Loading

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

{یَـٰۤأَهۡلَ ٱلۡكِتَـٰبِ لِمَ تُحَاۤجُّونَ فِیۤ إِبۡرَ ٰ⁠هِیمَ وَمَاۤ أُنزِلَتِ ٱلتَّوۡراةُ وَٱلۡإِنجِیلُ إِلَّا مِنۢ بَعۡدِهِۦۤۚ أَفَلَا تَعۡقِلُونَ (65) هَـٰۤأَنتُمۡ هَـٰۤؤُلَاۤءِ حَـٰجَجۡتُمۡ فِیمَا لَكُم بِهِۦ عِلۡمࣱ فَلِمَ تُحَاۤجُّونَ فِیمَا لَیۡسَ لَكُم بِهِۦ عِلۡمࣱۚ وَٱللَّهُ یَعۡلَمُ وَأَنتُمۡ لَا تَعۡلَمُونَ (66) مَا كَانَ إِبۡرَ ٰ⁠هِیمُ یَهُودِیࣰّا وَلَا نَصۡرَانِیࣰّا وَلَـٰكِن كَانَ حَنِیفࣰا مُّسۡلِمࣰا وَمَا كَانَ مِنَ ٱلۡمُشۡرِكِینَ (67) إِنَّ أَوۡلَى ٱلنَّاسِ بِإِبۡرَ ٰ⁠هِیمَ لَلَّذِینَ ٱتَّبَعُوهُ وَهَـٰذَا ٱلنَّبِیُّ وَٱلَّذِینَ ءَامَنُوا۟ۗ وَٱللَّهُ وَلِیُّ ٱلۡمُؤۡمِنِینَ (68) }

{O ithtarë të Librit përse polemizoni rreth Ibrahimit, ndërkohë që Teurati dhe Inxhili zbritën pas tij, a nuk kuptoni? Ju jeni ata që polemizuat edhe për atë për të cilën kishit njëfarë dijeje, përse polemizoni për atë për të cilën nuk keni dije?! Allahu e di dhe ju nuk dini. Ibrahimi nuk ishte as jehudi e as i krishterë por ishte hanif (monoteist) dhe nuk ishte idhujtar. Padyshim, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë atë të cilët e pasuan atë dhe ky Profet dhe ata të cilët i besuan, Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve}

Kur hebrenjtë pretenduan se Ibrahimi ishte hebre dhe të krishterët se ai ishte i krishterë, dhe debatuan për këtë çështje, Allahu i Madhëruar e hodhi poshtë këtë polemikë dhe debat nga tri këndvështrime:

I pari: Që debati i tyre për Ibrahimin është debat për një çështje për të cilën ata nuk kanë dije. Prandaj nuk kanë të drejtë të debatojnë apo të polemizojnë për diçka për të cilën janë të huaj. Ata debatuan për dispozitat e Teuratit dhe Inxhilit – qofshin të gabuar apo të saktë – ata nuk kanë argument për çështjen e Ibrahimit.

E dyta: Hebrenjtë i atribuohen ligjeve të Teuratit dhe të krishterët i atribuohen ligjeve të Inxhilit, por Teurati dhe Inxhili janë shpallur vetëm pas kohës së Ibrahimit. Si mund ta pretendojnë atëherë Ibrahimin si pjesë të tyre kur ai ka qenë para tyre, dhe më i hershëm se ata? A ka kjo ndonjë kuptim? Prandaj Allahu thotë:

{أفلا تعقلون}

{A nuk po kuptoni?} – që do të thotë: Sikur të mendonit me arsye, nuk do të thoshit diçka të tillë.

E treta: Allahu i Madhëruar e ka shpallur mikun e Tij Ibrahimin të pastër nga hebrenjtë, të krishterët dhe idhujtarët, dhe e ka bërë atë hanif dhe musliman. Ai ka caktuar se më të afërt me të janë ata që i besuan nga umeti i tij, dhe ky Profet, dhe ai është Muhamedi ﷺ dhe ata që besuan me të. Janë ata që e kanë ndjekur atë dhe janë më të afërt me të se të tjerët. Allahu është Mbrojtësi, Ndihmësi dhe Përkrahësi i tyre. Ndërsa ata që e hodhën pas krahëve fenë e tij, si hebrenjtë, të krishterët dhe idhujtarët – as ata nuk janë prej Ibrahimit dhe as ai nuk është prej tyre. Dhe nuk u bën dobi atyre vetëm pretendimi i zbrazët nga e vërteta.

Këto ajete përmbajnë ndalesën për të debatuar dhe polemizuar pa dije, dhe se kush flet në këtë mënyrë është si ai që flet për një çështje për të cilën nuk ka mundësi dhe nuk i lejohet ta bëjë. Gjithashtu, këtu ka një nxitje për të mësuar historinë, pasi ajo është një mënyrë për të hedhur poshtë shumë pretendime të rreme dhe pohime që bien ndesh me ato që dihen nga historia.

📚 Tefsir Es-Si’di

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: