Loading

Tefsiri i Ajetit:

{يَوْمَ يَقُومُ الرُّوحُ وَالْمَلائِكَةُ صَفًّا لَا يَتَكَلَّمُونَ}

{Ditën kur shpirti dhe engjëjt të radhiten në rresht dhe askush nuk do të flasë} [en-Nebe: 38]

Komentuesit e Kur’anit nuk kanë rënë në konsensus në lidhje me atë që është për qëllim me {shpirtin} në këtë ajet se çfarë është ai. Ata janë ndarë në disa mendime:

Njëri prej tyre: El-‘Aufij ka transmetuar nga Ibnu Abbaas -radij’Allahu anhuma- se: ato janë shpirtrat e bijve të Ademit (njerëzve).

Mendimi i dytë: se ata janë bijtë e Ademit (njerëzit). Këtë e ka thënë El-Hasen (el-Basrij) dhe Katadeh.

Mendimi i tretë: se ato janë krijesa prej krijesave të Allahut, në pamjen e bijve të Ademit, nuk janë as engjëj dhe as njerëz, ndërkohë ata hanë dhe pinë, këtë e ka thënë Ibnu Abbaas, Muxhahid, Ebu Salih dhe el-E’Amesh.

Mendimi i katërt është se: Ai është Xhibrili, e ka thënë këtë: Esh-Sha’bij, Se’id bnu Xhebejr dhe ed-Dahak:

E përforcon këtë mendim, Fjala e Tij:

{نزلَ بِهِ الرُّوحُ الأمِينُ عَلَى قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنَ الْمُنْذِرِينَ}

{E zbriti atë (Kur’anin) Shpirti i Besueshëm në zemrën tënde që të jesh prej atyre që paralajmërojnë} [esh-Shuara: 193-194]

Ka thënë el-Mukatil bnu Hajjan se: Shpirti është engjëlli më i nderuar, më i afërt tek Zoti -azze ue xhel’le-, ai që ka zbritur shpalljen.

Mendimi i pestë: se ai është Kur’ani, ka thënë Ibnu Zejd, kjo është si Fjala e Tij:

{وَكَذَلِكَ أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ رُوحًا مِنْ أَمْرِنَا} [الشورى: ٥٢]

{Gjithashtu ne të shpallëm ty shpirtin (Kur’anin) prej Urdhërit tonë}

Mendimi i gjashtë: se ai është një engjëll prej engjëjve që i përfshin të gjitha krijesat.

Ka thënë Alij bni Ebij Talhah nga Ibnu Abbaas -radij’Allahu anhuma- se Fjala e Tij:

{يوم يقوم الروح}

Tha: ai (shpirti) është një engjëll madhështor prej engjëjve më të mëdhenj të krijuar.

Ka thënë Ibnu Xherir, më ka treguar Muhamed bnu Khalef el-Askalanij, i cili tha: na ka treguar Reuad bnul Xher’rah nga Ebu Hamzate nga Esh-Sha’bij, nga Alkamete nga Ibnu Mes’ud -radij’Allahu anhu- se ka thënë: shpirti: në qiellin e katërt është më i madh sesa qiejt, toka dhe engjëjt, çdo ditë thotë 12 mijë herë: “SubhanAllah”, dhe në çdo thënie “SubhanAllah” Allahu krijon një engjëj prej engjëjve, të cilët vijnë Ditën e Kiametit në një resht të vetëm.

(Tha ibnu Kethir): ky hadith është shumë i çuditshëm.

Ka thënë et-Tabaranij -rahimehullah-:

Na ka treguar Muhamed bnu Abdullah bnu Urs el-Misrij, i cili tha: na ka treguar Uehb, i cili tha: na ka treguar el-Euza’ij, i cili tha: na ka treguar ‘Ata’u nga Abdullah bnu Abbaas -radij’Allahu anhuma- se ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut -sal’lAllahu alejhi ue sel’lem- të thotë:

“Me të vërtetë Allahu ka engjëll që nëse i thotë: gllabëroji shtatë qiejt dhe tokat me një gllabërim të vetëm do ta kishte bërë atë”.

Ky është hadith shumë i çuditshëm, dhe nuk e dihet nëse e ka thënë Pejgamberi -sal’lAllahu alejhi ue sel’lem- ndoshta është thjesht e Ibnu Abbaas-it, që ndoshta e ka marrë nga israilijatet. Dhe Allahu e di më së miri.

📚 (تفسير ابن كثير” (٨ /٣٠٩-٣١٠”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: