Ka thënë Allahu i Lartësuar:
فَلَمَّا ذَهَبَ عَنْ إِبْرَاهِيمَ الرَّوْعُ وَجَاءَتْهُ الْبُشْرَى يُجَادِلُنَا فِي قَوْمِ لُوطٍ (٧٤) إِنَّ إِبْرَاهِيمَ لَحَلِيمٌ أَوَّاهٌ مُنِيبٌ (٧٥) يَا إِبْرَاهِيمُ أَعْرِضْ عَنْ هَذَا إِنَّهُ قَدْ جَاءَ أَمْرُ رَبِّكَ وَإِنَّهُمْ آتِيهِمْ عَذَابٌ غَيْرُ مَرْدُودٍ (٧٦)
{74. Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit.75. Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).76. “O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe ata do t’i kaplojë dënim i pashmangshëm.”}
Allahu i Lartësuar na tregon për mikun e Tij, Ibrahimin -alejhis selām- se pasi iu largua frika nga engjëjt, për shkak se ata nuk konsumuan ushqim, por kur ata i dhanë lajmin e gëzuar për lindjen e fëmijës ai u gëzua, ata (engjëjt) i treguan atij për shkatërrimin e popullit të Lutit, ai (Ibrahimi) filloi të thotë, ashtu siç e ka përmendur Se’id ibnu Xhubejri: pasi atij i erdhi Xhibrili -alejhis selām- dhe ata që ishin me të, i thanë: {Ne do t’i shkatërrojmë banorët e këtij qyteti, me të vërtetë ata ishin zullumqarë} [el-Ankebut: 31}
(Ibrahimi) u tha atyre: A do të shkatërroni një qytet që ka 300 besimtarë?
I thanë: jo.
U tha: A do të shkatërroni një qytet që ka 200 besimtarë?
I thanë: jo.
U tha: A do të shkatërroni një qytet që ka 40 besimtarë?
I thanë: jo.
U tha: po 30?
I thanë: jo, derisa arritën te pesë besimtarë thanë: jo.
Po sikur të jetë vetëm një musliman i vetëm a do ta shkatërroni atë?
I thanë: jo.
Ibrahimi këtu tha: {por aty banon Luti, ata i thanë: ne e dimë më mirë se kush banon aty, ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij} [el-Ankebut: 32], ai heshti dhe u qetësua.
Ngjashëm me këtë e ka thënë Katadeh dhe jo vetëm, ka shtuar ibnu Is’hak: po sikur të ishte një besimtar i vetëm?
Thanë: jo.
U tha: po sikur të banonte Luti, a nuk do t’i largohej atyre dënimi.
I thanë: {Ne e dimë më mirë se kush banon aty, ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, ajo do të jetë prej të dënuarve} [el-Ankebut: 32]
Fjala e Tij:
{يَا إِبْرَاهِيمُ أَعْرِضْ عَنْ هَذَا إِنَّهُ قَدْ جَاءَ أَمْرُ رَبِّكَ وَإِنَّهُمْ آتِيهِمْ عَذَابٌ غَيْرُ مَرْدُودٍ}
{O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe atyre me siguri do t’u vijë dënim i pashmangshëm.”}
Dmth: Është përcaktuar për ta dënimi dhe u realizua caktimi për shkatërrimin e tyre dhe ardhja e dënimit nuk kthehet mbrapsht ndaj popullit zullumqarë.
{77. Kur i erdhën të dërguarit Tanë Lutit, Ai u hidhërua, ndjeu një shtrëngim në veten e tij dhe tha: “Kjo është ditë e vështirë!”Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij. (Luti) tha: “O populli im, këto janë bijat e mia. Ato për ju janë më të pastra, e frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?”
78. Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij. (Luti) tha: “O populli im, këto janë bijat e mia. Ato për ju janë më të pastra, e frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?”
79. Ata thanë: “Ti e di se ne nuk kemi nevojë për bijat e tua. Në të vërtetë, ti e di se ç’duam ne”}
I Lartësuari na tregon për mbërritjen e të dërguarve të Tij prej engjëjve, pasi ata i treguan Ibrahimit për shkatërrimin e popullit të Lutit gjatë asaj nate.
Pasi u larguan nga ai shkuan te Luti -alejhis selām- dhe ai ishte -ashtu siç është thënë- në tokën e tij ku banonte.
Është thënë: se ai ishte në shtëpinë e tij dhe ata mbërritën tek ai dhe ishin në pamjen më të bukur, në formën e dy të rinjve me fytyrë të bukur, si sprovë nga Allahu dhe e Tij është urtësia dhe argumenti më bindës.
Ata i shkuan si mysafirë dhe ai e shqetësua për ta dhe ndjeu një shtrëngim në veten e tij për shkak të tyre, u frikësua se nëse nuk do t’i mirëpriste do t’i priste ata ndonjë prej popullit të tij dhe do t’u bënin keq atyre.
{Tha: kjo është një ditë e vështirë}
Ka përmendur Katadeh se ata erdhën tek ai ndërsa ishte te toka e tij duke punuar, i shkuan si mysafirë dhe ai u ndje i turpëruar prej tyre, u priu atyre për në shtëpi dhe gjatë rrugës u tha atyre në formë kundërshtimi ndaj tyre: që të largoheshin prej tij, sepse pasha Allahun o ju mysafirë nuk kam parë në faqen e tokës banorë më të fëlliqur sesa këta. Pastaj eci pak dhe ia përsëriti atë, derisa ia tha katër herë.
Ka thënë Katadeh: ata ishin urdhëruar që të mos i shkatërronin ata derisa i Dërguari i tyre të dëshmonte kundër tyre.
Ka thënë es-Sud’dij: engjëjt dolën nga Ibrahimi dhe u drejtuan në drejtim të qytetit të Lutit, kur mbërritën në lumin Sedun në mes të ditës takuan bijën e Lutit që po kërkonte ujë për familjen e saj, ai (Luti) kishte dy vajza, emri i vajzës së madhe ishte Retheja, ndërsa i të voglës ishte Zegareta, i thanë asaj: o vajzë, a ke shtëpi? U tha: qëndroni këtu derisa të kthehem. Ajo u frikësua për ta nga populli i saj dhe shkoi te babai i saj dhe i tha: o ati im u përballa me dy të rinj në hyrje të qytetit, nuk kam parë fytyra më të bukura sesa ata, se mos populli yt i marrin ata dhe bëjnë gjëra të turpshme me ta dhe populli i tij ia kishin ndaluar atij që të mikpriste burra, duke i thënë: na e lë neve mikpritjen e tyre.
Ai i solli ata, askush nuk e dinte për mbërritjen e tyre përveç pjesëtarëve të familjes së tij. Gruaja e tij doli nga shtëpia dhe lajmëroi njerëzit e saj dhe u tha: në shtëpinë e Lutit janë disa burra nuk kam parë kurrë fytyra të tilla më parë. Ata u vërsulën drejt tij.
Fjala e Tij: {U vërsulën drejt tij}
Dmth: nxituan në ecjen tyre dhe u mblodhën rreth tij për shkak të gëzimit me atë gjë dhe kjo është transmetuar nga Ibnu Abbāsi, Muxhahidi, ed-Dahāk, es-Sud’dij, Katadeh, Shimru ibnu ‘Atijeh dhe Sufjan ibnu ‘Ujejneh.
Dhe Fjala e Tij: {O populli im! Këto janë vajzat e mia, ato janë më të pastra për ju} Ai i drejtoi ata për te gratë e tyre, i Dërguari për Umetin është si babai për burrat dhe për gratë, i udhëzoi ata tek ajo që është më e dobishme për ta në dunja dhe në Botën Tjetër. Ashtu siç u tha atyre në një ajet tjetër:
{165. Të mjerët ju! A shkoni pas meshkujve të kësaj bote.
166. E i lini anash gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i krijoi për ju! Por ju jeni një popull që kaloni çdo kufij!”} [Esh-Shu’arā: 165-166]
Dhe në Fjalën e Tij në një ajet tjetër: {A nuk të kemi ndaluar që të presësh mysafirë} Dmth: a nuk të kemi ndaluar të presësh burra.
