Hafiz Ibnu Rexheb el-Hanbelī rahimehullah:
Nga hadithi i Profetit ﷺ: «Veprat e mira i fshijnë të këqijat» kuptohet se veprat e mira i fshijnë të këqijat.
I kemi përmendur më parë transmetimet në lidhje me të, pra, se veprat e mira, nëse vijnë pas të këqijave, i fshijnë ato nga librat e engjëjve.
Ka thënë ‘Atijeh el-‘Aufij:
“Jam njoftuar se ai që qan për shkak të gabimit që ka bërë, atëherë fshihet prej tij (prej llogarisë) dhe i shkruhet si vepër e mirë.”
Transmetohet nga Abdullah ibnu Amër se ka thënë: “Kush e kujton një gabim që ka bërë dhe zemra e tij mbushet me frikë e kërkon falje prej Allahut azze ue xhel’le, nuk ka gjë që e pengon atë derisa ia fshin i Gjithëmëshirshmi.”
Ka thënë Bishër ibnul Harith:
Jam njoftuar se el-Fudejl ibnu ‘Ijjaad ka thënë: “Qarja gjatë ditës i fshin gjynahet e bëra haptazi, ndërsa qarja gjatë natës i fshin gjynahet e bëra në fshehtësi.”
Kjo na kujton fjalën e Profetit ﷺ:
«A t’ju tregoj për atë me të cilën Allahu i fshin gabimet dhe i ngre gradat?» [Pjesë hadithi.]
Sidoqoftë, kanë thënë një grup dijetarësh se gynahet nuk fshihen nga librat e veprave, as me teubeh (pendim) dhe as me ndonjë gjë tjetër, por patjetër vepruesi i tyre do të përballet me to dhe do t’i lexojë Ditën e Kijametit; dhe për këtë janë argumentuar me Fjalën e Tij të Lartësuarit:
وَوُضِعَ الْكِتَابُ فَتَرَى الْمُجْرِمِينَ مُشْفِقِينَ مِمَّا فِيهِ وَيَقُولُونَ يَا وَيْلَتَنَا مَالِ هَٰذَا الْكِتَابِ لَا يُغَادِرُ صَغِيرَةً وَلَا كَبِيرَةً إِلَّا أَحْصَاهَا ۚ وَوَجَدُوا مَا عَمِلُوا حَاضِرًا ۗ وَلَا يَظْلِمُ رَبُّكَ أَحَدًا
{Vihet libri (i veprave) e i sheh kriminelët të frikësuar nga shënimet në të dhe duke thënë: “Të mjerët ne! Ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?!”} [el-Kehf: 49]
Në argumentimin me këtë ajet ka vërejtje, sepse aty është përmendur gjendja e kriminelëve, vepruesit e krimeve dhe gjynaheve të mëdha; dhe nuk hyjnë te ky ajet besimtarët që janë penduar prej gjynaheve ose besimtarët të cilëve u janë fshirë gjynahet me vepra e mira.
Ajo që është më e drejtë në këtë argumentim është Fjala e Tij:
{فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ – وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ}
{Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. Dhe kush ka bërë ndonjë keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.} [Ez-Zelzeletu: 7-8]
Disa komentues të Kur’anit kanë thënë: “Ky është mendimi më i saktë te hulumtuesit.”
Është transmetuar se ky është mendimi i El-Hasen el-Basrit dhe Bilal ibnu Sa’ad ed-Dimeshkit.
El-Hasen (el-Basrij) rahimehullah ka thënë:
“Robi bën gjynah, më pas pendohet, kërkon falje dhe i falen gjynahet, por nuk i fshihen prej librit të tij pa u përballur me to dhe pa u pyetur për to.”
Më pas El-Hasen qau me ngashërim dhe tha: Edhe nëse nuk do të qanim për shkak të turpit prej asaj gjendjeje, do të duhej të qanim!”
Ka thënë Bilal ibnu Sa’ad rahimehullah:
“Me të vërtetë, Allahu i fal gjynahet, por nuk i fshin ato nga libri i tij derisa ai të përballet me to Ditën e Kjiametit, qoftë edhe nëse është penduar.”
Ka thënë Ebu Hurejrete radij’Allahu anhu:
“Allahu, Ditën e Kijametit, e afron pranë vetes robin e Tij, e mbulon me Hijen e Tij, e fsheh nga të gjitha krijesat dhe i nxjerr përpara librin e tij në këtë mbulesë. I thotë (kuptimi shqip i Fjalës së Allahut): “Lexoje librin tënd, o biri i Ademit!”
Ai e lexon dhe, kur kalon te veprat e mira, i zbardhet fytyra për shkak të tyre dhe i bëhet zemra mal.
Allahu i thotë: A e di këtë, o robi Im?
I thotë: Po.
Allahu i thotë: Unë i pranova ato prej teje.
Dhe ai bie në sexhde.
Allahu i thotë: Ngrije kokën dhe ktheju librit tënd përsëri!
Ai kalon te veprat e këqija, i nxihet fytyra për shkak të tyre, i mbushet zemra me frikë, dridhet prej tyre dhe turpërohet prej Zotit të tij; dhe askush tjetër pëveç Tij nuk e di.
I thotë: A e di, o robi Im?
I thotë: Po, o Zot.
Allahu i thotë: Unë t’i kam falur!
Ai bie në sexhde dhe krijesat nuk shohin prej tij vetëm se sexhden. I thonë njëri-tjetrit: Lum ky rob që nuk e ka kundërshtuar fare Allahun!
Por ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në mes tij dhe Zotit të tij!!!”
📚 جامع العلوم والحكم” (١ /٤٥٢-٤٥٣)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema