Loading

{قَالَ يَا أَيُّهَا الْمَلَأُ أَيُّكُمْ يَأْتِينِي بِعَرْشِهَا قَبْلَ أَنْ يَأْتُونِي مُسْلِمِينَ}

{Ai (Sulejmani) tha: O ju pari, cili prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë tek unë si muslimanë?”}

Ka thënë Katadeh: kur Sulejmanit i mbërriti lajmi se ajo ishte nisur për tek ai, i përmendën atij fronin e saj dhe i bëri përshtypje, i cili ishte prej ari, ndërsa këmbët me perla dhe i mbuluar me mëndafsh dhe kishte 9 shula, ai e urreu që t’ja merrte atë pas Islamit të tyre.

I Dërguari i Allahut (Sulejmani) e dinte se kur ata të konvertoheshin në Islam ndalohej marrja pasurisë si dhe ndalohej gjaku i tyre

Prandaj tha: {O ju pari, cili prej jush do të më sjellë fronin e saj, përpara se ata të vijnë tek unë si muslimanë}

Kështu ka thënë ‘Ata’u el-Khurãsãnī, es-Sud’dī, Zuhejr ibnu Muhamed se: {Përpara se të vinë tek unë si muslimanë} Dmth më ndalohet mua pasuria e tyre me hyrjen e tyre në Islam.

{Ifriti prej Xhinnëve tha}

Ka thënë Muxhahidi: ai ishte një gjigant prej xhinnëve.

Ka thënë Shu’ajb el-Xhibãī: Ai e kishte emrin Keuzen. Kështu ka thënë Muhamed bnu Is’hak nga Jezid bnu Ruumaan, po kështu ka thënë edhe Uehb bnu Muneb’bih.

Ka thënë Ebu Salih: ai ishte si një mal.

{Unë e sjell atë përpara se ngrihesh nga vendi}

Ka thënë Ibnu Abbãs -radij’Allahu anhuma-: përpara se të ngrihesh nga tubimi.

Ka thënë Muxhahidi: përpara se të ngrihesh nga vendi.

Ka thënë es-Sud’dij dhe të tjerë veç tij: Ai (Sulejmani) u ulte për të gjykuar çështjet e njerëzve dhe për të ngrënë prej mëngjesit deri në zenitin e diellit.

{Unë për këtë jam i fuqishëm dhe i besueshëm}

Ka thënë Ibnu Abbãs -radij’Allahu anhuma-: i fuqishëm për mbajtjen e tij dhe i besueshëm për atë që kishte prej xhevahireve.

Sulejmani -alejhis selãm- tha: e dua më shpejt sesa kjo.

Këtu del në pah se Profeti Sulejman me sjelljen e fronit dëshironte të vinte në pah madhështinë e asaj që i kishte dhuruar Allahu prej pushtetit, i Cili i nënshtroi prej ushtarëve atë që nuk ia kishte dhënë dikujt përpara tij dhe nuk do t’ja jepte askujt pas tij.

Dhe që ta kishte atë si argument për pejgamberllëkun e tij ndaj Belkis-ës dhe popullit të saj; sepse kjo ishte një mrekulli madhështore, sjellja e fronit të saj ashtu siç ishte prej vendit të saj, përpara se ajo të mbërrinte tek ai.

Ndërkohë që ajo e kishte siguruar atë me shula, kyçe dhe roje.

Kur Sulejmani tha: e dua më shpejt se sa kjo

{Tha ai që kishte dije nga libri}

Ka thënë Ibnu Abbãs -radij’Allahu anhuma-: Ai ishte Esif, shkruesi i Sulejmanit.

Kështu është transmetuar nga Muhamed bnu Is’hak nga Jezid bnu Ruumaan: se ka thënë që: ai ishte Esif bnu Berkhija’e.

Ka thënë Katadeh: ai ishte besimtar prej njerëzve, emri i tij ishte Esif.

Po kështu ka thënë Ebu Salih dhe ed-Dahak.

Katadeh tha: ai ishte prej njerëzve dhe shtoi: ishte prej benij Isra’il.

Muxhahidi ka thënë: emri i tij ishte Estum.

Katadeh ka thënë -në një transmetim nga ai- se: emri i tij ishte: Bulejkha.

Zuhejr bnu Muhamed tha: ai ishte një burrë prej Endalusit, të cilin e quanin: Dhun Nur.

Ka pretenduar Abdullah bnu Lehi’ate: se ai ishte Khidri dhe kjo është shumë e çuditshme.

Fjala e Tij: {unë ta sjell atë sa çel e mbyll sytë}

Ai mori abdes dhe e luti Allahun -azze ue xhel’le-

Ka thënë Muxhahidi: ai tha: o Zot i Madhështisë dhe Nderimit.

Ka thënë ez-Zuhrij: ai tha: O Zot ynë dhe Zot i çdo gjëje, O Zot i Vetëm, nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet veç Teje, ma jep fronin e saj dhe ja ku ju shfaq para syve.

Ka thënë Muxhahidi, Se’id bnu Xhebejr, Muhamed bnu Is’hak dhe Zuhejr bnu Muhamed dhe të tjerë veç tyre: kur ai luti Allahun dhe i kërkoi që t’ja mundësonte sjelljen e fronit të Belkis-ës, i cili ishte në Jemen, e ndërsa Suljamani -alejhis selãm- në Bejtul Makdis froni u zhduk dhe u zhyt (fundos) në tokë pastaj pluskoi para Sulejmanit -alejhis selãm-.

Ka thënë Abdur-Rahman bnu Zejd bnu Eslem: Sulejmani nuk e ndjeu fare vetëm kur froni u shfaq para tij.

Kur Sulejmani dhe paria e tij e panë atë të ngulur para tij tha: {kjo është prej mirësisë së Zotit tim}

Që dmth kjo është prej begative të Allahut ndaj meje.

Kur Sulejmani -alejhis selãm- e solli fronin e Belkis-ës përpara se ajo të mbërrinte, ai urdhëroi që fronit t’i ndërronin disa cilësi, që ta vinte në provë nëse ajo do ta njihte atë si dhe qëndrueshmërinë e saj në shikimin e tij, a do të nxitonte të thoshte që është froni i saj apo do të thoshte që nuk është dhe ai (Sulejmani) tha: {Ndryshojani asaj fronin që ta provojmë nëse do ta njoh apo është nga ata që nuk e njohin!}

Ka thënë Ibnu Abbãs -radij’Allahu anhuma-: i hoqi perlat dhe ato gjërat përreth tij.

Ka thënë Muxhahidi: urdhëroi që t’i ndryshonin ngjyrat, ajo që ishte e kuqe u lye në ngjyrë të verdhë, dhe ajo që ishte e verdhë u bë e kuqe dhe ajo që ishte e gjelbër u lye në ngjyrë të kuqe, ia ndryshoi gjërat çdo gjëje.

Ka thënë ‘Ikrimah: i shtuan gjëra dhe i pakësuan ato.

Ka thënë Katadeh: e kthyen atë që ishte poshtë e vunë lart dhe atë që ishte para e vunë pas, shtuan dhe pakësuan.

{Kur ajo erdhi, i thanë: “I tillë është froni yt?”}

Dmth: iu paraqit asaj froni i saj, u ndryshua dhe transformua, u shtuan gjëra dhe pakësuan, ajo ishte e qëndrueshme, e zgjuar, e mençur, e matur dhe mendjemprehtë.

Ajo nuk nxitoi të thoshte: po, është i imi, për shkak se ai ishte larg dhe jo se ai ishte një fron tjetër. Për shkak të asaj që ajo pa prej gjurmëve dhe cilësive të tij edhe pse u ndryshua dhe transformua, tha: {duket sikur është ai} dmth: i ngjan dhe është i përafërt me të. Ky është kulmi i zgjuarsisë dhe maturisë.

📚 تفسير ابن كثير” (٦ /١٩٢-١٩٤) ط. دار طيبة”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: