Loading

Shejkh Ibnu Bãz rahimehullah ka thënë:

Bismilahir Rahmanir Rahim

Çdo lavd i takon Allahut, Zotit të krijesave dhe përfundimi i lumtur është për ata që i frikësohen Allahut. Salati dhe selami janë për robin, të dërguarin, mikun, besnikun e Tij ndaj Shpalljes, profetin, imamin dhe zotërinë tonë, Muhamed ibnu Abdullahun; dhe për familjen e tij, shokët dhe çdokënd që, deri në Ditën e Kijametit, ia ndjek rrugën dhe udhëzohet me udhëzimin e tij.

Dhe më pas:

Nuk ka dyshim se ruajtja e akides është gjëja më e rëndësishme dhe detyrimi më i madh…, për këtë arsye, titulli i ligjëratës së sotme është:

“Gjërat që e kundërshtojnë akiden, si dhe mënyrat e shpëtimit prej tyre.”

Akidja përfshin atë që njeriu beson, qoftë e hajrit, qoftë e keqe, qoftë prej përmirësimit, qoftë prishje. Ajo që kërkohet është akidja e saktë dhe detyrat e saj karshi njeriut. Në këtë botë ka shumë akide.Të gjitha janë të pavërteta, përveç akides bazuar në Librin e Allahut dhe Sunnetin e Profetit të Tij, Muhamedit alejhis salatu ues selām. Ajo është akidja islamike, e pastër dhe e kulluar nga çdo papastërti e shirkut, bidateve dhe gjynaheve. Ajo është akidja me të cilën erdhi Libri i Allahut, akidja për të cilën tregon Sunneti i të Dërguarit të Allahut Muhamed alejhis salatu ues selām. Madje ajo është vetë Islami:

{إِنَّ الدِّينَ عِنْدَ اللهِ الْإِسْلَامُ}

{Me të vërtetë, feja e vërtetë tek Allahu është Islami} [Eli Imrān: 19]

Dhe Ai azze ue xhel’le ka thënë:

{الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا}

{Sot kam përsosur për ju fenë tuaj, kam plotësuar Mirësinë Time ndaj jush dhe kam zgjedhur si fe tuajën Islamin.} [El-Maideh: 3]

Islami është feja e Allahut dhe Ai nuk pranon nga askush fe tjetër. Ai azze ue xhel’le ka thënë:

{وَمَنْ يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَنْ يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ}

{Çdokujt që ndjek fe tjetër përveç Islamit, nuk do t’i pranohet! Dhe në botën tjetër do jetë prej të humburve!} [Eli Imrān: 85]

Islami është feja e të gjithë profetëve. Ajo është feja e Ademit, babait tonë alejhis salatu ues selām dhe është feja e profetëve pas tij. Islami është feja e Nuhut, e Ibrahimit, e Musës, e Isës, e Daudit, e Sulejmanit, e Is’hakut, e Jakubit, e Jusufit dhe feja e të gjithë të tjerëve prej profetëve alejhimus salatu ues selām. Ajo është feja e Profetit tonë alejhis salatu ues selām, fe me të cilën Allahu e dërgoi për mbarë njerëzimin. Profeti alejhis salatu ues selām ka thënë:

«Profetët janë vëllezër nga babai me nëna të ndryshme, ama feja e tyre është një.»

Dhe kuptimi i tij është se feja e profetëve është një: veçimi i Allahut në adhurim, besimi se Ai është Zoti i krijesave, besimi se Ai është Krijuesi Madhështor, besimi në botën tjetër, besimi në ringjalljen, besimi në Xhennet dhe në Zjarr, besimi në Peshore etj. prej çështjeve të botës tjetër. Ky është kuptimi i «vëllezër nga babai»…Sa për legjislacionet (ndër profetë), ato janë të ndryshme.

Ka thënë Subhanehu:

{لِكُلٍّ جَعَلْنَا مِنْكُمْ شِرْعَةً وَمِنْهَاجًا}

{Ne për secilin nga ju kemi përcaktuar një ligj dhe rrugë të qartë} [El-Maideh: 48]

Pra, kemi shembullin e vëllezërve me baba të përbashkët dhe nëna të ndryshme. Të tillë janë edhe profetët: feja e tyre është një: veçimi i Allahut në adhurim dhe sinqeriteti për Të -gjë e cila është kuptimi i fjalës “La ilahe il-la Allah”- dhe besimi në Allah, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në profetët e Tij, në Ditën e Kijametit dhe çfarë rrjedh prej saj, si ringjallja, Xhenneti, Zjarri, Llogaria, Peshorja, Sirati etj.; si dhe besimi në paracaktimin, i mirë apo i keq qoftë ai. Në lidhje me këtë, profetët ishin unanimë: të gjithë ata alejhimus salatu ues selām erdhën me këto çështje, mirëpo legjislacionet ishin të ndryshme, sepse këto të fundit janë tamam si shembulli i vëllezërve me baba të përbashkët e nëna të ndryshme.

Sheriati (legjislacioni) i Teuratit kishte atë që nuk e kishte sheriati i Inxhilit, në sheriatet e mëhershme kishte gjëra që nuk ishin në sheriatin e Teuratit dhe Inxhilit, si dhe në sheriatin e Profetit tonë ﷺ ka gjëra që nuk kanë qenë në Teurat dhe Inxhil.

📚 الإسلام دين الأنبياء كلهم

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: