Përkthimi i ajetit:
{Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin shejtanët kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por shejtanët ishin mohues. Ata ua mësonin njerëzve magjinë dhe njohurinë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni -Harutit e Marutit -. Këta engjëj nuk ua mësonin ndokujt magjinë, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju sprovuar, andaj ti mos u bëj mohues” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në botën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e tyre! Ah, sikur ta dinin!} [El-Bekare: 102]
Tregimi:
Na ka treguar me këtë er-Rebi’ bnu Sulejman, i cili tha: na ka treguar ibnu Uehb, i cili tha: na ka njoftuar ibnu Ebij ez-Zinad, i cili tha: më ka treguar Hisham bnu ‘Uruete, nga babai i tij, dhe ai nga ‘Aisheh -radij’Allahu anha- bashkëshortja e Pejgamberit -sal’Allahu alejhi ue sel’lem- se ajo ka thënë:
“Erdhi tek unë një grua nga banorët e ‘Deumetul Xhendel’*, dhe kërkonte të takohej me të Dërguarin e Allahut ﷺ pak kohë pas vdekjes së tij, që ta pyeste atë nëse i ishte bërë diçka prej magjisë dhe nuk kishte pasur ndikim tek ai.
Aishja -radij Allahu anha- i tha ‘Uruetu: o biri i motrës sime, e pashë atë duke qarë kur nuk e gjeti të Dërguarin e Allahut ﷺ që t’i jepte përgjigje rreth shqetësimit të saj. Qante, aq sa ndjeva keqardhje për të, ndërsa thoshte: kam frikë se mora fund! Kisha një bashkëshort, i cili u largua nga unë, shkova tek një grua e moshuar dhe u ankova tek ajo, ajo më tha: Nëse bën atë që do të them unë, atëherë do ta bëj atë që të vij tek ty!
Kur u afrua nata ajo erdhi tek unë me dy qenë të zinj, ajo hipi sipër njërit ndërsa unë i hipa tjetrit, nuk kaloi shumë kohë dhe mbërritëm në Babiloni (Irak), aty pamë dy burra (Haruti dhe Maruti) që qëndronin në ajër të varur prej këmbësh dhe më thanë:
Çfarë të ka detyruar të vish deri këtu?
U thashë: që të mësoj magjinë!
Thanë: ne jemi sprovë mos bej kufër, por kthehu.
Refuzova dhe u thashë: jo, nuk kthehem.
Më thanë: shko në atë furrë ku piqet buka dhe urino në të. Shkova u ndjeva e frikësuar dhe nuk e bëra, u ktheva tek ata.
Më thanë: a e bëre atë që të thamë?
U thashë: po.
Më thanë: A pe ndonjë gjë?
U thashë: nuk pashë gjë?
Më thanë: nuk e ke bërë atë që të thamë, kthehu tek vendi yt dhe mos bëj kufër, ndërsa unë refuzova.
Më thanë: shko tek ajo furra ku piqet buka dhe urino në të, shkova dhe u drodha nga frika, pastaj u ktheva tek ata dhe u thashë: e bëra.
Më thanë: Çfarë pe?
U thashë: nuk pashë gjë.
Më thanë: gënjeve, nuk e ke bërë, kthehu në vendin tënd dhe mos bëj kufër, kthehu sa nuk është vonë! Refuzova.
Më thanë: shko tek ajo furra ku piqet buka dhe urino në të.
Shkova dhe urinova, ndërkohë pashë një kalorës të maskuar me hekur, i cili doli prej meje, derisa u ngjit në qiell, dhe u largua nga unë saqë nuk e pashë më.
Shkova tek ata dhe u thashë: tashmë e bëra!
Më thanë: Çfarë pe?
I thashë: pashë një kalorës të maskuar që doli prej meje, dhe u ngjit në qiell, derisa nuk e pashë më.
Më thanë: the të vërtetën, ai ishte besimi yt që doli prej teje, largohu.
Ka thënë Ibnu Kethiri -rahimehullah- në lidhje me këtë tregim: “ka ardhur në lidhje me këtë një transmetim i çuditshëm, me një kontekst të habitshëm. Dëshirova që t’jua vë në pah…”, më pas tha pas transmetimit: “ky është me zinxhir të mirë nga ‘Aishja -radij’Allahu anha-“.
Ka thënë esh-shejkh Ahmed Shakir -rahimehullah- në fusnotë në Tefsirin e Ibnu Xherir-it -rahimehullah-: ky është një tregim i çuditshëm, nuk e dimë a i tha të vërtetën ajo grua ‘Aishes -radij’Allahu anha- apo jo? Sa i përket ‘Aishes nuk ka dyshim se ajo tha të vërtetën, në lidhje me atë që ajo grua i tregoi, ndërsa zinxhiri i transmetimit deri tek Aishja është i mirë, madje është sahih.
📚 “Tefsirut Tabarij” 2/440, Shtëpia botuese “er-Risaleh”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema
Shënim i përkthyesit:
* Deumetul Xhendel: vend në veri-lindje të Arabisë Saudite