❓ Pyetje drejtuar el-àl’lāmeh Abdul-Aziz ibnu Bāz -Allahu e mëshiroftë-
Pyetje: si ta refuzojmë atë që thotë: ju thoni: se Allahu zbret në qiellin e dynjasë në një të tretën e fundit të natës dhe kjo kërkon që Ai të lë Arshin, sepse një e treta e fundit të natës nuk është në një kohë të vetme për banorët e tokës?
💬 Ai -Allahu e mëshiroftë- u përgigj:
Kjo është fjala e të Dërguarit të Allahut ﷺ ai është thënësi i:
«Zoti ynë -tebareke ue te’ala- zbret në qiellin e dynjasë çdo natë, kur mbetet një e treta e fundit të natës dhe thotë: kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush më kërkon që t’i japë? Kush më kërkon falje që ta falë atë? Derisa të shfaqet agimi»
Dijetarët e kanë sqaruar se ajo Zbritje është ashtu siç i ka hije Allahut dhe nuk është si zbritjet tona, nuk e di mënyrën e saj vetëm se Ai -sunhānehu ue teàla-, Ai zbret si të dëshirojë dhe kjo nuk kërkon zbrazjen e Arshit, ajo është zbritje që i ka hije Atij ﷻ, një e treta ndryshon nëpër anët e botës dhe kjo është një gjë që është specifike për Atë të Lartësuarin dhe asgjë nuk i përngjan Atij prej krijesave, ashtu siç ka thënë Ai -sunhanehu ue te’ala-:
{ لَیۡسَ كَمِثۡلِهِۦ شَیۡءࣱۖ وَهُوَ ٱلسَّمِیعُ ٱلۡبَصِیرُ }
{Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është Gjithë-Dëgjuesi dhe Gjithë-Shikuesi} [esh-Shura: 11]
Dhe ka thënë -xhel’le ue ‘ala-:
{ یَعۡلَمُ مَا بَیۡنَ أَیۡدِیهِمۡ وَمَا خَلۡفَهُمۡ وَلَا یُحِیطُونَ بِهِۦ عِلۡمࣰا }
{Ai e di atë që u ndodh atyre në këtë botë dhe atë që do t’u ndodhë në botën tjetër dhe ata kurrë nuk do të arrinë të ngërthejnë diçka nga Dija e Tij} [Taha: 110].
Dhe ka thënë Ai ﷻ në ajetin Kursij:
یَعۡلَمُ مَا بَیۡنَ أَیۡدِیهِمۡ وَمَا خَلۡفَهُمۡۖ وَلَا یُحِیطُونَ بِشَیۡءࣲ مِّنۡ عِلۡمِهِۦۤ إِلَّا بِمَا شَاۤءَۚ
{Dhe asgjë nuk do të ngërthejnë nga Dija e Tij, përveç asaj që Ai dëshiron} [el-Bekareh: 255]
Ajetet me këtë kuptim janë të shumta dhe Ai -sunhanehu- është më i Dituri për mënyrën e Zbritjes së Tij, bie detyrë mbi ne që të pohojmë Zbritjen në atë këndvështrim që i ka hije Allahut ﷻ, ndonëse Ai është ngritur mbi Arsh, Ai zbret ashtu siç i ka hije Atij ﷻ, ajo nuk është si zbritja jonë, që nëse dikush zbret nga çatia e lë çatinë (bosh) pa të, e nëse zbret prej makinës e lë atë bosh pa të, ky krahasim është i kotë për Atë ﷻ; sepse Ai -sunhanehu- nuk krahasohet me krijesat e Tij dhe asnjë krijesë e Tij nuk i përngjan Atij në Cilësitë e Tij.
Ashtu siç ne themi: Ai u ngrit mbi Arsh në këndvështrimin që i ka hije Atij -sunhanehu- dhe ne nuk e dimë mënyrën e Ngritjes së Tij, as nuk e përngjasojmë Atë me krijesat, as nuk e shëmbëllejmë, porse themi: u ngrit me një Ngritje që i ka hije Hirësisë dhe Madhështisë së Tij.
Kur “el-mutekelimun” u zhytën në këtë lëmi me pa të drejtë, për shkak të saj u lindi atyre një mëdyshje e madhe, arritën deri aty prej fjalës saqë mohuan tërësisht Allahun, aq sa thanë: Ai nuk është as brenda botës dhe as jashtë saj, as kështu e as ashtu, derisa e cilësuan Atë me cilësi, kuptimi i të cilave është mosekzistenca dhe mohimi i Ekzistencës së Tij -sunhanehu- tërësisht!!!
Për këtë arsye, shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe ehlus sunneti dhe xhemati në ndjekje të tyre pohuan atë me të cilën erdhën tekstet prej Kur’anit dhe Sunnetit dhe thanë: askush nuk e di mënyrën e Cilësive të Tij përveç Tij -sunhanehu- dhe prej kësaj është ajo që tha el-imam Maliku -Allahu e mëshiroftë-:
“Istiuaja është e njohur, mënyra është e panjohur, besimi në të është detyrë dhe pyetja rreth saj është bidat”
Dmth rreth mënyrës, si kjo është edhe ajo që transmetohet nga Ummu Selemeh -Allahu qoftë i Kënaqur prej saj- nga Rabiàh ibnu Ebu Abdur-Rahman, shejkhu i Malikut -Allahu i mëshiroftë të dy- se:
“Istiuaja nuk është e panjohur, mënyra është pa përceptueshme dhe besimi në të është detyrë”.
Kush i përmbahet kësaj gjëje, shpëton prej dyshimeve dhe prej besimeve të shumta të njerëzve të së kotës.
Na mjafton neve që të pohojmë atë që ka ardhur në tekste dhe të mos shtojmë përtej kësaj, kështu themi: Ai dëgjon, flet, shikon, zemërohet, kënaqet, ashtu siç i ka hije Atij -sunhanehu- dhe askush nuk e di mënyrën e Cilësive të Tij përveç Tij.
Kjo është rruga e sigurisë dhe shpëtimit, rruga e dijes dhe ai është medh’hebi selefëve të devotshëm, ai është medh’hebi më i sigurtë, më i ditur dhe më i urtë dhe me këtë besimtari shpëton prej dyshimeve të atyre që hedhin dyshime dhe lajthitjeve të të lajthiturve dhe kapet pas Sunnetit dhe Librit të Qartë dhe ja lë dijen e mënyrës Zotit të tij dhe Allahu është Dhuruesi i suksesit.
مجموع فتاوى ومقالات الشيخ ابن باز” (٧٥/٩)” 📚
Përktheu: Abdur-Rahman Mema