Loading

Kur’ani është Fjalë e Allahut dhe i pakrijuar

Dy kolosët e Ehlus-Sunnetit, Ebu Zur’ate dhe Ebu Hatim er-Razij kanë thënë:

“Ai që, për shkak të injorancës, mban qëndrim asnjëanës në lidhje me Kur’anin, duhet mësuar. Nëse këmbëngul, shpallet bidatxhi dhe jo mosbesimtar.”

Në lidhje me fjalën e lartpërmendur të dy kolosëve të ehlus-sunnetit, ebu Zur’ates dhe ebu Hatim er-Razit, el-al’lameh Zejd ibnu Muhamed el-Medkhalij rahimehullah thotë:

Veprohet kështu sepse kjo është prej meseleve të dijes të cilat i dinë vetëm nxënësit e dijes. Ka prej njerëzve që janë nxënës të dijes dhe ka prej tyre që janë injorantë, të cilët nuk kanë shkuar për të nxënë dije. Ky lloj jeton në dynjanë e tij, duke i kushtuar rëndësi ngrënies, pirjes, rrobave, banimit, shkuarjes dhe ardhjes. Ai nuk e di shumicën e adhurimeve. Bën vaki thotë fjalën “La ilahe il-lAllah” dhe nuk e di kuptimin e saj. Bën vaki thotë fjalën “Muhamedi është i Dërguari i Allahut” dhe nuk di pothuajse fare nga ajo me të cilën erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ.

Njerëzit nuk janë njësoj. E vërteta është se injoranca është errësirë. Ajo është prej mysibeteve më të mëdha, sidomos kur Allahu të jep gjatë jetës mundësinë për të mësuar, kurse ti e kalon atë në kënaqësitë e jetës trupore. Pikërisht kjo është humbja e vërtetë dhe kjo është e meta për të cilën qortohen injorantët e muslimanëve, injorantë të cilët jetojnë në vendet islame dhe mes dijetarëve të muslimanëve; nga ana tjetër, i gjen të paditur rreth gjërave që duhet t’i dinë e që kanë lidhje me të drejtat e Allahut ndaj nesh, siç janë farz-et, uaxhibat-et, ndalesat dhe urdhëresat.

Thënia se Kur’ani është i krijuar, qëndrimi asnjëanës dhe dyshimi se a është apo jo i krijuar janë mesele që i dinë vetëm nxënësit e dijes. Sa për injorantin, i mësohet medh’hebi i selefëve dhe metodologjia e tyre në këtë temë. Pra, i mësohet se për Kur’anin duhet thënë:

Kur’ani është Fjala e Allahut. Ai foli me të me të vërtetë dhe ia diktoi Xhibrilit alejhis selām. Xhibrili e dëgjoi, e memorizoi, foli me të dhe ia përçoi Muhamedit, pa shtesa dhe mangësi. Kësisoj, ai është Fjala e Allahut dhe nuk ka në të një shkronjë të vetme shtesë apo të mangët. Përkundrazi, ai është me zinxhirin më të lartë:

1) Xhibrili e mori nga Zoti i Universit;
2) Muhammedi alejhis salatu ues selām e mori nga Xhibrili;
3) Sahabët, njerëz të drejtë dhe besnikë, e morën nga Muhammedi alejhis salatu ues selām.

Në çdo brez pasardhës ka njerëz të drejtë dhe besnikë, të cilët e përhapin këtë dije që në krye të saj ka Kur’anin. Ja, kështu përhapet ajo.

Injorantit i mësohet medh’hebi dhe metodologjia e selefëve. Nëse e pranon, mirë; nëse refuzon, atëherë ai është i devijuar dhe bidatxhi, sepse ai nuk pretendon se ka dije dhe as nuk polemizon, por ndoshta mund të jetë mukal-lid (pasues verbtazi), që, duke rënë në bidat, i ka bërë padrejtësi vetes!

📚 “Sherhu Usuli I’tikādi Ehlis Sunnneh uel Xhem’ah” (fq 53)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: