Loading

Ka thënë el-al’lameh Abdul-Aziz bnu Baaz -rahimehullah-:

Arshi te njerëzit e dijes dhe në gjuhën arabe është fron i madh, fron i mbretit.

Qëllimi me Arshin e Rahmanit është froni i stërmadh dhe ai është krijesa më e madhe, ka këmbë dhe bartës prej engjëjve që e bartin atë, ndërsa Allahu është mbi Arsh -i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai-, ashtu siç ka thënë Ai -azze ue xhel’le-:

{الرحمن على العرش استوى}

{Rahmani u ngrit mbi Arsh}

Dhe Ai -subhanehu- ka thënë:

{إِنَّ رَبَّكُمُ اللَّهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ}

{Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili i krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë më pas u ngrit mbi Arsh}

Ai është një fron madhështor dhe krijesë madhështore, nuk e di shkallën e madhështisë së tij dhe gjerësisë së tij vetëm se Ai -i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai-, i Cili e krijoi atë.

Ai është kupolë mbi botën, ai është tavani i gjithë botës, ai po ashtu është edhe tavani i Xhennetit, nuk ka gjë sipër tij përveç Allahut -i Pastër nga të metat është Ai- ky është Arshi, froni madhështor, të cilin e njohin e arabët.

Ashtu siç ka thënë Allahu -subhanehu- në historinë e Belkis-ës:

{وَلَهَا عَرْشٌ عَظِيمٌ}

{Ajo ka një fron madhështor}

Karrigeve të mbretërve u thuhet frone, porse Arshi i Allahut subhanehu nuk i përngjan asgjëje prej froneve të krijesave, porse ai njihet sa i përket anës gjuhësore, që do të thotë: fron madhështor, që nuk e di gjerësinë dhe madhështinë e tij, esencën dhe përbërjen e tij vetëm se Ai -i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai- që e ka krijuar.

Vetëm nëse vërtetohet diçka prej të Dërguarit të Allahut ﷺ në lidhje me të, nëse vërtetohet prej të Dërguarit të Allahut ﷺ në lidhje me përbërjen e tij atëherë kjo merret për bazë, ajo që thotë Pejgamberi ﷺ është e vërtetë, sepse ai nuk flet sipas qejfit të tij, dhe unë nuk di diçka të saktë, të bazuar që të sqarojë përbërjen e këtij Arshi, porse ajo që dimë është se ai është një fron i stërmadh dhe krijesë madhështore dhe ka bartës që e bartin atë prej engjëjve, ashtu siç ka thënë -azze ue xhel’le-:

{وَیَحۡمِلُ عَرۡشَ رَبِّكَ فَوۡقَهُمۡ یَوۡمَئذࣲ ثَمَـٰنِیَةٌ}

{Atë ditë tetë engjëj do ta bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd}

Ditën e Kiametit.

Ajo që është e njohur se në dynja atë e bartin katër engjëj, ashtu siç ka thënë Umejjetu bnu Ebis Salt në poezinë e tij të njohur, të cilën e recitoi dhe Pejgamberi ﷺ ia konfirmoi:

Një burrë dhe një dem poshtë këmbës së tij të djathtë…shqiponja dhe luani poshtë këmbës tjetër

Dmth janë katër engjëj në pamjen e asaj që u përmend.

Njëri prej tyre ka pamjen e një njeriu

I dyti ka pamjen e një demi.

I treti ka pamjen e shqiponjës

I katërti ka pamjen e luanit.

Këto krijesa quhen engjëj, Allahu i krijoi për të bartur këtë Arsh, ka ardhur në hadithin el-Abbaas bnu Abdul Mutalib -radij’Allahu anhu- se Ditën e Kijametit atë e bartin 8 engjëj në formën e dhive të malit, ata janë krijesa të stërmadha me gjatësi të madhe, porse në zinxhirin e tij ka disa fjalë, Kur’ani ka cituar se kjo do të jetë Ditën e Kiametit, ashtu siç ka thënë subhanehu:

{وَیَحۡمِلُ عَرۡشَ رَبِّكَ فَوۡقَهُمۡ یَوۡمَئذࣲ ثَمَـٰنِیَةٌ}

{Atë ditë tetë engjëj do ta bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd} [el-Hakkah: 17]

Atë ditë është për qëllim Dita e Kiametit, dhe kjo tregon se përpara Ditës së Kiametit janë katër engjëj, dhe Ditën e Kijametit do të jenë tetë engjëj.

Allahul Muste’an dhe Ai subhanehu e di më mirë.

📚 نور على الدرب” (١ /١٣٣-١٣٥)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: