![]()
Pyetja:
Disa bashkëkohorë kanë dalë me thënie të reja lidhur me imanin dhe kanë thënë: “Veprat janë kusht përsosjeje në iman, jo kusht vlefshmërie.” Sa i saktë është ky mendim?
Nga shejkh Abdul-Aziz er-Raxh’hi
Përgjigjja:
Unë nuk di ndonjë bazë për këtë thënie. Sepse, sipas shumicës së ehli sunetit, imani është: fjalë me gjuhë, besim me zemër, vepër e zemrës dhe vepër e gjymtyrëve. Imani është vepër dhe nijet, shtohet me bindje (adhurim) dhe pakësohet me mëkate. Pra, veprat janë pjesë e imanit.
Imani përbëhet nga këto gjëra: besimi i zemrës, fjala e gjuhës, veprat e gjymtyrëve dhe veprat e zemrës. Të gjitha këto janë pjesë të besimit, kështu që është e domosdoshme që njeriu të dëshmojë me gjuhë, të besojë me zemër, të veprojë me zemër dhe të veprojë me gjymtyrë.
Ndërsa murxhitë thonë: veprat nuk janë prej imanit, por janë vetëm dëshmi e imanit, ose rrjedhojë e imanit, ose fryt i imanit.
Sa i përket thënies se veprat janë kusht përsosjeje ose kusht vlefshmërie, unë nuk di që ajo të ketë ndonjë bazë, as te murxhitë e as tek ehli suneti. Veprat nuk janë as kusht përsosjeje, as kusht vlefshmërie, por janë pjesë e imanit. Thënia se ato janë kusht përsosjeje ose vlefshmërie, nuk pajtohet as me mendimin e murxhive, as me atë të shumicës së ehli sunetit. Madje, mund të thuhet se i afrohet mendimit të murxhive nga një këndvështrim, sepse ata i nxorën veprat nga përkufizimi i imanit në përgjithësi.
Pra, ai që thotë: “Vepra është kusht përsosjeje” ose “kusht vlefshmërie”, ne i themi: ky është mendim murxhive, të cilët e nxorën veprën nga përkufizimi i imanit. Kështu që, ose thuaj: vepra hyn në përkufizimin e imanit dhe është pjesë e imanit, ose thuaj: vepra nuk është pjesë e imanit. Nëse thua: “vepra nuk është pjesë e imanit”, atëherë ti je prej murxhive, qofsh ti që thua se është kusht përsosjeje, ose kusht vlefshmërie, ose se është dëshmi e imanit, ose rrjedhojë e imanit, ose fryt i imanit.
Çdokush që e nxjerr veprën nga imani, është prej murxhive. Por unë nuk di që murxhitë të kenë thënë ndonjëherë se veprat janë kusht përsosjeje të imanit.
📚 “شرح كتاب الإيمان لأبي عبيد” (١٢/٤)، للشيخ عبد العزيز بن عبد الله الراجحي
Përktheu: Abdur-Rahman Mema