Loading

Thotë pyetësi: kam dëgjuar prej një dijetari fjalën e tij: kush mendon se i është bërë magji le të marrë 7 gjethe sidri, pastaj t’i fusë në një kovë me ujë dhe lexon mbi të “el-maùdhāt” (tre suret: el-Ikhlās, el-Feleķ dhe en-Nās), ajetin “Kursij”, suren: {Kul ja ejuhel kāfirun}, Fjalën e të Lartësuarit: {ue ma enzele alel melekejni bi Babile, Hārute ue Mārute}, suren “Fātiha”, sa e saktë është kjo? Dhe çfarë duhet të veprojë ai që mendon se i është bërë magji? Na bëni dobi Allahu ju bëftë dobi.

U përgjigj shejkhu i nderuar Abdul-Aziz ibnu Bāz -Allahu e mëshiroftë-:

Lavdërimi i takojnë Allahut, Lavdi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe atë që udhëzohet me udhëzimin e tij dhe më pas:

Nuk ka dyshim se magjia është realitet te shumë njerëz dhe ajo ndikon me Lejen e Allahut -azze ue xhel’le-, ashtu siç ka thënë -subhanehu ue teàla- në lidhje me magjistarët:

{Dhe ata nuk ua mësonin ndokujt} -dmth dy ëngjët- {pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju sprovuar, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe ata mësonin prej atyre të dyve se si t’i ndajnë me të burrin dhe gruan. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut.} [El-Bekareh: 102]

Pra, magjia ka ndikim, mirëpo ai (ndikim) ndodh me Lejen e Allahut që është caktuar se do të ndodhë, pasi nuk ndodh diçka në ekzistencë vetëm se me Kadanë dhe Kaderin e Tij -subhanehu ue teàla-, mirëpo kjo magji ka mjekim, ka kurim, kjo i ka ndodhur Pejgamberit ﷺ dhe Allahu e shpëtoi prej saj dhe prej sherrit të saj, e gjetën atë që kishte bërë magjistari, e morën dhe e prishën atë dhe Allahu e shëroi të Dërguarin e Tij prej saj -alejhis salātu ues selām-.

Po kështu, nëse gjendet ajo që bën magjistari prej përzierjes së penjëve apo lidhjes së tyre njëri me tjetrin e të tjera si kjo, atëherë kjo prishet, sepse prej punëve të magjistareve është se ata u fryjnë nyjeve, godasin mbi to dhe u frynë atyre për qëllimet e tyre të fëlliqura dhe ndodh ajo që dëshirojnë me lejen e Allahut, ose prishet dhe Zoti ynë është i Aftë për gjithçka -subhanehu ue teàla-.

Na ka porositur -subhānehu- që të kërkojmë mbrojtje tek Allahu prej sherrit të atyre që fryejnë në nyje dhe ata janë magjistarët, të cilët fryejnë në nyje për realizuar qëllimet e tyre të fëlliqura.

Dhe herë të tjera magjia kurohet me Kur’an, qoftë ajo kur e lexon vetë i sëmuri me magji për veten e tij, nëse ai është mirë mëndërisht, apo ja lexon dikush tjetër atij, i fryn atij te gjoksi i tij ose në çdo organ prej organeve të tij.

I lexon: “el-Fatihah”, “ajetin Kursij”, “Kul hue Allahu Ehad”, “el-Feleķ dhe En-Nās”, ajetet e njohura që flasin për magjinë prej sures “el-Eàrāf”, sures “Junus” dhe sures “Taha”.

Prej sures “el-Eàrāf” lexon Fjalën e Tij -azze ue xhel’le-:

وَأَوْحَيْنَا إِلَى مُوسَى أَنْ أَلْقِ عَصَاكَ فَإِذَا هِيَ تَلْقَفُ مَا يَأْفِكُونَ * فَوَقَعَ الْحَقُّ وَبَطَلَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ * فَغُلِبُوا هُنَالِكَ وَانْقَلَبُوا صَاغِرِين

{(117) Ue euhejnā ila Musa en elķi àšake fe idha hije telķafu ma je’fikūne. (118) Fe ueķaàl haķķu ue baťale ma kānū jeàmelūne. (119) Fegulibu hunālike uenķalebū šāģirijn}

{117. Atëherë Ne i kumtuam Musait: “Hidhe shkopin tënd!” – dhe ai filloi të gëlltiste gjithçka që trilluan ata.

