Shejkh Ibrahim ibnu Salih el-Muhejmid -Allahu e ruajttë- thotë:
Ajo që kam vënë re është se akidja e jehudit Abdullah ibnu Sebe’ është prezente sot në zemrat e shumë njerëzve; dhe ata s’janë të vetëdijshëm për këtë gjë!
Abdullah ibnu Sebe’ ishte njeriu i cili nxiti njerëzit për të vrarë Uthmanin radij’Allahu anhu dhe bëri atë që bëri; origjina e tij ishte rafidije. Ai u tha shokëve të tij: A e dini si ta ndezim këtë fitne? Kjo arrihet duke shkuar te njerëzit e thjeshtë dhe duke u folur për (pseudo)vjedhjen e pasurisë dhe (pseudo)padrejtësinë që ndodhi nga ana e udhëheqësve; dhe duke shkuar te njerëzit e veçantë e duke u folur për (pseudo) humbjen e fesë dhe ndërrimin e sheriatit. Me këta të fundit kishte për qëllim shujukhët dhe nxënësit e dijes e dijetarët.
Atëherë, rruga e tyre ishte e ndarë në dy kategori: nëse shkohej te njerëzit e thjeshtë, do u flitej për marrjen e pasurisë dhe për padrejtësinë.
Përse? Sepse po i the njeriut të thjeshtë se iku feja, iku zbatimi sheriatit dhe nuk gjykohet me atë që ka zbritur Allahu, kjo nuk i intereson atij.
Ama nëse i thua: Zhvatën pasurinë, zhvatën tokat!, atëherë i dalin “brirët” nga zemërimi.
Dhe kur të shkohej te njerëzit e veçantë, t’u flitej për humbjen e fesë dhe ndërrimin e sheriatit.
Pasha Allahun! Sërish, pasha Allahun! Akidja e Abdullah ibnu Sebe’-s është prezente sot ndër njerëz: kur shkojnë te njerëzit e veçantë, flasin për humbjen e fesë, për ndërrimin e sheriatit dhe për ndërrimin e dizpozitave; dhe kur vijnë te njerëzit e thjeshtë, flasin për tokat, për vjedhjen e tokave, për vjedhjen e fondeve; thonë se filan emir ka shtatë miliardë, apo filan emir ka shtatë kështjella.
Po Allahu është Ai që do e marrë në llogari! Ç’punë ke ti në këtë gjë?!
Kësisoj, mos u bëj ndjekës i Abdullah ibnu Sebe’-s pa e kuptuar as vetë! Dhe këtë fjalë e ka përmendur et-Tabarij në ‘et-Tarikh”: Mos u bëj sebeij pa e kuptuar!
Përktheu: Abdur-Rahman Mema