{Tha: ja ku janë vajzat e mija nëse dëshironi të bëni atë që synoni. Betohem për jetën tënde se ata ishin të përhumbur në dehjen e tyre} [el-Hixhr: 71-72]
Në këtë ajet: {ja ku janë vajzat e mia, ato janë më të pastra për ju}
Muxhahidi tha: ato nuk ishin bijat e tij, por ishin prej popullit të tij, sepse çdo i dërguar është si prind për ummetin e tij.
Kështu është transmetuar nga Katadeh dhe jo vetëm.
Ka thënë: ibnu Xhurejxh: i urdhëroi të martoheshin me gratë dhe jo që të bënin prostitucion.
Ka thënë Se’id ibnu Xhebejr: dmth gratë e tyre, ato janë vajzat e tij dhe ai është si prind për to, ka ardhur në disa kiraete se: “i Dërguari është më parësor për besimtarët sesa vetet e tyre, gratë dhe nënat e tyre dhe ai është si prind për ta. Kështu është transmetuar nga er-Rebi’u bnu Enes, Katadeh, es-Sud’dij, Muhamed ibnu Is’hak dhe të tjerë veç tyre.
Fjala e Tij: {Frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi}
Dmth: pranojeni atë që ju them duke shkuar vetëm me gratë tuaja.
{A nuk ka në mesin tuaj një njeri me mend}
Dmth: a nuk ka prej jush ndonjë njeri që është i hajrit të pranojë atë që i them dhe të braktis atë që e ndaloj.
{Ata thanë: ti vërtet e di që ne nuk kemi ndonjë dëshirë për bijat e tua dhe ti e di shumë mirë se çfarë dëshirojmë ne}
Dmth: ti vërtet e di që për gratë tona nuk kemi dëshirë dhe as epsh {ti e di shumë mirë se çfarë dëshirojmë ne} Dmth që ne nuk kemi synim tjetër vetëm se meshkujt dhe ti e di këtë, çfarë nevoje ka që të na e përsërisësh këtë fjalë?
Ka thënë es-Sud’dij në lidhje me këtë ajet: {Vërtet ti e di se çfarë dëshirojmë ne} se: ne dëshirojmë burrat.
{80. Ai tha: “Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!”
81. Thanë (mysafirët): “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk mund të të bëjnë ty asgjë e pra, nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos shohë pas, përveç gruas sate. Atë do ta godasë ajo që do t’i gjejë edhe ata. Afati i tyre është agimi. Vallë, a nuk është afër agimi?!”}
Allahu i Lartësuar na tregon për të Dërguarin e Tij Lutin -alejhis salām-: se ai i kërcënoi ata me fjalën e tij:
{Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!”}
Dmth: do t’ju ndëshkoja ashpër dhe do të bëja ndaj jush disa gjëra, prej dënimit dhe ndëshkimit ndaj jush me veten dhe fisin tim.
Në lidhje me këtë ka ardhur në hadith prej rrugës së Muhamed ibnu Amër ibnu Alkamete nga ebu Selemete, nga Ebu Hurejrete se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Mëshira e Allahut qoftë mbi Lutin, ai u mbështeste tek Allahu, pas tij Allahu dërgoi të Dërguar që kishin fis të madh”
Në këtë çast engjëjt i treguan atij se ata ishin të dërguarit e Allahut dhe i dhanë lajmin e mirë se ata nuk do të mund të të bëjnë asgjë. {Ata thanë: o Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd nuk do të kenë mundësi të të bëjnë asgjë} dhe e urdhëruan që të largohet me familjen e tij në fundin e natës, dhe rri pas tyre (familjes) dmth: që të jesh udhërrëfyes për familjen {dhe askush prej jush të mos shohë pas} Dmth: Nëse dëgjon atë që i ka goditur ata të mos ju friksojnë ato zëra shqetësuese, por vazhdoni të ikni ashtu siç jeni.
Disa dijetarë kanë përmendur prej israilijateve se gruaja e tij u nis me ta kur ajo dëgjoi zërat e rënies së qytetit ktheu kokën dhe tha: uau!
