Loading

Transmetohet nga Abdullah bnu Amër bnul Aas -radij’Allahu anhuma- se ka thënë:

E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:

«Do të ketë në fund të ummetit tim burra që hipin mbi samarë si ato të kafshëve të udhëtimit, do të zbresin përpara dyerve të xhamive, gratë e tyre duket si të veshura porse janë të zhveshura, kokat e tyre si kungat e deveve qafëgjata e të dobëta, mallkojini se ato janë të mallkuara, nëse do të kishte pas jush një popull prej popujve gratë tuaja do t’i shërbenin atyre, ashtu siç ju kanë shërbyer juve gratë e popujve përpara jush».

Ka thënë el-al’lameh el-Albanij -rahimehullah- në shpjegimin e këtij hadithi:

Ty të bëhet e qartë -me lejen e Allahut- se Pejgamberi ﷺ me këtë ka aluduar për këto mjete të udhëtimit që janë shpikur në këtë kohë, e cilat janë ato përveç makinave? Vërtet ato janë të rehatshme dhe të buta, të ngjashme me kafshët e udhëtimit.

Atëherë, në hadith ka një mrekulli tjetër shkencore të panjohur që nuk ka lidhje me gratë e veshura që duken si të zhveshura por ajo ka lidhje me burrat e tyre të cilët i hipin makinave dhe zbresin përpara dyerve të xhamive. Për Jetën e Allahut! Ajo është profetësi e vërtetë e shohim atë çdo të Xhum’ah kur mblidhen makinat përpara dyerve të xhamive saqë edhe rrugët e gjëra ngushtohen për shkak të tyre, zbresin prej tyre burrat për të prezantuar në namazin e Xhumasë dhe shumica e tyre nuk i falin 5 namazet ose më e pakta nuk i falin në xhami, ata mjaftohen vetëm me namazin e Xhumasë, e për këtë arsye shtohet numri i tyre ditën e Xhum’ah.

Ata zbresin me makinat e tyre përpara dyerve të xhamive dhe nuk vërehen tek ta frytet e namazit, as në sjelljet e tyre ndaj grave dhe vajzave të tyre, ata me të drejtë e meritojnë këtë epitet “gratë e tyre janë të veshura porse duken si të zhveshura”!

Është edhe një dukuri tjetër që ky hadith aplikohet ndaj saj, të cilën e shohim kohët e fundit gjatë shoqërimit të xhenazeve në makina, hipin disa njerëz që nuk kanë asgjë të mirë prej atyre që janë të pasur dhe nuk e falin namazin, saqë edhe nëse ndalon makina, e cila mban xhenazen dhe e fusin në xhami për t’i falur namazin, ata të pasurit rrinë në makina përpara xhamisë, mundet të zbresin disa prej tyre që të presin xhenazen për ta shoqëruar atë deri tek varri i saj, për hipokrizi sociale dhe për lajka e jo si adhurim dhe për të kujtuar Botën Tjetër. Allahu është Ndihmuesi më i Mirë.

📚 السلسلة الصحيحة” (٦ /٤١١)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: