Shejkh Muhamed Reslan hafidhahullah thotë:
“Mënyrën e kërkimit të lejes na e ka sqaruar Profeti ﷺ: transmetohet nga Ebij Musa el-Esh’arij (Allahu qoftë i Kënaqur prej tij!) të ketë thënë: ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«Nëse dikush nga ju kërkon leje tri herë dhe nuk i jepet, le të kthehet!» Muttefekun alejhi.
Kjo është një etikë islame madhështore. Ama (sot) nëse njeriu shkon te i vëllai, pa pasur një takim të caktuar, kërkon leje jo tri, por tridhjetë herë, dhe, derisa të hyjë brenda, refuzon të largohet. Kjo nuk ka aspak lidhje me Fenë.
Nëse ai ia kthen, domethënë kur kërkon leje dhe i thuhet: kush je?, ky i thotë: filani, i biri i filanit, dhe -siç do e përmendim edhe më vonë- nuk i thotë: jam unë, por i thotë: jam filani, i biri i filanit.
Nëse i thuhet: kthehu! Duhet të kthehet. S’ka pse i mbetet hatri, sepse erdhi pa një takim të caktuar. Kërkoi leje dhe iu kërkua që të kthehet, ndaj duhet të kthehet dhe të mos pyesë: pse më ktheve? Duhet të kthehet dhe të mos i mbetet hatri. I thuhet: kthehu!, ndaj le të kthehet. Kështu na ka urdhëruar Zoti ynë tebareke ue te’āla.
Po ashtu, nëse kërkon tri herë leje dhe nuk i jepet, duhet të kthehet. Për hadithin janë pajtuar Buhariu dhe Muslimi.
Transmetohet nga Rib’ij të ketë thënë: na ka treguar një burrë prej fisit Benij Amir se ai i kërkoi leje Profetit ﷺ ndërsa ishte në shtëpinë e tij, duke i thënë: a të futem? Profeti ﷺ i tha shërbëtorit: «shko tek ai dhe mësoja edukatën e kërkimit të lejes! Thuaji që të thotë: es-selamu alejkum! A të futem?»
Ai burrë e dëgjoi dhe nuk priti që të dilte shërbëtori për ta mësuar, por tha: esselamu alejkum! A të futem? Profeti ﷺ e lejoi të hyjë. Dhe ai hyri.Transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi. Saktësuar nga El-Albanij etj.
Nëse vjen me leje, ku duhet të qëndrojë?
Shumë prej muslimanëve qëndrojnë në prag të derës ose ndoshta fusin kokën, e më pas thonë: a të futem? Po ti brenda se brenda je tanimë!
Transmetohet nga Abdullah ibnu Busrin radijAllahu anhu se ka thënë: Profeti ﷺ, kur mbërrinte te porta e dikujt, nuk rrinte përballë saj, por në qoshen e djathtë apo të majtë të portës, dhe thoshte: «esselamu alejkum! Esselamu alejkum!» Transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi. Saktësuar nga El-Albanī etj.
Nëse ai që kërkon leje pyetet për emrin e tij, çfarë duhet të thotë?
Transmetohet nga Ummi Hānī bint Talib radijAllahu anha se ka thënë: ditën e Çlirimit të Mekkes, shkova te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e gjeta duke u larë. Fatimja, e bija, po e mbulonte. I dhashë selam dhe ai tha: «Kush është ajo?»
I thashë: unë jam Umm Hānī bint Ebij Tālib. Ai tha: «Mirësevjen, Umm Hānī!» Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
Thotë: jam filani, dhe nuk thotë: jam unë! Jam unë!
Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu të ketë thënë: kërkova leje për të hyrë te Profeti ﷺ dhe ai tha: «kush je ti?» I thashë: unë. Tha: «unë, unë.» U duk që nuk i pëlqeu kjo gjë. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
https://www.rslantext.com/Article.aspx?ID=1052
Përktheu: Abdur-Rahman Mema