I erdhi një gurë nga qielli dhe e vrau. Pastaj ata i dhanë lajmin e gëzuar për shkatërrimin e popullit të tij, sepse ai u tha:
“shkatërrojini një orë e më parë” ata i thanë: {Afati i tyre është agimi. Vallë, a nuk është afër agimi?!”}
Populli i Lutit qëndronin te dera të mbledhur dhe iu vërsulën atij nga çdo drejtim, ndërsa Luti qëndronte te dera duke e shtyrë nga pas dhe duke i ndaluar ata nga ajo që kërkonin të bënin dhe ata nuk ju afronin por e kërcënonin, në këtë çast u doli Xhibrili -alejhis selaam- i goditi në fytyrë me krahun e tij dhe ua verboi sytë dhe ata u kthyen duke mos ditur se nga të shkonin, ashtu siç ka thënë i Lartësuari:
{37. Ata i kërkuan t’ua dorëzonte mysafirët e tij. Por Ne ua verbuam sytë (dhe u thamë): shijojeni dënimin Tim tani që e dëgjuat paralajmërimin!
38. Dhe të nesërmen në mëngjes ata i goditi i dënimi i përhershëm.
39. Shijoni dënimin Tim tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim} [el-Kamer: 37-39]
Ka thënë Me’amar nga Katadeh dhe ky nga Hudhejfeh ibnul Jemān i cili ka thënë: Ibrahimi -alejhis selām- shkonte tek populli i Lutit dhe u thoshte: a nuk ju ka ndaluar Allahu që t’ju ekspozoni dënimit të Tij? Dhe ata nuk iu bindën derisa u mbush kupa dhe ra mbi ta dënimi, më pas ai (Hudhejfeh) tha: kur engjëjt mbërritën tek Luti, ndërsa ai ishte duke punuar tokën e tij, i thanë: ne do jemi mysafirët e tu këtë natë dhe Allahu e kishte ngarkuar Xhibrilin që të mos i dënonte ata derisa Luti të dëshmonte kundër tyre me tre dëshmi.
Kur Luti u nis për t’i pritur mysafirët u përmendi atyre atë që vepronte populli i tij prej sherrit dhe degjenerimit të madh, ai eci 1 orë me ta, më pas iu kthye atyre dhe u tha: a nuk e dini ju se çfarë bëjnë banorët e këtij qyteti? Nuk njoh në faqen e tokës njerëz më të fëlliqur sesa ata, e ku t’ju çoj unë ju? Te populli im që janë krijesat më të fëlliqura të Allahut, iu kthye Xhibrili engjëjve dhe u tha: shënojeni, kjo është e para.
Pastaj eci me ta edhe një orë tjetër dhe kur iu afruan qytetit, ndjeu keqardhje për ta dhe u ndje i turpëruar prej tyre, u tha: A nuk e dini se çfarë bëjnë banorët e këtij qyteti? Nuk njoh njerëz më të fëlliqur sesa ata në faqen e tokës, me të vërtetë populli im janë krijesat më të këqija të Allahut.
Xhibrili iu kthye engjëjve dhe u tha: shënojeni, kjo është e dyta.
Kur u afruan tek dera e shtëpisë filloi të qajë për shkak të turpit prej tyre dhe duke ndjerë keqardhje për ta u tha: me të vërtetë populli im janë krijesat më të këqija të Allahut, a nuk e dini se çfarë bëjnë banorët e këtij qyteti? Nuk njoh në faqen e tokës banorë më të këqinj sesa ata.
Xhibrili u tha engjëjve: shënojeni, kjo është e treta, u konfirmua dënimi.
Kur ata hynë brenda plaka e keqe u largua u ngjit lart dhe ua bëri me shenjë atyre me rroben e saj, të shthururit erdhën tek ajo duke nxituar dhe i thanë: çfarë ke? U tha: kanë ardhur tek Luti për mysafirë disa njerëz që nuk kam kurrë fytyra më të bukura sesa ata dhe as erë më të mirë sesa ata.
Ata u vërsulën duke nxituar drejt derës dhe Luti polemizoi me ta tek dera ata e shtynë derën për një kohë të gjatë, ndërsa ai ishte brenda dhe ata jashtë, duke i kërkuar për hir të Allahut: {këto janë vajzat e mia ato janë më të pastra për ju} u ngrit engjëlli dhe u afrua tek dera dhe i bëri pritë, ku Xhibrili kërkoi leje për ndëshkimin e tyre dhe Allahu i dha leje, kështu u ngrit në pamjen në të cilën është në qiell dhe hapi krahun e tij dhe Xhibrili kishte dy krahë.
Ata i thanë o Lut! {Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd nuk do të mund të të bëjnë asgjë} largohu nga dera më lër mua të merrem me ta, u largua Luti nga dera dhe Xhibrili u doli përpara e hapi krahun e tij dhe i goditi me të fytyrat e tyre me një goditje që ua verboi sytë dhe mbetën të verbër që nuk dinin më rrugën dhe nuk mund të shkonin në shtëpitë e tyre, më pas Luti u urdhërua që atë natë të bëhej gati së bashku me familjen e tij, ata i thanë: {nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës}
Po kështu si kjo është transmetuar nga Muhamed ibnu Ka’ab el-Kuradhij, Katadeh, Es-Sud’dij.
{82. Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm atë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu.
83. (Ato ishin gurë) të shënuar (për dënim) te Zoti yt. Dënimi nuk është larg nga keqbërësit}.
Allahu i Lartësuar thotë: {Kur erdhi urdhri Ynë} dhe kjo ishte në kohën e lindjes së diellit.
{Ne e përmbysëm atë} dhe ai ishte qyteti i tyre i madh, dhe ai ishte Sedum.
{Atë që ishte lart e kthyem poshtë} ashtu si Fjala e Tij: {Edhe Mu’tefikën (venbanimin e përmbysura të popullit të Lutit) e lëshoi prej së larti (55) E i mbuloi ata ajo që i mbuloi}
Dmth: lëshuam mbi ta shi gurësh nga balta e pjekur. Fjala “سجيل” e ka prejardhjen nga gjuha perse: që do të thotë baltë e pjekur, kështu ka thënë Ibnu Abbaas dhe të tjerë veç tij.
Ka thënë në një Ajet tjetër: {gurë prej balte të pjekur} të ngurta dhe të forta.
Ka thënë el-Bukharij: “سجيل” i fortë dhe i madh.
Fjala e Tij: {مضود} Disa kanë thënë: të përgatitura në qiell për atë qëllim.
Kanë thënë disa të tjerë: që pasojnë njëra-tjetrën në rënie mbi ta.
Fjala e Tij: {مسومة} e njohur dhe e vulosur, që ka emrat e pronarëve të tyre, çdo gur ka të shkruar emrin e atij që do godasë.
Dhe ata (dijetarët) kanë përmendur se ato ranë mbi banorët e qytetit dhe mbi persona të veçuar në rrethinat përreth, në kohën që njëri nga këta të persona të veçuar ishin në mesin e njerëzve duke biseduar e godiste guri nga qielli mu në mesin e tyre dhe e shkatërronin atë. I goditën ata gurët në pjesët e tjera të qytetit derisa i shkatërruan nga I pari deri tek i fundit dhe nuk mbeti prej tyre askush.
Ka thënë Muxhahidi: e mori Xhibrili popullin e Lutit nga bagëtitë e tyre që po kullosnin dhe nga shtëpitë e tyre, i ngriti ata bashkë me to dhe gjithçka që kishin derisa banorët e qiellit dëgjuan lehjet e qenve dhe më pas i ktheu përmbys, dhe ai i ngriti ata krahun e tij të djathtë.
Kur i ktheu përmbys të parët që ranë prej tyre ishin ata që u ndanë nga xhemati.
Ka thënë Katadeh: jemi njoftuar se Xhibrili e mori periferinë e qytetit të mesëm dhe e ngriti në qiell derisa banorët e tij degjuan lehjet e qenve më pas i shkatërroi njëri pas tjetrit, më pas kaloi dënimi tek ata që banonin në mësim e atij populli por nuk ishin prej fiseve të tyre.
Tha: na kanë përmendur neve se ato ishin 4 qytete dhe çdo qytet kishte 100 mijë banorë – dhe në një transmetim: ato ishin tre qytete, më i madhi i tyre ishte Sedum.
Në një transmetim nga Katadeh dhe të tjerë veç tij se: na kanë treguar se Xhibrili -alejhis selām- kur erdhi mëngjesi ai shtriu krahun e tij dhe e rrafshoi çdo gjë, prej kështjellave të tyre, prej kafshëve, prej gurëve dhe pemëve të tyre dhe çdo gjëje tjetër, i mblodhi të gjithë së bashku në krahun e tij dhe i ngriti në qiellin e dynjasë, derisa banorët e qiellit dëgjuan zërat e njerëzve dhe të lehurat e qenve dhe ata ishin katër milionë, më pas i ktheu përmbys dhe i dërgoi në tokë me kokë poshtë dhe i shkatërroi njëri pas tjetrit, më pas e pasoi me gurë prej balte.
Ka thënë Muhamed bnu Ka’ab el-Kuradhij: qytetet e popullit të Lutit ishin pesë:
1- Sedum, dhe ai ishte më i madhi
2- Sa’betu
3- Sa’uetu.
4- ‘Itheretu
5- Duma
Xhibrili i mbarti ata në krahun e tij dhe i ngriti lart, derisa banorët e qiellit të dynjasë do të dëgjonin të lehurat e qenve të tyre dhe kakarismat e pulave të tyre, pastaj i ktheu me fytyrë përmbys dhe më pas Allahu e shoqëroi me gurë.
Allahu thotë: {Ata që ishin lart i kthyem poshtë dhe lëshuam mbi gurë prej balte të pjekur}
Dhe i shkatërroi Allahu ata dhe ata që përreth prej vendbanimeve.
Ka thënë es-Sud’dij: populli i Lutit kur u zgjuan nga gjumi, zbriti Xhibrili e shkuli tokën prej 7 tokave dhe i ngriti ata derisa arritën në qiell e dynjasë dhe banorët e tij degjuan lehjet e qenve të tyre dhe këndimin e xhelave të tyre më pas i ktheu përmbys dhe i shkatërroi dhe ky është kuptimi i Fjalës së Tij: {Vendbanimet e popullit të Lutit i lëshoi prej së larti}
Dhe ata që nuk vdiqën kur ranë në tokë Allahu u lëshoi rebesh shiu prej gurësh ndërkohë që nën tokë, dha ata që ishin të veçuar nga të tjerët në tokë i godisnin ata aty ku ishin, dikush ishte duke biseduar i vinte guri dhe e godiste duke e vrarë atë, ky është kuptimi i Fjalës së Tij: {U lëshuam rebesh shiu} Dmth: në qytete gurë prej balte të pjekur (argjilë).
Dhe Fjala e tij: {dhe ky dënim që u ra atyre nuk është larg prej keqbërësve}
Dmth: që ky dënim për ata që u përngjajnë atyre në zullumin e tyre nuk është larg tyre.
Ka ardhur në hadith të transmetuar në sunnen nga ibnu Abbās dhe ky nga Pejgamberi ﷺ se: «Atë që e gjeni duke bërë veprën e popullit të Lutit, vriteni pasivin dhe aktivin.»
Ka shkuar imam esh-Shāfi’ij -rahimehullah- në një fjalë të tij dhe një grup prej dijetarësh se homoseksuali vritet, qoftë i martuar apo i pamartuar duke vepruar me këtë hadith.
Ka shkuar imam ebu Hanifete -rahimehullah- në mendimin se ai hidhet nga një vend i lartë dhe shoqërohet me gurë, ashtu siç veproi Allahu me popullin e Lutit dhe Allahu e di më së miri se cila është e sakta.
تفسير ابن كثير” (٤ /٤٣٥-٤٤٣)” 📚
Përktheu: Abdur-Rahman Mema