Dijetari i madh Abdul-Aziz ibnu Bāz -rahimehullah- ka thënë:
Nuk ka dyshim se kupolat mbi varre janë bidat dhe munker (vepër e lig), siç janë edhe xhamitë mbi varre, të gjitha janë bidat dhe munker.
Janë kështu, për shkak të asaj që është vërtetuar nga i Dërguari Allahut -alejhis salatu ues selām- se ka thënë:
«Allahu i mallkoi hebrenjtë dhe të krishterët; varret e profetëve të tyre i morën për vende adhurimi!»
Gjithashtu, për shkak të asaj që është vërtetuar prej tij alejhis salatu ues selām se ka thënë:
«Ruhuni nga ata që kanë qenë përpara jush, pasi ata i merrnin varret e Profetëve të tyre dhe njerëzve të devotshëm për vende adhurimi! Por ju nuk duhet t’i merrni varret për xhami! Unë ju ndaloj nga kjo gjë!»
E transmeton Muslimi në Sahihun e tij.
Dhe për shkak të asaj që është vërtetuar në Sahihu Muslim, nga Xhabir ibnu Abdil-lah -radij’Allahu anhuma- nga Profeti ﷺ se ai:
«Ndaloi patinimin me allçi të varreve, uljen mbi to dhe ndërtimin sipër tyre.»
Ai ﷺ theksoi për ndalesën e ndërtimit mbi varre, patinimin e tyre me allçi dhe uljen mbi to. Rrjedhimisht nuk ka dyshim se vendosja e kupolës mbi to është prej llojit të ndërtimit. Gjithashtu, lloje ndërtimesh konsiderohen edhe ndërtimi i xhamive, tavaneve dhe mureve mbi varre.
Është detyrë që ato të mbeten të zbuluara mbi tokë, siç ishin varret në kohën e Profetit ﷺ në varrezën e el-Baki’u.
Varri ngrihet nga toka afërsisht një pëllëmbë, me qëllim që të njihet se është varr dhe që të mos nënçmohet. Ama, të ngrihet kupolë mbi të, dhomë apo tavan, etj, kjo nuk lejohet!
Por, duhet që varret të mbeten ashtu siç janë, dmth të zbuluara. Nuk shtohet mbi to asgjë përveç dheut të tij.
Kësisoj, varri, duke përdorur dheun që është gërrmuar për të, ngrihet një pëllëmbë nga toka. Kjo mjafton. Siç ka ardhur në hadithin e Sa’d ibnu ebij Uekāś -radij’Allahu anhu- se ka thënë:
“Më hapni një lahd dhe më vendosni sipër tulla prej balte; siç u veprua me varrin e Profetit ﷺ.”
Në një transmetim tjetër ka ardhur: U ngrit varri i tij një pëllëmbë; dmth si varri i Profetit ﷺ.
Shkurtimisht themi se varret ngrihen një pëllëmbë nga toka. Kjo bëhet për t’i dalluar se janë varre; që të mos nënçmohen, të mos shkelen me këmbë dhe të mos ulen mbi to.
Ama, ndërtimi mbi to atëhere jo; as kupolë dhe asgjë tjetër. Këtë e themi për shkak të haditheve që përmendëm: hadithi i Xhabirit, hadithi i Aishes, etj veç tyre.
Në hadithin e Xhabirit është i qartë ndalimi për ndërtimin mbi varre dhe patinimin e tyre me allçi.
Sa i përket kupolës mbi varrin e Pejgamberit ﷺ, ajo është risi që e kanë bërë disa vasalë të turqve në shekujt e mëvonshëm, në shekullin e nëntë apo të tetë. Njerëzit e lanë prishjen e saj për shumë arsye. Prej tyre përmendim:
- injoranca e shumë prej atyre që qeverisnin Medinën (asokohe).
- Frika nga trazirat.
Disa njerëz, me prishjen e saj, i frikësohen trazirave. Bën vaki ngrihen ndaj tyre dhe thonë: këta urrejnë Pejgamberin ﷺ! Këta janë kështu e ashtu!
Ky është sekreti se përse shteti saudit e ka lënë pa prishur këtë kupolë. Nëse do ta prishte, do thonin injorantët -dhe shumica e njerëzve injorantë janë- se ata sigurisht që e prishën kupolen ngaqë urrejnë Pejgamberin alejhis salatu ues selām.
Nuk do thoshin “ajo është bidat”, por do thoshin “sepse ata e urrejnë Pejgamberin ﷺ”.
Kështu thonë injorantët dhe të ngjashmit me ta.
Shteti i parë saudit dhe ai i fundit e deri në ditët tona, e kanë lënë nga frika e trazirave atë kupolë të shpikur. E lanë që të mos mendojnë keq për të.(shtetin).
Ai (shteti), elhamdulil-lah, pa dyshim që beson për ndalimin e ndërtimit mbi varre dhe ndalimin e vendosjes së kupolave mbi to.
Pejgamberi ﷺ u varros në shtëpinë e Aishes që të mos bëhej sprovë (fitne) me të si dhe të mos i kalonin kufijtë ndaj tij. Sahabët, duke u ruajtur nga fitneja, e varrosën në shtëpinë e Aishes. Muret ishin të ngritura jo shumë kohë më parë. E varrosën në shtëpi, duke e ruajtur që injorantët të mos binin në fitne me të alejhis salatu ues selām.
Sa i përket kësaj kupole, ajo është vendosur vonë, prej injorancës së disa vasalëve. Nuk ka problem nëse prishet, madje është hak që të prishet! Ama, disa injorantë nuk e durojnë dot këtë dhe mund ta akuzojnë prishësin se nuk është në hak dhe se ai e urren Pejgamberin alejhis salatu ues selām.
Për këto arsye, shteti saudit e ka lënë këtë kupolë ashtu siç është. Ajo është vepër e dikujt tjetër dhe ai nuk dëshiron rrëmuja dhe trazira, të cilat mund t’i shkaktojnë disa njerëz që janë adhurues varresh, kalues kufijsh ndaj të vdekurve prej mushrikëve. Këta mund ta akuzojnë (shtetin) -dhe ai është i pastër nga këto- sikur ai urren Pejgamberin ﷺ apo sikur nuk tregojnë interes për të drejtën e tij
Dijetarët sauditë, si psh shejkh Muhamed ibnu Abdul-Uehabi -rahimehullah- dhe jo vetëm prej dijetarëve, elhamdulil-lah, të gjithë janë në sunnet, në rrugën e sahabëve të Pejgamberit ﷺ dhe të atyre që i ndoqën në mirësi, në veçimin e Allahut në adhurim dhe sinqeritetin ndaj Tij, në paralajmërimin nga shirku, bidati dhe mjetet që të çojnë drejt shirkut.
Ata janë njerëzit që më së shumti e nderojnë Pejgamberin ﷺ dhe sahabët e tij si bënin selefët e devotshëm. Ata janë njerëzit që më së shumti e nderojnë Pejgamberin ﷺ dhe sahabët e tij, radij’Allahu anhum duke ndjekur dhe pasur rrugën e selefëve të devotshëm në dashurinë dhe nderimin e Pejgamberit ﷺ, me nderim sheriatik i cili nuk ka ekstremizëm dhe as bidat në të.
Por një nderim që përfshin:
- ndjekjen e sheriatit të tij (alejhis salatu ues selam);
- urdhrave dhe ndalesave të tij;
- mbrojtjen e sunnetit të tij;
- thirrjen e njerëzve për ndjekjen e tij;
- paralajmërimin e tyre prej adhurimit të tij dhe të tjerëve veç tij – në vend të Allahut;
- paralajmërimin e tyre ndaj bidateve të fëlliqura.
Ata në këtë rrugë nga i pari dhe deri tek i fundit i thërrasin njerëzit për ndjekjen e të Dërguarit ﷺ, për madhërimin e sunnetit të tij, për adhurimin me sinqeritet ndaj Allahut, të Vetëm, dhe për ndalimin e shirkut ndaj Tij Subhanehu. Dhe i paralajmërojnë njerëzit nga bidatet, të cilat janë shtuar në mesin e njerëzve prej shumë kohësh. Prej bidateve është edhe kjo kupolë që është vendosur mbi varrin pejgamberik. Ajo u la aty për shkak të frikës nga trazirat dhe rrëmujat.
Sidoqoftë, Allahu është Ai që e dhuron suksesin. Dhe nuk ka forcë dhe fuqi përveç se me Ndihmën e Allahut.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema