Pyetje drejtuar shejkhut të nderuar, el-al’lameh Muhamed Nasirud-Din el-Albanij -rahimehullah-
A kanë ardhur në sunnet veçoritë e Profetit ﷺ të cilat dallojnë nga pjesa tjetër e njerëzve?
Shejkhu u përgjigj si vijon:
Me të vërtetë Profeti ﷺ dëgjonte atë që nuk e dëgjonin njerëzit; dhe kjo është prej veçorive të tij -alejhis salatu ues selãm-. Ai e shihte Xhibrilin dhe i fliste atij, kurse njerëzit as nuk e shihnin atë dhe as nuk e dëgjonin fjalën e tij.
Është vërtetuar në Sahihun e El-Bukharit dhe jo vetëm se ai ﷺ një ditë i tha Aishes -radij’Allahu anha-:
«Ky është Xhibrili po të jep selam»
Tha: ue alejhis selãm, o Dërguari i Allahut ti shikon atë që ne nuk e shohim.
Mirëpo, veçoritë e tij -alejhis selãm- vërtetohen me tekst të saktë, e jo me tekst të dobët dhe as me analogji apo me epsh.
Njerëzit në këtë çështje janë në dy pole të kundërta, ka prej tyre që mohojnë shumë prej veçorive të tij, të vërtetuara me zinxhirë të saktë, ose sepse ato nuk janë muteuatirah sipas pretendimit të tyre, ose nuk janë të përceptueshme tek ata.
Dhe ka prej tyre që i vërtetojnë atij -alejhis selãm- atë që nuk është vërtetuar, siç është fjala e tyre:
Me të vërtetë ai është krijesa e parë, ai ka qenë kur nuk kishte hije për të në tokë, nëse ai ecën në rërë nuk lë gjurmë në të dhe nëse shkel mbi gur lë gjurmë mbi të, e të tjera si këto prej gjërave të kota.
Dhe mendimi i mesëm në lidhje me këtë është që të thuhet:
Me të vërtetë Profeti ﷺ është njeri, me tekst nga Kur’ani dhe Sunneti dhe konsensusi i ummetit, nuk është e lejuar që t’i mvishen atij prej cilësive dhe veçorive, përveç atyre që janë vërtetuar me tekst në Kur’an dhe Sunnet, nëse kjo vërtetohet, atëherë është detyrë pranimi i tyre dhe nuk lejohet refuzimi i tyre me filozofi të veçantë, shkencore dhe logjike, të cilën ata e pretendojnë.
Është për të ardhur keq se kjo gjë është përhapur në kohën tonë me një përhapje të frikshme, refuzimi i haditheve të sakta me dyshimin më të vogël që vjen nga disa njerëz, aq sa të duket sikur ata i trajtojnë hadithet e tij -alejhis selãm- sikur të jenë të një tjetri prej njerëzve, të cilët nuk janë të pagabueshëm, ata marrin prej tyre atë që dëshirojnë dhe lënë atë që dëshirojnë dhe prej tyre është një grup që i atribuohet diturisë dhe disa kanë poste të larta sheriatike, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi, lusim Allahun e Lartësuar që të na ruajë neve nga sherri i të dy grupeve të kota dhe ekstremiste.
📚 Mbaroi fjala e tij prej “Silsiletul Ehãdithis sahihah” (1/296-297)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema