Është përgjigjur el-al’lameh Abdul-Aziz bnu Bãz -Allahu e mëshiroftë- si vijon:
Sunneti për xhunubin është që të marrë abdes pastaj të lahet, duke pasuar në këtë Pejgamberin ﷺ, e nëse ai merr gusl nga xhunubllëku duke pasur si qëllim pastrimin nga dy papastërtitë, nga e vogla (që kërkon abdes) dhe nga e madhja (që kërkon gusl) i mjafton atij kjo gjë, porse e kundërta e kësaj (që të marrë abdes e pastaj të lahet) është më e mirë.
Ama kur gusli është i pëlqyeshëm, siç është ai i Xhumasë apo për freskim, atëherë ai nuk mjafton në vend të abdesit, por duhet patjetër abdesi, përpara tij apo pas tij, për shkak të fjalës së tij ﷺ:
«Allahu nuk e pranon namazin e dikujt prej jush nëse ai ka kryer nevojat personale derisa të marrë abdes». (Muttefekun alejhi)
Dhe për shkak të fjalës së tij ﷺ:
«Nuk pranohet namazi pa abdes dhe as lëmosha nga pasuria e ndaluar» e ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij.
Gusli i pëlqyer ose i lejuar nuk konsiderohet pastrim nga papastërtia e vogël vetëm nëse merret ashtu siç e ka ligjëruar Allahu në Fjalën e Tij -subhanehu-:
{ یَـٰۤأَیُّهَا ٱلَّذِینَ ءَامَنُوۤا۟ إِذَا قُمۡتُمۡ إِلَى ٱلصَّلَوٰةِ فَٱغۡسِلُوا۟ وُجُوهَكُمۡ وَأَیۡدِیَكُمۡ إِلَى ٱلۡمَرَافِقِ وَٱمۡسَحُوا۟ بِرُءُوسِكُمۡ وَأَرۡجُلَكُمۡ إِلَى ٱلۡكَعۡبَیۡنِۚ}
{O ju të cilët keni besuar, nëse dëshironi për të falur namazin, lani fytyrën dhe duart deri te bërrylat, ndërsa kokat fshijini (me dorë të lagur), lani edhe këmbët deri në nyje} [el-Maideh: 6]
Ama nëse gusli merret për shkak të xhunubllëkut apo menstruacioneve apo lehonisë dhe larësi bën nijet dy pastërtitë, atëherë e vogla i bashkangjitet të madhes, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ:
«Me të vërtetë, veprat janë sipas qëllimeve, e çdo njeriut i takon ajo që ka për qëllim» (Muttefekun alejhi)
Dhe Allahu është Poseduesi i suksesit.
https://www.binbaz.org.sa/fatawa/2305
Përktheu: Abdur-Rahman Mema