{Zoti yt ka urdhëruar mos të adhuroni askënd tjetër përveç Tij dhe që me prindërit të silleni mirë!} [Isra: 23]
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«Kënaqësia e Allahut është te kënqasia e prindërve, ndërsa Zemërimi i Allahut është te zemërimi i prindërve.»
📚 “Sahihut Tergib” (2501).
Transmetohet nga Zur’ate ibnu Ibrahim se një burrë erdhi tek Umeri dhe i tha:
Unë kam një nënë që është e thyer në moshë, nuk mund të kryejë nevojat e saj vetëm se duke hypur në shpinën time e ndihmoj atë të marrë abdes dhe më pas largohem, a e kam kryer obligimin tim ndaj saj?
I tha: jo.
Tha: po a nuk mbajta në shpinën time dhe iu përkushtova asaj?!
Umeri i tha: Ajo e ka bërë atë me ty dhe dëshironte që ti të qëndroje me të, ndërsa ti dëshiron që të largohesh.
📚 بر الوالدين” لابن الجوزي (١ /١)”
■ Sjellja e mirë ndaj prindërve është shkak për zgjatjen e jetës dhe furnizimit
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«Kush kërkon që t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet furnizimi, le të sillet mirë me prindërit e tij dhe le të ruajë lidhjet gjakut.»
📚 “Sahihut Tergib” (2488).
■ Sjellja e mirë ndaj prindërve është shkak për faljen e gjynaheve
Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: vërtet, unë kam bërë një gjynah të madh. A ka për mua teubeh (pendim)?
Tha: «A e ke nënën gjallë?»
Tha: jo.
Tha: «a ke teze?»
Tha: po.
Tha: «sillu mirë ndaj saj!»
📚 “Sahihut Tergib” (2504)
Transmetohet nga Ebu Hurejrete -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se ka thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«I poshtëruar është ai njeri i cili, kur unë përmendem, nuk dërgon salavat mbi mua!
I poshtëruar është ai njeri të cilit i vjen Ramazani dhe i kalon përpara se t’i falen gjynahet! I poshtëruar është ai njeri kur prindërit e tij, ndonëse u ka mbërritur pleqëria, nuk bëhen shkak që ai të futet në Xhennet.» ⁽¹⁾
📚 Transmetoi et-Tirmidhī në “Sunnen” (3545) & Ahmedi në “Musned” (7451).
⁽¹⁾ Esh-shejkh el-Albanī e ka vlerësuar hadith: “hasen sahih”
■ Sjellja e mirë ndaj nënës të afron tek Allahu i Lartësuar
Ibnu Abbãsi, Allahu qoftë i Kënaqur prej tyre, ka thënë:
“Unë nuk di ndonjë punë që të afron më afër Allahut sesa sjellja e mirë ndaj nënës!”
📚 “Es-Sahihah” (6/711-712)
Lukmani i tha birit të tij: Biri im, pa dyshim që prindërit janë derë prej dyerve me të cilat hyn në Xhennet! Nëse janë të kënaqur me ty, je nisur drejt Xhennetit. Nëse nuk janë të kënaqur me ty, je ndalur (për të shkuar drejt tij).”
📚 “el-Bir ues Siletu” i ibnul Xheuzit: (fq 80).
A’lameh Ibnu Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Sotdita, nëse meditojmë rreth gjendjes së njerëzve, gjejmë se shumë prej tyre nuk janë bamirës ndaj prindërve, madje janë keqbërës ndaj tyre. U bëjnë mirë shokëve dhe nuk mërziten kur ulen me ta, mirëpo të ulen një orë me babain apo nënën, mërziten dhe ndihen sikur të jenë mbi gjemba. Njerëz të tillë nuk janë bamirës. Bamirës janë ata që ia hapin zemrën nënës dhe babait dhe u bëjnë hyzmet në mënyrën më të mirë; përkujdesen me një përkujdesje të madhe që t’i kënaqin me gjithçka që kanë mundësi.
📚 مكارم الأخلاق” (ص٤١)”
Thotë gjithashtu shejkh Ibnu Uthejmini:
Nxis vëllezërit tanë që të bëjnë sa më shumë lutje për prindërit e tyre, gjallë qofshin ata apo vdekur, sepse kjo është rruga e fëmijëve të devotshëm, të cilët zbatojnë Fjalën e Allahut të Lartësuar
{وَٱخۡفِضۡ لَهُمَا جَنَاحَ ٱلذُّلِّ مِنَ ٱلرَّحۡمَةِ وَقُل رَّبِّ ٱرۡحَمۡهُمَا كَمَا رَبَّیَانِی صَغِیرࣰا}
{Uli mbi ta krahët e përuljes me mëshirë dhe thuaj: O Zoti im, mëshiroji ata të dy ashtu siç më kanë rritur kur isha i vogël!} [el-Isra: 24]
📚 فتاوى نور على الدرب” (٢٧٠/١)”
Shejkh Abdur-Rezak ibnu Abdul-Muhsin el-Abbad -Allahu i ruajttë- thotë:
Me të vërtetë, sjellja e butë e djalit, delikatesa dhe trajtimi i mirë nga ana e tij, janë shkaqe për kthimin e prindërve nga shumë prej gjërave të këqija që dëshirojnë që t’i bëjnë.
Nga ana tjetër, nëse i riu fetar i trajton prindërit e tij me ashpërsi, atëherë kjo do të sillte mëri dhe ndasi mes djalit dhe anëtarëve të tjerë të familjes.
📚 “التبيان” (ص79)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema