■ Rreth ditës së Arafatit, shejkh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah- thotë:
Njeriu duhet të kujdeset që në fund të ditës të jetë i zënë me lutje dhe të këmbëngulë në to, sepse vërtet që Allahu -azze ue xhel’le- i do këmbëngulësit në lutje. Sa herë që shtohet këmbëngulja e njeriut, shfaqet nevoja e tij për Zotin e tij. Njeriu ka nevojë për Allahun -azze ue xhel’le- në të gjitha gjendjet.
{۞ یَـٰۤأَیُّهَا ٱلنَّاسُ أَنتُمُ ٱلۡفُقَرَاۤءُ إِلَى ٱللَّهِۖ وَٱللهُ هُوَ ٱلۡغَنِیُّ ٱلۡحَمِیدُ}
{O ju njerëz! Jeni ju që keni nevojë për Allahun, kurse Allahu nuk ka nevojë për asgjë! Ai është i Pasur dhe Denjë për çdo lavd!} [Sure Fatir]
Kur njeriu e shfaq nevojën për Zotin e tij dhe i kërkon me ngulm Atij gjatë lutjes, atëherë le të përgëzohet me pranim të saj! Allahu i Lartësuar thotë:
{وَقَالَ رَبُّكُمُ ٱدۡعُونِیۤ أَسۡتَجِبۡ لَكُمۡۚ إِنَّ ٱلَّذِینَ یَسۡتَكۡبِرُونَ عَنۡ عِبَادَتِی سَیَدۡخُلُونَ جَهَنَّمَ دَاخِرِینَ}
{Zoti juaj tha: lutmuni vetëm Mua se do t’ju përgjigjem! Vërtet, ata të cilët tregohen mendjemëdhenj dhe nuk duan të më adhurojnë (vetëm Mua), do hyjnë në Zjarr, të poshtëruar!}
(Sure Gafir)
📚 لقاءات الحج” (١ /١٠٨)”
■ Ka thënë En-Neueuij -rahimehullah- për ditën e Arafatit:
Kjo ditë është dita më e mirë e vitit për lutje, ndaj njeriu duhet të bëjë ç’është e mundur për përmendjen e Allahut, për lutjen dhe për leximin e Kur’anit! Duhet të lutet me lutje të ndryshme dhe me lloje të ndryshme të përmendjes së Allahut: lutet për veten e tij, për prindërit, për të afërmit, për dijetarët e tij, për shokët, për të dashurit, për të gjithë ata që janë treguar bamirës ndaj tij dhe madje për të gjithë muslimanët.
Dhe le të ketë shumë kujdes nga neglizhenca e gjithë kësaj, sepse vërtet që kjo ditë nuk kthehet më!
📚 كتاب الأذكار” (ص ٣٣٣)”
■ Shejkh Abdur-Rezak el-Bedër -Allahu e ruajttë- thotë:
Përse dita e Arafatit është dita më e mirë për lutje? Le të përmendim disa pika të lidhura me lutjen gjatë kësaj dite madhështore:
Në këtë ditë është e pëlqyer për muslimanin përsëritja e fjalës së Teuhidit:
“La ilahe il-lAllah uahdehu la sherike lehu, lehul mulku, ue lehul hamdu, ue hue ala kul-li shejin kadir”
Vërtet, ky është udhëzimi i të gjithë Profetëve alejhimus selam; ashtu sikurse ka thënë Profeti ﷺ:
“Duaja më e mirë është duaja ditën e Arafatit. Duaja më mirë që kam thënë unë dhe profetët përpara meje është:
“La ilahe il-lAllah uahdehu la sherike lehu, lehul mulku, ue lehul hamdu, ue hue ala kul-li shejin kadir”
Dhe në një riuajet (transmetim) tjetër: “dhe duaja më e mirë që kam thënë unë dhe profetët përpara meje, në natën Arafatit.”
Gjatë kësaj dite, në përsëritjen e kësaj fjale ka një arsye madhore: vërtet, dita e Arafatit është dita më e mirë dhe zonja e tyre (ditëve), ndërsa fjala e Teuhidit (la ilahe il-lAllah) është zonja e edhkareve* (përmendjeve të Allahut) dhe më e mira e tyre; ashtu sikurse është vërtetuar nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë:
Dhikri më i mirë është fjala “La ilahe il-lAllah”.
Rrjedhimisht është e përshtatshme që, gjatë zonjës së ditëve, robi ta thotë sa më shumë zonjën e edhkareve.
📚 منقول من مطوية فضائل يوم عرفة
Përktheu: Abdur-Rahman Mema