Loading

Pyetje drejtuar shejkh Salih el-Feuzan

Pyetja: Cili është kuptimi i fjalës “tagut”? Dhe a është çdo tagut i pafe?

Përgjigjja:
Fjala tagut në gjuhë vjen nga fjala “tug’jãn” që do të thotë tejkalim i kufijve, kalim nga e vërteta tek e kota, nga besimi në mosbesim, e të ngjashme me këto.

Tagutët janë të shumtë, dhe çdo tagut është pa dyshim i pafe, mirëpo pesë janë krerët e tyre, siç e ka përmendur dijetari Ibnul Kajjimi dhe të tjerë:

I pari: është Iblisi – mallkimi i Allahut qoftë mbi të –, ai është kreu i tagutëve. Ai fton në humbje, në mosbesim, në ateizëm dhe në zjarr. Ai është kreu i tagutëve.

I dyti: kushdo që adhurohet përveç Allahut dhe është i kënaqur me këtë, është tagut. Pra, kushdo pranon që njerëzit ta adhurojnë atë përveç Allahut, është tagut. Siç thotë Allahu:

‏{وَجَعَلَ مِنْهُمُ الْقِرَدَةَ وَالْخَنَازِيرَ وَعَبَدَ الطَّاغُوتَ} ‏

“…dhe i shndërroi disa prej tyre në majmunë dhe derra dhe adhurues të tagutit.” [El-Maideh: 60]

Ai i cili adhurohet përveç Allahut dhe kënaqet me këtë, atëherë ai është tagut. Kurse ai që adhurohet pa dëshirën e tij, nuk quhet i tillë.

I treti: ai që pretendon se e di të fshehtën (gajbin). Kushdo që pretendon se di të fshehtën është tagut, sepse e fshehta (gajbi) është vetëm në Dijen e Allahut SubhaneHu ue te’ala, siç thotë Allahu:

{ قُل لَّا یَعۡلَمُ مَن فِی ٱلسَّمَـٰوَ ٰ⁠تِ وَٱلۡأَرۡضِ ٱلۡغَیۡبَ إِلَّا ٱللهُ}

{Thuaj: Askush në qiej dhe në tokë nuk e di të fshehtën, përveç Allahut.} [En-Neml: 65]

Pra, ai që pretendon se e di të fshehtën e vendos veten në pozitën e ortakut me Allahun -azze ue xhel’le- në dijen e së fshehtës dhe një person i tillë është tagut.

I katërti: ai që i fton njerëzit ta adhurojnë atë. Siç bëjnë disa nga udhëheqësit e rrugëve sufiste dhe sharlatanët që sundojnë mbi robërit e Allahut dhe i japin vetes pozitën e hyjnisë duke pretenduar se sjellin dobi dhe dëm, e kështu me radhë, dhe i shfrytëzojnë robërit dhe sundojnë mbi ta me të kotën

I pesti: ai që gjykon me diçka tjetër përveç asaj që ka zbritur Allahu, azze ue xhel’le, sepse Allahu Subbhanehu ue te’ala thotë:

{أَلَمْ تَرَ إِلَى الَّذِينَ يَزْعُمُونَ أَنَّهُمْ آمَنُوا بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنْزِلَ مِنْ قَبْلِكَ يُرِيدُونَ أَنْ يَتَحَاكَمُوا إِلَى الطَّاغُوتِ وَقَدْ أُمِرُوا أَنْ يَكْفُرُوا بِهِ وَيُرِيدُ الشَّيْطَانُ أَنْ يُضِلَّهُمْ ضَلَالًا بَعِيدًا} ‏[‏النساء: 60‏]‏

{A nuk e ke parë ata që pretendojnë se besojnë në atë që të është shpallur ty dhe në atë që është shpallur para teje, e dëshirojnë për t’u gjykuar te taguti, ndërkohë që atyre u është urdhëruar t’i mohojnë ata; dhe shejtani dëshiron t’i shpie ata në një devijim të madh} [En-Nisa: 60]

Pra, ai që gjykon me diçka tjetër nga ajo që ka zbritur Allahu dhe mendon se kjo është më e mirë, më e dobishme për njerëzit ose e barabartë me atë që ka zbritur Allahu, ose se ka të drejtë të zgjedhë mes ligjit të Allahut dhe ligjeve të tjera ose gjykimi me diçka tjetër është i lejuar, ky konsiderohet tagut dhe është mohues i Allahut azze ue xhel’le, këta janë krerët e tagutëve.

https://www.alfawzan.af.org.sa/ar/node/10323

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: