fillim të natës ose në mes të saj, pastaj Allahu ia mundëson të zgjohet në fund të natës, atëherë është e ligjshme që të falë aq sa t’i ketë caktuar Allahu: dy rekate ose më shumë (dy e nga dy).
Dhe i mjafton vitri i parë; nuk ka nevojë të falë një vitër të dytë. Profeti ﷺ ka thënë:
«Nuk ka dy vitra në një natë.»
Nëse besimtari ose besimtarja zgjohet në fund të natës, edhe nëse e ka falur vitrin në fillim të natës, i lejohet që të falet aq sa t’i ketë shkruar Allahu, dhe nuk e përsërit vitrin e parë. Nëse fal dy, katër ose më shumë rekate, e gjithë kjo është diçka e mirë, nuk ka problem.
Mirëpo duhet t’i falë dy e nga dy rekate, sepse Profeti ﷺ ka thënë:
«Namazi i natës është dy e nga dy (rekate).»
Gjithashtu është transmetuar nga Profeti ﷺ se ai ka falur dy rekate pas vitrit, në fund të natës, për t’i mësuar njerëzit se namazi pas vitrit është i lejuar.
Megjithatë, më e mira është që vitri të jetë namazi i fundit i natës, ashtu siç ka thënë Profeti ﷺ:
«Bëjeni namazin tuaj të fundit gjatë natës vitër (tek)!»
Pra më e mira është që vitri të jetë gjëja e fundit që fal, por nëse ka kohë dhe falet pas vitrit, nuk ka asnjë problem. Gjithë lavd-falënderimet i takojnë Allahut.
📚 “فتاوى نور على الدرب” (١٥١/١٠-١٥٣)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema