Nga shkaqet e pranimit të duasë (lutjes) është kërkimi nga Allahu i Lartësuar përmes përmendjes së Rububijes së Tij, sepse Ai – i Pastër nga të metat është Ai– dëshiron nga robërit e Tij që ata ta pranojnë nevojën për Të dhe përuljen ndaj Tij.
Kështu, lutja e robit me fjalën: “Ja Rabb!” (O Zot!), është prej gjërave që Allahu i do dhe është i Kënaqur me to.
Ka thënë hafizi Ibnu Rexheb – Allahu e mëshiroftë – në fjalën e tij rreth shkaqeve të pranimit të duasë, ku ka përmendur ndër to:
“Përulja e vazhdueshme ndaj Allahut të Lartësuar përmes përsëritjes së përmendjes së Rububijes së Tij (ja rabb), dhe kjo është nga më madhështoret me të cilat kërkohet me to pranimi i duasë…”
Pastaj transmetoi nga Ebu Derda dhe Ibnu Abbãsi – Allahu qoftë i Kënaqur me ta – se ata thonin: Emri më i madh i Allahut është ‘Rab, Rab’.
Dhe nga Atai është transmetuar se ka thënë:
Nuk e thotë një rob: Ja Rab! Ja Rab! tri herë, veçse Allahu e shikon atë.
Kjo iu përmend Hasan el-Basrit, i cili tha:
A nuk lexoni Kur’anin? Dhe më pas recitoi fjalën e Allahut të Lartësuar:
{الَّذِينَ يَذْكُرُونَ اللَّهَ قِيَامًا وَقُعُودًا وَعَلَى جُنُوبِهِمْ وَيَتَفَكَّرُونَ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ رَبَّنَا مَا خَلَقْتَ هَذَا بَاطِلًا سُبْحَانَكَ فَقِنَا عَذَابَ النَّارِ.
رَبَّنَا إِنَّكَ مَنْ تُدْخِلِ النَّارَ فَقَدْ أَخْزَيْتَهُ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنْصَارٍ .
رَبَّنَا إِنَّنَا سَمِعْنَا مُنَادِيًا يُنَادِي لِلْإِيمَانِ أَنْ آَمِنُوا بِرَبِّكُمْ فَآَمَنَّا رَبَّنَا فَاغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَا وَكَفِّرْ عَنَّا سَيِّئَاتِنَا وَتَوَفَّنَا مَعَ الْأَبْرَارِ.
رَبَّنَا وَآَتِنَا مَا وَعَدْتَنَا عَلَى رُسُلِكَ وَلَا تُخْزِنَا يَوْمَ الْقِيَامَةِ إِنَّكَ لَا تُخْلِفُ الْمِيعَادَ}
{Ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, i Pastër je Ti nga çdo e metë! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.
O Zoti Ynë, cilindo që Ti e fut në zjarr, Ti e ke poshtëruar atë. Dhe për mohuesit nuk do të ketë kurrfarë ndihmuesi.
O Zoti Ynë! Ne dëgjuam një thirrës që na ftonte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” dhe kështu besuam. O Zoti Ynë! Na i fal gjynahet tona, na i shlyej gabimet dhe bëna që të vdesim me vepërmirët!
O Zoti Ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë!}
[Ali Imran: 191–194]
Kush i mediton lutjet e përmendura në Kur’an, do të gjejë se ato zakonisht fillojnë me Emrin “Rab” (Zot), siç është Fjala e Allahut:
{رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ}
{Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)!} [Bekare: 201]
Dhe Fjala e Tij:
{رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذۡنَاۤ إِن نَّسِینَاۤ أَوۡ أَخۡطَأۡنَاۚ رَبَّنَا وَلَا تَحۡمِلۡ عَلَیۡنَاۤ إِصۡرࣰا كَمَا حَمَلۡتَهُۥ عَلَى ٱلَّذِینَ مِن قَبۡلِنَاۚ رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلۡنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِۦۖ}
{Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim!} [Bekare: 286]
Si dhe Fjala e Tij:
{رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا}
{Zoti ynë! Mos i shmang zemrat tona pasi na ke udhëzuar.} [Ali Imran: 8]
Dhe shembuj të ngjashëm ka shumë në Kur’an.
Është pyetur imam Maliku dhe Sufjan Theuri për atë që thotë në dua: “Ja sejjidi”, dhe ata thanë:
A nuk thotë më mirë: ‘Ja Rabb’?
Dhe Maliku shtoi:
“Ashtu siç thanë pejgamberët në lutjet e tyre.” Përfundoi fjala e tij
📚 “Xhami’ul Ulum uel Hikem” (fq. 106–107)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema