Loading

Hadith madhështor!!!

Imam Muslimi -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:

Transmeton ebu Esma er-Rahabijju se Theubani, skllavi i të Dërguarit të Allahut ﷺ, i ka treguar atij: isha duke qendruar pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ ndërkohë që erdhi një dijetar prej dijetarëve të jehudëve dhe i tha:

Esselamu alejke o Muhamed!

Unë e shtyva dhe gati sa nuk ra në tokë.

Tha: përse më shtyn?!

I thashë: përse nuk i thua “o i Dërguari i Allahut?!”

Jehudi tha: ne e thërrasim me emrin që e ka emërtuar familja e tij.

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Vërtet, emri me të cilin më ka emërtuar familja ime është Muhamed.»

Jehudi tha: kam ardhur që të të pyes.

I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: «A të bën dobi ajo që do të të them?»

Tha: do ta dëgjoj me veshët e mi.

I Dërguari i Allahut ﷺ bëri një vizë në tokë me shkopin që kishte me vete dhe i tha: «Pyet!»

Jehudi tha: ku do të jenë njerëzit ditën kur të ndërrohet toka me një tokë tjetër dhe qiejt me të tjerë qiej?

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Ata do të jenë në errësirë, pranë urës.»

Tha: kush do ta kalojnë të parët urën?

Tha ﷺ: «Të varfrit e muhaxhirëve.»

Jehudi tha: cili do të jetë mëngjesi i tyre në çastin që do të hyjnë në Xhennet?

Tha ﷺ: «Anët e mëlçisë së balenës.»

Tha: cili do të jetë ushqimi i tyre pas kësaj?

Tha ﷺ: «Do të theret për ta demi i Xhennetit, i cili ka kullotur në anët e tij.»

Tha: çfarë do të jetë pija e tyre?

Tha ﷺ: «Do të pinë nga një burim që quhet ‘selsebil’»

Tha: the të vërtetën. Erdha të pyes për diçka të cilën, përveç një profeti apo një ose dy burrave, nuk e di askush prej banorëve të tokës.

Tha ﷺ: «A të bën dobi nëse ta them?»

Tha: do ta dëgjoj me veshët e mi. Erdha të pyes për fëmijën.

Tha ﷺ: «Lëngu i burrit është i bardhë dhe i gruas i verdhë. Kur ato bashkohen dhe lëngu (kromozomet dhe genet) i burrit dominon mbi atë të femrës, atëherë, me Lejen e Allahut, lind djalë; dhe nëse lëngu (kromozomet dhe genet) i femrës dominon mbi atë të mashkullit, atëherë, me Lejen e Allahut, lind femër.»

Jehudi tha: the të vërtetën. Me të vërtetë që ti je i dërguar.

Më pas, u kthye dhe u largua.

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Ky më pyeti për atë që më pyeti, por unë, derisa Allahu më tregoi për të, nuk kisha dije rreth saj.»

📚 Transmetoi Muslimi (315)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: