Loading

Nuk ka ardhur në Kur’an dhe Sunnet diçka që të tregojë për një popull që ka banuar në tokë përpara Ademit -alejhis selām-, porse ajo që ka ardhur në lidhje me këtë është prej fjalëve të disa komentuesve të Kur’anit prej Sahabëve dhe Tabi’inëve dhe ajo që ka ardhur prej tyre është si vijon:

Mendimi i parë: është se toka ka qenë e banuar prej xhinëve, ata të cilët Allahu i krijoi prej zjarrit, kjo është fjala e transmetuar prej shumicës së komentuesve të Kur’anit.

Ka transmetuar et-Tabarī në Tefsirin e tij (1/232) nga Ibnu Abbãsi -radij’Allahu anhu- se ka thënë:

“Të parët që e kanë banuar tokën janë xhinët, të cilët bënë trazira në tokë, derdhën gjakun në të dhe vranë njëri-tjetrin, Allahu dërgoi tek ata Iblisin me një ushtri me engjëj, Iblisi dhe ata që ishin me të i vranë ata, derisa i ndoqi nëpër ishujt e deteve dhe cepat e maleve, pas kësaj Allahu krijoi Ademin dhe e bëri prej banorëve të saj, për këtë arsye Ai tha: {Unë do të vendos një mëkëmbës në tokë}.” Mbaroi fjala e tij -rahimehullah-.

Ka transmetuar gjithashtu me zinxhir nga er-Rebi’u ibnu Enes se ka thënë:

“Me të vërtetë, Allahu i krijoi engjëjt ditën e Mërkurë, i krijoi xhinët ditën e Enjte dhe e krijoi Ademin ditën e Xhum’ah, një popull prej xhinëve mohuan dhe zbritën ëngjëjt në tokë dhe i luftuan ata, kishte gjakderdhje dhe trazira në tokë”.

Mendimi i dytë: është se, nuk ka pasur në tokë banorë përpara Ademit -alejhis selām-, as prej xhinëve as prej krijesave të tjera.

Këtë e mendim e ka përcjellë et-Tebarij në Tefsirin e tij (1/232) nga Abdur-Rahman ibnu Zejd i cili ka thënë:

“Allahu i Lartësuar u tha engjëjve: vërtet, Unë dua të krijoi në tokë krijesa dhe të vendos në të një mëkëmbës, dhe Allahu nuk ka pas krijuar në atë kohë asnjë krijesë përveç ëngjëjve dhe toka nuk ka pasur krijesa”.

Ama sa i takon asaj që kanë përmendur disa mufesirinë (komentues të Kur’anit) apo historianë se një popull që quhej “el-Hin” kanë banuar në tokë pastaj erdhën xhinët dhe i luftuan ata dhe e banuan atë në vend të tyre, kjo është prej atyre historive që nuk kanë referenca tek asnjë zinxhir i saktë.

Hafizi ibnu Kethir -rahimehullah- ka thënë në “el-Bidajtu uen Nihajeh” (1/55):

Shumë prej dijetarëve të Tefsirit kanë thënë:

Xhinët janë krijuar përpara Ademit -alejhis selām- përpara tyre në tokë kanë qenë (el-Hinnu ue el-Binnu) Allahu i bëri xhinët të dominojnë mbi ta dhe ata (xhinët) i vranë ata, i nxorën dhe i shfarrosën prej saj dhe e banuan atë në vend të tyre”. Mbaroi fjala e tij.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: