Loading

Al-lameh Salih ibnu Feuzan el-Feuzan hafidhahullah

[Ligjëratë e mbajtur 30 vjet më parë në qytetin e Taifit, A.Saudite.]

Pyetje: Rebelimi ndaj prijësve a është vetëm me shpatë apo hyn te kjo edhe sharja, nxitja e njerëzve kundër tyre dhe dalja në demonstrata?

Përgjigje:

Jua shpjeguam një herë dhe ju thamë:

Rebelimi ndaj prijësve është me shpatë -dhe ky është rebelimi më i ashpër- dhe me fjalë: me sharjen, ofendimin dhe të folurin kundër tyre nëpër mexhlise dhe minbere. Kjo i acaron njerëzit dhe i nxit për rebelim kundër prijësit; e gjithë kjo ua ul vlerat prijësve në sytë e tyre, kështu që edhe e folura është rebelim.

Sot, kush mendon se duhet t’i bindesh prijësve -në atë që nuk është mëkat- quhet ndoshta agjent, sahanlëpirës apo neglizhent.

I sheh të flasin keq për prijësin e tyre dhe ia nxjerrin në pah të metat, nëpër minbere dhe tubime, kurse Profeti ﷺ thotë:

«Kush dëshiron ta këshillojë prijësin për një çështje, nuk e shfaq atë publikisht, por e merr për dore dhe veçohet me të. Nëse e pranon prej tij, atëherë në rregull; nëse jo, e ka bërë atë që kishte detyrë.»

Transmeton Ahmedi (3/404) prej hadithit të Ijjad ibnu Ganemit radijAllahu anhu. E ka transmetuar gjithashtu Ibnu Ebij Ásim në “es-Sunneh” (2/522).

Kur prijësi e sheh të arsyeshme ndalimin e ndonjërit nga fjalimet e tubimeve të përgjithshme, mblidhen dhe ngrihen në demonstrata, duke menduar -nga injoranca- se ndalimi i ndonjërit apo burgosja e tij e bëjnë të lejuar rebelimin. A nuk e kanë dëgjuar fjalën e Profetit ﷺ në hadithin e Áuf ibnu Malik el-Eshxha’ī radijAllahu anhu te Muslimi (1855):

«Jo, përderisa e falin namazin në mesin tuaj!»

Dhe në hadithin e Ubadeh ibnus Samitit radijAllahu anhu në dy “Sahihët”:

«Vetëm nëse shihni mosbesim të qartë dhe të keni në lidhje me të argument prej Allahut!»

Dhe kjo ishte kur sahabët e pyetën dhe i kërkuan leje atij ﷺ për të luftuar prijësit zullumqarë.

A nuk e dinë se sa ndenji imam Ahmedi në burg?! A nuk e dinë ku vdiq Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh?!

A nuk u burgos imam Ahmedi disa vite dhe u godit me kamxhik për të pranuar fjalën “Kur’ani është i krijuar”?! Përse ai nuk i urdhëroi njerëzit për t’u rebeluar ndaj khalifit?!

A nuk e dinë ata se Shejkhu i Islamit qëndroi në burg për më shumë se dy vite dhe madje aty vdiq?! Përse ai nuk i urdhëroi njerëzit për rebelim ndaj prijësit?! Ata ishin në vlera dhe dije të shkallës më të lartë! E si është puna me të tjerët?!

S’ka dyshim se këto ide dhe vepra na kanë ardhur kur të rinjtë filluan të marrin dijen nga filan “mendimtar” bashkëkohor, nga filan poet dhe nga filan “shkrimtar” islamik! I lanë njerëzit e dijes dhe hodhën pas krahëve librat e të parëve të tyre! La haule ue la kuuete il-la bil-lah (Nuk ka forcë dhe fuqi pa Ndihmën e Allahut)!

🔊 “من محاضرة ألقاها الشيخ بمدينة الطائف يوم الاثنين الموافق 3/3/1415هـ في مسجد الملك فهد”

https://www.alfawzan.af.org.sa/ar/node/4898

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: