![]()
Dijetari i madh AbdulAziz ibnu Baz rahimehullah thotë:
Në hadithin e Ebu Hurejrës, Profeti ﷺ ka thënë:
«Pesë namazet, Xhumaja deri në Xhuma dhe Ramazani deri në Ramazan janë shlyerje të mëkateve mes tyre, nëse nuk kryhen mëkatet e mëdha.»
Domethënë përderisa robi i Allahut i shmang të mëdhatë, mëkate për të cilat ka ardhur kërcënim me Zjarr ose me dënim në varr ose me Zemërim të Allahut; ose për të cilat aplikohet një dënim i caktuar (hadd); ose në lidhje me të cilat është mohuar imani (në tekst sheriatik) për kryesin e tyre, siç kanë thënë një grup dijetarësh; ose nga kryesit e të cilave Profeti ﷺ është distancuar.
Të gjitha këto janë çështje shumë të rënda, për të cilat duhet pasur kujdes, sepse janë prej shkaqeve që e pengojnë shlyerjen e mëkateve të vogla përmes namazeve dhe përmbushjes së detyrimeve. E gjithë kjo derisa robi të heqë dorë nga ato gjëra të ndaluara.
Prandaj Profeti ﷺ ka thënë:
«Pesë namazet, Xhumaja deri në Xhuma dhe Ramazani deri në Ramazan janë shlyerje të mëkateve mes tyre, nëse nuk kryhen mëkatet e mëdha.»
Dhe në një transmetim tjetër: «Nëse i shmang mëkatet e mëdha.»
Pra nëse robi i kryen pesë namazet, por vazhdon (p.sh.:) në zina, pirje të alkoolit, mosbindje ndaj prindërve apo ngrënie të kamatës, ato mëkate bëhen prej shkaqeve që e privojnë nga shlyerja e mëkateve (të tjera), derisa të pendohet tek Allahu dhe t’i braktisë ato.
Për këtë Allahu i Lartësuar, në Librin e Tij Madhështor thotë:
{إِنْ تَجْتَنِبُوا كَبَائِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنْكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ} [النساء:31]
{Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha, të cilat ju janë ndaluar, Ne do t’jua shlyejmë mëkatet e vogla tuajat.} [En-Nisa: 31]
Pra ky ajet fisnik përputhet plotësisht me atë që ka treguar hadithi. Ajeti u është drejtuar muslimanëve dhe të tjerëve:
{إِنْ تَجْتَنِبُوا كَبَائِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنْكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ} [النساء:31]
{Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha, të cilat ju janë ndaluar, Ne do t’jua shlyejmë mëkatet e vogla tuajat.} [En-Nisa: 31]
DHE MË I MADHI PREJ MËKATEVE TË MËDHA ËSHTË SHIRKU. Kur robi i shmanget shirkut dhe u shmanget mëkateve të tjera të mëdha, si: zinaja, vjedhja, mosbindja ndaj prindërve, kamata, përgojimi, nemimet dhe të ngjashmet, atëherë mëkatet e tij të vogla i falen përmes namazeve që fal dhe përmes shmangies së mëkateve të mëdha.
📕شرح رياض الصالحين (الشرح الثاني) 334 من حديث: (الصلوات الخمس والجمعة إلى الجمعة كفارة لما بينهن…)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema