Nxënësi i tij, el-alameh Muhamed Emān el-Xhamij rahimehullah, në komentet e tij mbi librin “Sherhul Akidetil Uasitijeh” thotë:
Ishte dijetar ez’herī selefī, i diplomuar në Ez’her. U specializua në filozofi dhe logjikë. E armiqësoi Shejkhun e Islamit me një armiqësi si ajo e Umerit radijAllahu anhu ndaj Islamit në fillim të tij. Shejkh Muhamed Khalil Har’rāsi , shpjeguesi i kësaj broshure, ishte prej atyre që e armiqësuan Ibnu Tejmijen; dhe kjo kur mësoi se ky i fundit ishte armik i filozofisë dhe logjikës.Vetë ishte specialist në filozofi dhe logjikë, ndaj vendosi -siç e kanë përmendur disa njerëz- që ese-në e doktoraturës ta shkruante si refuzim ndaj Shejkhul Islam Ibnu Tejmijes, i cili iu kundërvu filozofisë, logjikës dhe skolastikës.
(Vazhdon shejkh Muhamed Emān el-Xhamī:)
Shejkh Muhamed Khalil Har’rāsi ishte mësuesi ynë dhe këtë histori na e ka treguar personalisht: mblodhi në Kajro çfarë i zuri dora prej librave të Shejkhul Islam Ibnu Tejmijes, për t’i studiuar e më pas për ta refuzuar. Iu përkushtua studimit të këtyre librave afro tre muaj dhe, siç thotë vetë shejkh Muhamed Khalil Har’rāsi – shpjeguesi i “el-Uasitije”-s, pasi studioi afro tre muaj ç’pati mundësi prej librave të Shejkhul Islamit, iu bë i qartë ky fakt: vetëm duke studiuar ato libra arriti ta kuptojë tamam Islamin!!! Ndonëse kish kaluar një kohë të gjatë me studime të shumta, duke kryer arsimin fillor, arsimin paragjimnazor, gjimnazin, universitetin, madje duke arritur deri në gradën e shkrimit të ese-së së doktoraturës, prapëseprapë u desh pikërisht ajo periudhë për t’iu bërë e qartë se para studimit të këtyre librave nuk e kishte kuptuar Islamin me një kuptim saktë!!! Kështu Allahu e udhëzoi atë njeri që donte të luftonte Shejkhun e Islamit, madje arriti deri aty sa ese-në e tij të doktoraturës e shkroi me këtë titull: “Selefiu Ibnu Tejmijeh!” Ky ishte titulli i ese-së pasi Allahu e udhëzoi. Ky pra është Muhamed Khalil Har’rāsi, shpjeguesi i “Sherhul Akidetil Uasitijeh”. [Mbaroi fjala e tij.]
Përktheu: Abdur-Rahman Mema