Loading

Ekspozimi i feve që shejtani i bën njeriut gjatë agonisë së vdekjes

Ka thënë shejkhul Islam -Allahu e mëshiroftë-:

Ekspozimi i feve që i bëhet njeriut gjatë vdekjes, nuk është i përgjithshëm për çdo njeri, as nuk është i refuzuar për çdo njeri, madje ka prej njerëzve që nuk i ekspozohen atij fetë dhe ka prej tyre që i ekspozohen, e gjitha kjo është prej sprovës së jetës për të cilën na porositi Pejgamberi ﷺ që të kërkojmë mbrojtje prej saj në namazin tonë. Në agoninë e vdekjes shejtani është më i përkushtuar se kurrë për ta mashtruar birin e Ademit.

📚 الاختيارات” (صـ ٨٥)”

Shejtani vazhdon të jetë i përkushtuar për ta mashtruar njeriun përderisa shpirti i tij është në trupin e tij, ai i vjen atij dhe e cyt dhe ja zbukuron të kotën.

Transmeton Ebij Se’id el-Khudrij -radij’Allahu anhu- nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë:

«Iblisi tha: pasha Lavdinë Tënde unë nuk do t’i ndahem robin Tënd derisa ta mashtrojë, përderisa shpirtrat e tyre janë në trupat e tyre.

Tha: pasha Lavdinë dhe Madhështinë Time, Unë do të vazhdojë t’i falë ata, përderisa të më kërkojnë falje».

📚 E transmetoi Ahmedi (10974) dhe e saktësoi El-Albanij në “Sahih et-Tergijb” (1617).

Pejgamberi ﷺ kërkonte mbrojtje tek Allahu i Lartësuar nga “Fitnja e jetës dhe vdekjes” dhe i porositi namazfalësit për të kërkuar mbrojtje prej saj përpara selamit.

Transmeton Ebu Hurejrete -radij’Allahu anhu- se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

«Nëse dikush nga ju përfundon tesheh’hudin e fundit, le të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej katër gjërave: prej dënimit të Xhehennemit, prej dënimit të varrit, prej sprovave të jetës dhe vdekjes dhe prej el-Mesihid Dexhal».

📚 Transmetoi el-Bukharij (1311) dhe Muslimi (588)

Ka thënë dijetari i madh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah-:

Fjala e tij: “prej fitneve të jetës dhe vdekjes”, qëllimi me fitnet është: sprovimi i njeriut në fenë, gjatë jetës së tij dhe pas vdekjes, sprova e jetës është e madhe dhe e fortë, të paktë janë ata që shpëtojnë prej saj, përveç atij që Allahu dëshiron ta ruajë, ajo sillet rreth dy gjërave:

1- Dyshimeve
2- Epsheve

Sa i takon dyshimeve: ato i paraqiten njeriut tek dija e tij dhe i pështjellohet e vërteta me të kotën, e sheh të kotën si të vërtetë dhe të vërtetën si të kotë.

Nëse e sheh të vërtetën si të kotë, i shmanget asaj.

E nëse e sheh të kotën si të vërtetë e vepron atë.

E sa i takon epsheve; ato i paraqiten njeriut tek dëshira e tij dhe dëshiron me epshin e tij atë që është e ndaluar për të dhe kjo është një fitne e madhe, sa të shumtë janë ata që e shohin kamatën si fitimprurëse dhe e bëjnë atë gjynah!

Sa të shumtë janë ata të cilët e shohin mashtrimin e njerëzve si aftësi dhe cilësi në shit-blerje dhe i mashtrojnë ata!

Sa të shumtë janë ata që e shohin shikimin e grave si lezet, kënaqësi dhe liri, e kështu e lëshon veten e tij në shikimin e grave!

Madje sa të shumtë janë ata që pinë alkool dhe e shohin të shijshëm dhe të këndshëm!

E sa të shumtë janë ata të cilët i shohin veglat muzikore si art që mësohet dhe jepen për to diploma dhe grada!

Sa i takon fitneve të vdekjes, dijetarët janë ndarë në dy mendime:

Mendimi i parë: se “fitnet e vdekjes” janë pyetjet e dy engjëjve që i drejtojnë të vdekurit në varrin e tij, për Zotin e tij, për fenë e tij dhe profetin e tij, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ:

«Me të vërtetë më është shpallur mua se ju do të sprovoheni në varret tuaja, si apo afërsisht me fitnen e el-Mesihid Dexhal».

Ai që e ka besimin e pastër, këtij i lehtësohet përgjigjja.

Nëse pyetet: kush është Zoti yt? Thotë: Zoti im është Allahu.

Kush është profeti yt? Thotë: Profeti im është Muhamed.

Cila është feja jote? Thotë: feja ime është Islami, me shumë lehtësi.

Ama të tjerët -Allahu na ruajttë- kur pyeten: thonë: hah, hah, nuk e di, kam dëgjuar njerëzit të thoshin diçka dhe e thashë atë.

Medito fjalën e tij: “hah, hah”, duket sikur ai dinte diçka por e ka harruar, e sa humbje madhe është për diçka që e ke mësuar dhe më pas e harron atë; sepse injoranti nuk fiton gjë, mirëpo ai që harron fiton diçka por e humbet atë dhe përfundimi është: nuk e di kush është Zoti im, nuk e di cila është feja ime dhe kush është profeti im, kjo është fitne e madhe, lus Allahun të më ruajë mua edhe juve prej saj, e ajo në të vërtetë ajo sillet rreth asaj që gjendet në zemër, nëse zemra është vërtet besimtare: i sheh çështjet e gajbit sikur t’i ketë parë me sy, një i tillë përgjigjet me shumë lehtësi, nëse është anasjelltas edhe çështja është e tillë.

Mendimi i dytë: “Fitneja e vdekjes”, është ajo që ndodh gjatë vdekjes në fund të jetës, e vuri theksin mbi të -edhe pse është prej fitneve të jetës- për shkak të madhështisë dhe rëndësisë së saj, ashtu siç e vuri theksin mbi fitnen e Dexhalit edhe pse ajo është prej fitneve të jetës, ajo është fitne e vdekjes; sepse ajo është në prag të vdekjes, e veçoi atë në përmendje sepse ajo më e vështirë se kurrë, për shkak se njeriu gjatë vdekjes dhe ndërprerjes së punës është nisur ose drejt lumturisë ose drejt mjerimit.

Ka thënë Pejgamberi ﷺ:

«Me të vërtetë dikush prej jush do të punojë me punë të banorëve të Xhennetit, derisa të jetë në mes tij dhe atij një parakrah, ajo që është përcaktuar për të e mbizotëron atë dhe fillon të punojë me punë të banorëve të Zjarrit».

Kështu që, fitneja është e madhe!

Shejtani është më i përkushtuar se kurrë për mashtrimin e bijve të Ademit në atë çast, i mbrojtur është ai të cilin e mbron Allahu, i vjen atij në këtë gjendje të vështirë, të cilën nuk e imagjinon atë përveç atij që e përjeton atë.

Ka thënë i Lartësuari:

كَلَّاۤ إِذَا بَلَغَتِ ٱلتَّرَاقِیَ (26) وَقِیلَ مَنۡۜ رَاقࣲ (27) وَظَنَّ أَنَّهُ ٱلۡفِرَاقُ (28) وَٱلۡتَفَّتِ ٱلسَّاقُ بِٱلسَّاقِ (29) إِلَىٰ رَبِّكَ یَوۡمَىِٕذٍ ٱلۡمَسَاقُ (30)

{Jo kurrë, kur të mbërrijë shpirti tek kocka e fytit. Dhe të thuhet: kush do ta shërojë dhe shpëtojë atë prej vdekjes. Atëherë, ai që po vdes do ta kuptojë se ky është çasti i ndarjes. Dhe kur të puqet vështirësia në fund të kësaj bote me fillimin e vështirësisë së botës tjetër. Atë ditë ai do sillet tek Zoti i tij} [el-Kijameh: 26-30].