  1. Në këtë mënyrë, doli në shesh e vërteta dhe dështoi ajo që kishin bërë ata.
  2. Kështu, Faraoni dhe njerëzit e tij u mundën dhe u kthyen të poshtëruar} [el-Eàrāf: 117-119]

Prej sures Junus Fjala e Tij -subhānehu-:

وَقَالَ فِرْعَوْنُ ائْتُونِي بِكُلِّ سَاحِرٍ عَلِيمٍ * فَلَمَّا جَاءَ السَّحَرَةُ قَالَ لَهُمْ مُوسَى أَلْقُوا مَا أَنْتُمْ مُلْقُونَ * فَلَمَّا أَلْقَوْا قَالَ مُوسَى مَا جِئْتُمْ بِهِ السِّحْرُ إِنَّ اللَّهَ سَيُبْطِلُهُ إِنَّ اللَّهَ لَا يُصْلِحُ عَمَلَ الْمُفْسِدِينَ * وَيُحِقُّ اللَّهُ الْحَقَّ بِكَلِمَاتِهِ وَلَوْ كَرِهَ الْمُجْرِمُون

{(79) Ue ķāle Firàunu i’tunij bikul’li sāhirin àlijm. (80) Felem’mā xhāes saharetu ķāle lehum Musa elķū ma entum mulķun. (81) Felemmā elķaū ķāle Musa ma xhi’ëtum bihi es-sihru inne All-llahe sejubťiluhu inne All-llahe la juflihu àmelel mufsidine. (82) Ue juhiķķu All-llahu el-haķķa bikelimātihi ue leu keriha el-muxhrimūne}

{79. Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e shkathët!”

  1. Pasi erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur”!
  2. Kur ata i hodhën, Musai tha: “Kjo që keni sjellë ju, është magji dhe vërtet, Allahu do ta shkatërrojë atë. Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.
  3. Allahu, me fjalën e Tij e forcon të Vërtetën, edhe sikur ta urrejnë keqbërësit këtë!”} [Junus: 79-82]

Dhe prej sures “Taha” Fjalën e Tij -subhānehu ue teàla-:

قَالُوا يَا مُوسَى إِمَّا أَنْ تُلْقِيَ وَإِمَّا أَنْ نَكُونَ أَوَّلَ مَنْ أَلْقَى * قَالَ بَلْ أَلْقُوا فَإِذَا حِبَالُهُمْ وَعِصِيُّهُمْ يُخَيَّلُ إِلَيْهِ مِنْ سِحْرِهِمْ أَنَّهَا تَسْعَى * فَأَوْجَسَ فِي نَفْسِهِ خِيفَةً مُوسَى * قُلْنَا لَا تَخَفْ إِنَّكَ أَنْتَ الْأَعْلَى * وَأَلْقِ مَا فِي يَمِينِكَ تَلْقَفْ مَا صَنَعُوا إِنَّمَا صَنَعُوا كَيْدُ سَاحِرٍ وَلَا يُفْلِحُ السَّاحِرُ حَيْثُ أَتَى

{(65) Ķālū ja Musā immā en tulķije ue immā en nekūne eu’uel men elķā. (66) Ķāle bel elķū fe idha hibāluhum jukhajjelu ilejhi min sihrihim ennehā tesàā. (67) Fe euxhese fij nefsihi khifeten Musā. (68) Ķulnā la tekhaf inneke entel eàla. (69) Ue elķi ma fij jeminike telķaf ma šanaùū innemā šanaùū kejdu sāhirin ue juflihu es-sāhiru hajthu etā}

{65. Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”.

  1. Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.
  2. Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.
  3. Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh!
  4. Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet”} [Taha: 65-69]

Lexon gjithashtu suren “el-Kāfirun”:

{قُلْ يَا أَيُّهَا الْكَافِرُون…}

{Kul ja ejuhel kāfirun…} deri në fund të saj.

Suren:

{قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ…}

{Kul Hue Allahu Ehad}

Dhe:

{قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ…}

{Kul eùdhu bi Rabbil felek}

Dhe:

{قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاسِ…}

{Kul eùdhu bi Rabin nās}

Më e mira është që t’i përsërisë suren {Kul Hue Allahu Ehad}, {el-Feleķ dhe en-Nās} tre herë, pastaj lutet për të që të shërohet:

“اللهم رب الناس، أذهب البأس، واشف أنت الشافي لا شفاء إلا شفاؤك شفاء لا يغادر سقما”

“Allahumme Raben Nās, edh’hib el-Be’se ueshfi Entesh Shāfij, la shifa’u il’la shifa’uk, shifāen la jugādir sekemen”, pastaj e përsërit atë tre herë.

E kështu i bën rukje duke thënë:

“بسم الله أرقيك، من كل شيء يؤذيك، ومن شر كل نفس أو عين حاسد الله يشفيك، بسم الله أرقيك”

“Bismilah erķīk, min kul’li shejin ju’dhijk, ue min sherri ku’li nefsin eu àjnin hāsid Allahu jeshfijk, bismilah erķīk”

E përsërit atë tre herë dhe lutet për të për shërim dhe shëndet.

Nëse thotë në rukjen e tij:

“أعيذك بكلمات الله التامات من شر ما خلق”

“Eìjdhuke bi kelimātilahi et-tāmāti min sherri ma khalaķa”

Dhe e përsërit atë tre herë, atëherë e gjithë kjo është një gjë e mirë.

Dhe prej mjekimit të dobishëm është që t’i lexojë këto ajete, sure dhe lutje në ujë, më pas e pi prej tij i sëmuri me magji dhe lahet me pjesën e mbetur të tij, kjo është prej shkaqeve të shërimit dhe shëndetit gjithashtu dhe nëse fut në ujë 7 gjethe prej sidrit jeshil, e thërmon atë dhe e fut në ujë, po ashtu edhe kjo është prej shkaqeve të shërimit, kjo është provuar shumë dhe Allahu ka bërë dobi me të, e kemi bërë ne këtë me shumë njerëz dhe u ka bërë dobi Allahu me të, kjo është kurim i dobishëm për ata që janë sëmurë me magji.

Po ashtu ky kurim bën dobi për atë që nuk ka dëshirë të kryejë marrëdhënie me bashkëshorten e tij, vërtet disa njerëz nuk kanë dëshirë të kryejnë marrëdhënie me bashkëshortet e tyre për arsye të ndryshme dhe nuk mundet të kryejë marrëdhënie me të, nëse i merr këto ajete dhe këtë lutje dhe i lexon për veten e tij apo ja lexon dikush tjetër, apo i lexon në ujë më pas pi prej tij dhe lahet me pjesën e mbetur të ujit apo fut në ujë 7 fletë të sidrit dhe lexon ato që paraprinë dhe lahet me të, të gjitha këto janë të dobishme me Lejen e Allahut dhe shërimi është në Dorën e Allahut, mirëpo këto janë shkaqe dhe Allahu është Ai që e jep suksesin -subhanehu ue teàla-, gjithçka është në Dorën e Allahut -xhel’le ue àla-, shërimi dhe sëmundja, të gjitha janë me Kadanë dhe Kaderin e Tij -subhanehu ue teàla-.

Nuk e ka zbritur Allahu sëmundjen vetëm se ka zbritur për të shërimin, e mësoi kush e mësoi dhe e injoroi kush e injoroi me Mirësinë e Tij -subhanehu ue teàla- dhe Allahu është Ai që dhuron suksesin”

🌍 https://binbaz.org.sa/old/39151

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: