Loading

Nga shejkh Muhamed ibnu Hadi

Dje, në rrjetet sociale, pashë disa që u trishtuan nga vdekja e shejkh Rabisë– dhe disa që u gëzuan për vdekjen e tij. Një figurë prej figurave të shquara të muslimanëve, një dijetar nga dijetarët e sunnetit. Xhihadi i tij është i njohur, mbrojtja e tij për sunnetin është e njohur, përpjekja e tij kundër bidatxhinjve është e njohur.

Thuhet se Shejhul-Islam Ibnu Tejmijjeh – Allahu e mëshiroftë – shpesh lutej me fjalët:

“O Allah, bëj kurthe për mua (kundër armiqve të mi), e mos lejo të bëjnë kurthe kundër meje.”

Kur e pyetën për këtë, u tha: Sepse kishte shumë kundërshtarë, saqë nuk arrinte t’i përballonte të gjithë, prandaj i lutej Allahut me këtë lutje.

Edhe shejkh Rabi ishte kështu: ata ateistët, të devijuarit, khauarixhët, njerëzit e së kotës, të gjithë ata që i qëlloi me shigjetën e së vërtetës, m’u këta u gëzuan me vdekjen e tij.

Pashë ateistët, zindikët, që u gëzuan me vdekjen e tij, pashë të gjithë pasuesit e bidatit prej ikhuanëve benaistë (pasues të Hasan el-Benas) dhe ikhuanëve kutbistë (pasues të Sejid Kutbit) tekfiristë, sufitë, modernistët, komunistët dhe rafidat që u gëzuan me vdekjen e tij.

Dhe s’po jua them këtë fjalë si ekzagjerim, pasha Allahun e pashë me sytë e mi dhe e dëgjova me veshët e mi; dhe unë nuk kam nevojë të betohem për këtë.

Dhe të vërtetën tha shejkhu i shejukhëve tanë kur tha:

“Vdekja e një njeriu të ditur është më e rëndë se vdekja e një populli të tërë.”

Sepse një dijetar i vetëm kur vdes, është humbje më e madhe se vdekja e shumë njerëzve.

Shejtanët gëzohen kur vdesin dijetarët. Pasha Allahun, sikur ta dinin realitetin, nuk do gëzoheshin!

Pse? Sikur të dinin që Allahu është Ruajtësi i kësaj feje, dhe se Ai nxjerr në këtë fe njerëz të cilët i përdor për bindjen ndaj Tij – nuk do të ishin gëzuar.

Allahu nuk ia ka lënë askujt përgjegjësinë për ta ruajtur fenë, por Ai vetë e ka marrë përsipër atë.

Pse?

{Vërtet, Ne e kemi zbritur dhikrin (Kur’anin) dhe Ne do ta ruajmë atë} [El-Hixhr: 9]

Kjo fe është e ruajtur me qëndrimin e Fjalës së Allahut dhe fjalës së të Dërguarit të Allahut ﷺ në mesin tonë, dhe ata që e kryejnë këtë detyrë janë njerëzit e dijes. Sa herë që shkon një brez, shkojnë edhe dijetarët e tij, por Allahu sjell pas tyre një brez tjetër që merren me mbrojtjen e saj.

Mirëpo, të dashur vëllezër me këtë ne kuptojmë se kush ka zemër të shëndoshë e kush ka zemër të sëmurë. Zemrat e shëndosha pikëllohen me vdekjen e dijetarit dhe thonë vetëm atë që e kënaq Zotin:

“Vërtet të Allahut jemi dhe tek Ai do kthehemi. O Allah, na shpërble me rastin e kësaj humbjeje dhe na e zevendëso me një më të mirë.” – dhe Allahu ua zëvendëson atë.

Ndërsa njerëzit e së kotës, për shkak të këndvështrimit të tyre të ngushtë, ky është qëndrimi i tyre. Por Allahu ua shuan shpresat.

Pse? Sepse këta dijetarët ishin si meteorët që i godisnin ata. Ashtu si yjet e qiellit janë meteorë për xhinnët që përpiqen të përgjojnë.

Ata janë vërtet si meteorët që godasin çdo përgjuës të dëgjimit, ashtu siç janë meteorët e qiellit. Sa të mëdhenj janë meteorët e tyre (të dijetarëve), sepse ata godasin të dy llojet e shejtanëve: shejtanët e xhinnëve dhe shejtanët e njerëzve. Ndërsa meteorët e qiellit, për kë janë? Për shejtanët – shejtanët e xhinëve që përgjojnë dëgjimin. Por meteorët e dijetarëve janë për të dy palët: ata djegin shejtanët e njerëzve dhe shejtanët e xhinnëve.

Për këtë arsye, njerëzit e së kotës gëzohen kur vdesin këta dijetarë. Por ne u themi:

Ngadalë, mos u gëzoni! Nëse vdiq shejkh Rabi, atëherë ka Rabi të tjerë në këtë ummet.

Dijetarët janë ende aty, dhe lavdërimi i takon Allahut, ata i gëzojnë ithtarët e Sunetit dhe i hidhërojnë ithtarët e bidatit.

Edhe nëse shejkh Rabi ka vdekur, dijetarët e tjerë vazhdojnë të ekzistojnë dhe e mbrojë fenë e Allahut të Lartësuar. Ju, o të devijuar, nuk do të arrini atje ku doni të arrini.

Dijeni se Allahu, i Lartësuar dhe i Madhëruar, tashmë na ka zbuluar se kush jeni ju. Nuk gëzohen për vdekjen e pasuesve të Sunnetit veçse ndjekësit e humbjes dhe të bidateve.

Ju nëse shikoni në këto rrjetet (sociale), nuk do të gjeni veçse ndjekës të devijimit dhe të bidateve që u gëzuan për vdekjen e tij mbrëmë.

Ndërsa pasuesit e Islamit dhe të besimit – pasha Allahun – nuk gëzohen për vdekjen e tij, e as për vdekjen e ndonjë dijetari prej dijetarëve të muslimanëve, sepse kjo është një humbje në çfarë?

Në anët e tokës, por ne besojmë me bindje të plotë se Allahu do ta ruajë Fenë e Tij, dhe nga ruajtja që Ai i bën fesë së Tij është se Ai përgatit këta dijetarë dhe i mban ata në mesin e njerëzve.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: