Loading

Transmetohet nga ebu Hurejrete-Allahu qoftë i Kënaqur prej- se ka thënë:

Më ngarkoi i Dërguari i Allahut ﷺ për ruajtjen e Zekatit të Ramazanit (Zekatin e Fitrit), dikush erdhi tek unë dhe filloi të marrë me dy grushte nga ushqimi (i Zekatit të Fitrit) e kapa dhe i thashë: do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.

Ai i tha: unë jam nevojtar, kam familje të madhe dhe kam nevojë të madhe.

Kështu që e lëshova, pasi u gdhiva, i Dërguari i Allahut ﷺ më tha:

“O eba Hurejrete, çfarë bëri mbrëmë ai që zure rob?”

I thashë: o i Dërguari i Allahut, ai u ankua se kishte nevojë dhe familje të madhe, ndaj e mëshirova dhe e lashë të shkonte.

Ai tha: “Vërtet ai të ka gënjyer dhe do të kthehet.”

Isha i sigurt që do të kthehej për shkak të fjalës së të Dërguarit të Allahut ﷺ, kështu që po e prisja duke qenë vigjilent.

Ai erdhi përsëri duke marrë me dy grushte nga ushqimi, e kapa dhe i thashë: duhet të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.

Tha: më lësho, vërtet unë jam nevojtar, kam familje të madhe dhe nuk do të kthehem më, e mëshirova dhe e lashë të shkonte, pasi u gdhiva i Dërguari i Allahut ﷺ më tha:

“O eba Hurejrete, çfarë bëri robi që zure mbrëmë?”

I thashë: o Dërguari i Allahut, ai u ankua se kishte nevojë dhe familje të madhe, ndaj e mëshirova dhe e lashë të shkonte.

Ai tha: “Vërtet ai të ka gënjyer dhe do të kthehet.”

Po e prisja për herë të tretë duke qenë vigjilent.

Ai erdhi përsëri duke marrë me dy grushte, e kapa dhe i thashë: do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ kjo është hera e tretë që ti pretendon se nuk do të kthehesh dhe kthehesh përsëri.

Tha: më lësho, vërtet unë do të mësoj disa fjalë me të cilat Allahu do të bëj dobi.

I thashë: cilat janë ato?

Tha: kur të biesh në shtrat lexo ajetin Kursij nga fillimi i tij deri sa ta përfundosh ajetin: {Allahu la ilahe il-la Hue el-Hajjul Kajjum…} [el-Bekareh: 255], Allahu do të caktojë një roje (engjëll) për ty dhe nuk do të afrohet shejtani deri sa të gdhihesh, ndaj e lashë të shkonte.

Pasi u gdhiva i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Çfarë bëri robi që zure mbrëmë?”

I thashë: o Dërguari i Allahut, ai pretendoi se do të më mësonte disa fjalë me të cilat Allahu do të më bënte dobi dhe e lashë të shkonte.

Ai tha: “Cilët janë ato?”

I thashë: ai më tha: kur të biesh në shtrat lexo ajetin Kursij nga fillimi deri sa ta përfundosh: {Allahu la ilahe il-la Hue el-Hajjul Kajjum…}

Dhe më tha: Allahu do të caktojë një roje (engjëll) për ty dhe nuk do të afrohet shejtani deri sa të gdhihesh.

(Ebu Hurejrete ose njëri nga transmetuesit tha) Dhe ata (sahabët) ishin njerëzit më të përkushtuar ndaj punëve të mira.

Profeti ﷺ tha: “Vërtet, ai ka thënë të vërtetën edhe pse është gënjeshtar i madh. A e di se me kë ke komunikuar gjatë këtyre tre netëve o eba Hurejrete?”

Tha: jo.

Ai tha: “Ai ka qenë shejtani”

📚 Transmetoi el-Bukharij (2311)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: