Loading

{عَلَيْهِمْ لَعْنَةُ اللهِ وَالْمَلائِكَةِ وَالنَّاسِ أَجْمَعِين}

{Mbi ta do të jetë Mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve!}

El-Hafidh Ibnu Kethir -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Ebul Alijeh dhe Katadeh kanë thënë: me të vërtetë, jobesimtari do të ndalet Ditën e Kijametit dhe Allahu do ta mallkojë; më pas e mallkojnë engjëjt, më pas të gjithë njerëzit.

Nuk ka mospërputhje mendimesh në lidhje me lejimin e mallkimit të mosbesimtarëve: Umer ibnul Khatab -radij’Allahu anhu- dhe imamllarët që erdhën pas tij, i mallkonin mosbesimtarët, në duanë e kunutit dhe jo vetëm.

Ama sa i përket një mosbesimtari të caktuar, një grup dijetarësh kanë pasur mendimin se ai nuk mallkohet, sepse ne nuk e dimë sesi do të jetë përfundimi i tij.

Dhe një grup tjetër ka thënë: përkundrazi, lejohet mallkimi i një mosbesimtari të caktuar.

Këtë mendim e ka zgjedhur fekihu Ebu Bekër ibnul Arabij el-Malikij, ama është argumetuar me një hadith që ka dobësi.

Të tjerë përveç tij janë argumetuar me fjalën e Profetit ﷺ transmetuar në Sahihun e El-Bukharij, në lidhje me historinë atij që pinte alkool dhe ai ﷺ e dënonte: një burrë tha: Allahu e mallkoftë! Sa shpesh e sjellin (tek Pejgamberi ﷺ për shkak të alkoolit)! Pejgamberi ﷺ tha: «Mos e mallko, sepse ai do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!»

Ata thanë: arsyeja që e pengon mallkimin ndaj atij që pinte alkool është se ai e donte Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ndaj kjo tregon se ai që nuk e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij mallkohet; dhe Allahu e di më së miri.

📚 تفسير ابن كثير” (١ /٤٧٣-٤٧٤)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: