Loading

Pyetësi thotë: si është sunneti kur sheh ëndrra shqetësuese?

U përgjigj shejkhu, el-al’lāmeh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah-:

Rregulli në lidhje me ëndrrat është ai që na ka udhëzuar për të Pejgamberi ﷺ se kush sheh diçka që e gëzon atë, ia tregon atë atij që e do dhe jo atij që nuk e do, që të mos thurrin ndonjë kurth kundër teje, ashtu siç bënë vëllezërit e Jusufit -alejhis selaam- me Jusufin.

Ama nëse sheh diçka që e urren, atëherë ai çohet pështyn tre herë në krahun e majtë dhe thotë:

“Allahumme innij eudhu bike min sherrish shejtan, ue min sherri ma ra’ejtu”

“O Allah, kërkojë mbrojtje tek Ty nga sherri i shejtanit dhe nga sherri i asaj që pashë”

Më pas kthehet në krahun tjetër dhe nuk ia tregon askujt atë ëndërr, atëherë ajo nuk e dëmton atë.

Këto janë katër gjëra që duhen bërë:

– Të pështyrit në krahun e majtë
– Kërkimi i mbrojtjes nga Allahu prej sherrit të shejtanit të mallkuar dhe prej sherrit të asaj që ka parë
– kthimi në krahun tjetër
– Dhe të mos i tregojë askujt për të;

sepse nëse i tregon dikujt dhe ai e komenton atë, dmth: e shpjegon atë atëherë ajo ndodh, e nëse ëndrra nuk shpjegohet atëherë ajo nuk ndodh, përveç se me lejen e Allahut, nëse e komenton ndodh, e unë kam frikë se mos dikush nga njerëzit e komenton atë në një këndvështrim të gabuar dhe ndodh.

Sahabët -radij’Allahu anhum- kanë thënë: “Shihnim ëndrra dhe sëmureshin disa ditë” prej ndikimit të fortë të tyre mbi ta, kur Pejgamberi ﷺ u tregoi këtë hadith dhe i përmendi atyre këtë ilaç u rehatuan.

Dhe nëse njeriu shihte diçka që e urrente vepronte me atë që kishte këshilluar Pejgamberi ﷺ dhe u rehatonte.

Dhe duhet ditur se shejtani i shfaqet njeriut ndërsa ai është në gjumë me atë që ai e urren dhe i flet me atë që urren, me qëllim që të fusë mërzi tek ai, sepse shejtani ka qejf që të fusë mërzi dhe trishtim te njeriu e të mos e gëzojë me asgjë, sepse ai është armik.

Ka thënë i Lartësuari:

{إِنَّ ٱلشَّیۡطَـٰنَ لَكُمۡ عَدُوࣱّ فَٱتَّخِذُوهُ عَدُوًّاۚ إِنَّمَا یَدۡعُوا۟ حِزۡبَهُۥ لِیَكُونُوا۟ مِنۡ أَصۡحَـٰبِ ٱلسَّعِیرِ}

{Me të vërtetë shejtani për ju është armik dhe konsiderojeni atë si armik, ai i fton pasuesit e tij që të jenë prej banorëve të zjarrit të përflakur} [Fatir: 6]

Për shkak se ai është armik, e do atë që e dëmton bijtë e Ademit dhe e urren atë që e gëzon atë, ai ka mundësi që t’i shfaqet njeriut në ëndërr me atë që ai e urren derisa ta trishtojë, porse elhamdulil-lah që Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur sëmundjen përveçse ka sjellë për të edhe shërimin.

Shërimi në lidhje me ëndrrën e urryer është ajo që përmenda më parë: që të ngrihet të pështyjë në të majtën e tij tre herë dhe të thotë: “Eudhu bilahi min sherrish shejtan, ue min sherri ma ra’ejtu”.

Më pas kthehet në krahun tjetër dhe të mos i tregojë askujt.

📚 سلسلة فتاوى لقاء الباب المفتوح” (٩ /١٥)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: