Një tregim mjaft i çuditshëm ka ardhur në lidhje me komentimin e ajetit 103 të sures el-Bekareh!
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَٱتَّبَعُوا۟ مَا تَتۡلُوا۟ ٱلشَّیَـٰطِینُ عَلَىٰ مُلۡكِ سُلَیۡمَـٰنَۖ وَمَا كَفَرَ سُلَیۡمَـٰن وَلَـٰكِنَّ ٱلشَّیَـٰطِینَ كَفَرُوا۟ یُعَلِّمُونَ ٱلنَّاسَ ٱلسِّحۡرَ وَمَاۤ أُنزِلَ عَلَى ٱلۡمَلَكَیۡنِ بِبَابِلَ هَـٰرُوتَ وَمَـٰرُوتَۚ وَمَا یُعَلِّمَانِ مِنۡ أَحَدٍ حَتَّىٰ یَقُولَاۤ إِنَّمَا نَحۡنُ فِتۡنَةࣱ فَلَا تَكۡفُرۡۖ فَیَتَعَلَّمُونَ مِنۡهُمَا مَا یُفَرِّقُونَ بِهِۦ بَیۡنَ ٱلۡمَرۡءِ وَزَوۡجِهِۦۚ وَمَا هُم بِضَاۤرِّینَ بِهِۦ مِنۡ أَحَدٍ إِلَّا بِإِذۡنِ ٱللَّهِۚ وَیَتَعَلَّمُونَ مَا یَضُرُّهُمۡ وَلَا یَنفَعُهُمۡۚ وَلَقَدۡ عَلِمُوا۟ لَمَنِ ٱشۡتَرَاهُ مَا لَهُۥ فِی ٱلۡـَٔاخِرَةِ مِنۡ خَلَـٰقࣲۚ وَلَبِئۡسَ مَا شَرَوۡا۟ بِهِۦۤ أَنفُسَهُمۡۚ لَوۡ كَانُوا۟ یَعۡلَمُونَ
{Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin shejtanët kundër mbretërisë së Sulejmanit. Në fakt, Sulejmani nuk ishte mohues, por shejtanët ishin të tillë. Ata ua mësonin njerëzve magjinë dhe njohurinë që u ishte dërguar dy ëngjëjve në Babiloni, Harutit e Marutit. Sidoqoftë, dy ëngjëjt nuk ia mësonin ndokujt magjinë pa i thënë: Ne jemi dërguar thjesht për sprovë, prandaj ti mos u bëj mohues!
Rrjedhimisht, njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët (nëpërmjet magjisë); por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa Lejen e Allahut. Megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi, edhe pse e dinin se me të vërtetë, përvetësuesi i kësaj mjeshtërie nuk do të ketë asnjë të mirë në botën tjetër! Sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e tyre! Sikur ta dinin…!} [El-Bekareh: 102]
(Tregimi:)
Thotë Ibnu Xherir et-Taberij:
Na ka transmetuar Rabi ibnu Sulejmani nga Uehbi, i cili transmeton nga ibnu ebij Zinadi, i cili transmeton nga Hisham ibnu Uruete, i cili transmeton nga Uruete, i cili transmeton nga Aishja radijAllahu anha, e shoqja e Profetit ﷺ, se ajo ka thënë:
Erdhi tek unë një grua nga banorët e ‘Deumetul Xhendel’ dhe kërkonte të takohej me të Dërguarin e Allahut ﷺ, pak kohë pas vdekjes së tij, që ta pyeste nëse i ishte bërë diçka prej magjisë dhe nuk kishte pasur ndikim tek ai.
(Vazhdon Aishja duke i thënë Uruetes:)
O biri i motrës sime, e pashë atë duke qarë kur nuk e gjeti të Dërguarin e Allahut ﷺ që t’i jepte përgjigje rreth shqetësimit të saj. Qante vazhdimisht sa ndjeva keqardhje për të.
Tha (gruaja e ardhur): Kam frikë se mora fund! Kisha një bashkëshort i cili u largua nga unë. Për këtë arsye, vajta te një grua e moshuar që t’i ankohem asaj. Ajo më tha: Nëse bën atë që do të them unë, atëherë do ta bëj atë që të vijë te ty!
Kur u afrua nata, ajo erdhi tek unë me dy qen të zinj. Vetë hipi sipër njërit qen, ndërsa unë i hipa tjetrit. Nuk kaloi shumë kohë dhe mbërritëm në Babiloni (Irak). Aty pamë dy burra (Haruti dhe Maruti) që qëndronin në ajër të varur prej këmbësh. Ata më thanë:
Çfarë të ka detyruar të vish deri këtu?
U thashë: Që të mësoj magjinë!
Thanë: Ne jemi sprovë! Mos bëj kufër, por kthehu!
Refuzova dhe u thashë: Jo, nuk kthehem.
Më thanë: Shko në atë furrë ku piqet buka dhe urino në të.
Unë vajta, por u ndjeva e frikësuar dhe nuk urinova. U ktheva tek ata dhe më thanë:
A e bëre atë që të thamë?
U thashë: Po.
Më thanë: A pe ndonjë gjë?
U thashë: Nuk pashë gjë.
Më thanë: Nuk e ke bërë atë që të thamë. Kthehu te vendi yt dhe mos bëj kufër.
Unë refuzova.
Më thanë: Shko tek ajo furra ku piqet buka dhe urino në të. Vajta, u drodha nga frika dhe pastaj u ktheva tek ata duke u thënë:
Urinova.
Më thanë: Çfarë pe?
U thashë: Nuk pashë gjë.
Më thanë: Gënjeve! Nuk ke urinuar. Kthehu në vendin tënd dhe mos bëj kufër! Kthehu sa nuk është vonë!
Refuzova.
Më thanë: Shko tek ajo furra ku piqet buka dhe urino në të.
Vajta dhe urinova. Ndërkohë, pashë një kalorës të maskuar me hekur, i cili doli prej meje, u ngjit në qiell dhe u largua nga unë. Kësisoj, nuk e pashë më.
Vajta tek ata dhe u thashë: Tashmë e bëra!
Më thanë: Çfarë pe?
I thashë: Pashë një kalorës të maskuar që doli prej meje, u ngjit në qiell dhe nuk e pashë dot më.
Më thanë: The të vërtetën. Ai ishte besimi yt që doli prej teje! Largohu.
Ka thënë Ibnu Kethiri, rahimehullah, në lidhje me këtë tregim: Ka ardhur në lidhje me këtë një transmetim i çuditshëm dhe me një kontekst të habitshëm. Dëshirova që t’jua vë në pah…”
Më pas, tha pas transmetimit: Ky është me zinxhir të mirë nga ‘Aishja -radij’Allahu anha-.
Ka thënë shejkh Ahmed Shakir, rahimehullah, në një prej shënimeve në Tefsirin e Ibnu Xheririt -rahimehullah-:
Ky është një tregim i çuditshëm. Nuk e dimë a i tha të vërtetën ajo grua ‘Aishes -radij’Allahu anha- apo jo. Sa i përket ‘Aishes, nuk ka dyshim se ajo thotë të vërtetën në lidhje me atë që ajo grua i tregoi. Zinxhiri i transmetimit deri tek Aishja është i mirë, madje është sahih.
📚 “Tefsirut Tabarij” (2/440). Shtëpia botuese “Muesesetu er-Risaleh”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema
Shënim i përkthyesit:
Deumetul Xhendel është një vend në verilindje të Arabisë Saudite.