Gjendja e agonisë është e madhe, njeriu në të është i dobët, ka pak dëshirë, është i pafuqishëm, e ka gjoksin të ngushtë, i vjen shejtani atij që ta mashtrojë, sepse ky çast është më i volitshmi për shejtanin, aq sa ai, ashtu siç kanë thënë njerëzit e dijes: mundet që ai t’i paraqesë njeriut fetë, jehudizmin, krishterizmin dhe Islamizmin në pamjen e prindërve të tij, ata të dy i paraqesin atij, jehudizmin, krishterizmin dhe islamizmin, e orientojnë atë drejt drejt jehudizmit ose krishterizmit dhe shejtani kthehet në formën e çdokujt përveç Pejgamberit ﷺ, kjo është fitneja më e madhe.

Porse kjo -elhamdulilah- nuk është për çdo njeri, ashtu siç ka thënë shejkhul Islam ibnu Tejmijeh -rahimehullah- edhe nëse nuk mund të shkojë me njeriun deri në këtë shkallë, porse përsëri duhet pasur frikë për të.

Thuhet se: el-Imam Ahmedi kur ishte në agoninë e vdekjes e dëgjonin të thoshte: ende jo, ende jo, kur përmendej, e pyesnin për këtë? Thoshte: vërtet shejtani ishte duke kafshuar mollëzat e gishtërinjve të tij dhe thoshte: shpëtove prej meje o Ahmed, i kafshonte mollëzat e tij si keqardhje dhe pikëllim sesi nuk kishte mundur ta mashtronte imam Ahmedin!

Ndërsa Ahmedi i thoshte: ende jo, ende jo, dmth: deri tani nuk ka dalë shpirti, përderisa shpirti është në trup çdo gjë mund të ndodhë: {Zoti ynë mos e devijo zemrat pas na ke udhëzuar} [El Imran: 8]

Në këtë gjendje, fitnja është shumë e madhe, për këtë arsye Pejgamberi ﷺ e vuri theksin mbi të duke thënë:

«prej fitneve të jetës dhe të vdekjes»

Shkurtimisht: fitnja e vdekjes ka dy shpjegime:

Shpjegimi i parë: fitnja e cila është gjatë vdekjes.

Dhe i dyti: ajo e cila është pas vdekjes dhe ajo është pyetja e dy engjëjve që i bëjnë njeriut, për Zotin e tij, për fenë e tij dhe për të Dërguarin e tij.

Dhe nuk ka ndonjë pengesë që të themi: se kjo i përfshin të dyja së bashk, që është se e ka vënë theksin mbi fitnen që është përpara vdekjes dhe pas vdekjes, sepse ajo është fitnja më e madhe që i paraqitet njeriut.

Për këtë arsye duhet për atë që kërkon mbrojtje prej fitnes si vdekjes që t’i ketë ndërmend të dyja gjendjet.

📚 الشرح الممتع” (٣ /١٨٥-١٨٨)”

Ka thënë el-Kurtubij -rahimehullah-:

E kam dëgjuar shejkhun tonë, el-Imam Ebul Abbaas Ahmed ibnu Umer el-Kurtubij në qytetin bregdetar të Aleksandrisë të thotë: isha prezent në agoninë e vdekjes së vëllait të shejkhut tonë, Ebu Xhe’afer Ahmed ibnu Muhamed ibnu Muhamed el-Kurtubij në Kurtubah.

I thanë atij: thuaj: “la Ilahe il-la Allah”

Ndërsa ai thoshte: jo, jo.

Kur u përmend ja thamë atë atij dhe ai tha: më erdhën dy shejtanë njëri nga e djathta dhe tjetri nga e majta.

Njëri thoshte: vdis si jehud, me të vërtetë ajo është feja më e mirë.

Ndërsa tjetri thoshte: vdis i krishterë, me të vërtetë ajo është feja më e mirë.

Dhe unë i thosha atyre të dyve: jo, jo.

📚 التذكرة” (ص ٣٠)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: