Loading

Në librin “Sahih meuarid edh-Dham’ãn” (2087), në hadithin e Ebu Hurejrës radij’Allahu anhu transmetohet që i Dërguari i Allahut ﷺ të ketë thënë:

«Jetëgjatësia e ummetit tim është midis të gjashtëdhjetave dhe të shtatëdhjetave.Të paktë janë atë që e kalojnë këtë.»

Ibnu Arafeh (716- 803 h) rahimehullah thotë: Edhe unë jam prej kësaj pakice.

Komenti i shejkh El-Albanit rahimehullah: Edhe unë gjithashtu jam prej kësaj pakice: i kam kaluar 84 vite, duke iu lutur Zotit të Madhëruar dhe të Lartësuar që të jem prej atyre që e kanë jetën të gjatë dhe veprën të mirë. Megjithatë, kam arritur deri në atë pikë sa ta dëshiroj vdekjen, për shkak të asaj që i ka goditur muslimanët, prej devijimeve fetare apo poshtërimeve që kanë rënë mbi ta. Madje edhe prej atyre që janë më të poshtëruarit!!! Por mos e dhëntë Zoti që ta dëshiroj vdekjen! Ndërkohë që hadithi i Enesit radijAllahu anhu është në mendjen time qysh kur kam qenë i vogël, nuk më mbetet të them tjetër veç asaj që më ka urdhëruar i Dërguari im ﷺ:

«O Allah, më jep jetë nëse ajo është e dobishme për mua dhe më vdis nëse vdekja është më e dobishme!»

Lutem me atë që më ka mësuar ai alejhis salatu ues selãm:

«O Allah, për aq sa jetë na jep, na begato në dëgjimet, shikimet dhe fuqitë tona (që t’i përdorim në bindjen ndaj Teje)! Dhe na e bëj sevapin e tyre të trashëgueshëm pas vdekjes!»

I Lartësuari ma dha këtë mirësi e ma pranoi lutjen. Më begatoi me të gjithë këtë dhe ja ku jam: ende vazhdoj të hulumtoj, të verifikoj dhe të shkruaj energjikisht.Të paktë janë si unë: i fal nafilet ende në këmbë, ngas makinën vetë, madje në distanca të largëta dhe me shpejtësi; e për këtë të fundit disa të dashur më kanë këshilluar të mos e ngas aq shpejt. Sidoqoftë, rreth kësaj teme kam një shpjegim të hollësishëm të cilin disa e dinë!

E thashë këtë bazuar në ajetin:

{وَأَمَّا بِنِعۡمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثۡ}

{(O Muhamed ﷺ) Shpalli mirësitë e Zotit tënd!}

[Ed-Duha: 11]

E kjo duke shpresuar nga Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar që të më shtojë nga Mirësitë e Tij, ta bëjë të gjithën të trashëgohet pas meje dhe të më vdesë si musliman pasues të Sunnetit, këtij Sunneti të cilit ia kam kushtuar jetën, qoftë me thirrje, qoftë me shkrim! E lus Allahun të më bashkojë me martirët dhe të devotshmit! Dhe sa shoqëri e mirë janë ata! Ai është Dëgjuesi që i përgjigjet lutjes!

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: