Loading

Kështu që o besimtar vepro atë që të takon, në përputhje me Sheriatin dhe kërkoji Allahut të ta pranojë. Mos e tejkalo Sheriatin e Allahut dhe ruhu nga ata që zbukurojnë të kotën!

Mos ndërhy në atë gjë të cilën Allahu ua ka dhënë të tjerëve, siç janë dijetarët dhe udhëheqësit; mos e kundërshto atë që Ai ua ka dhënë atyre; vërtet, ajo është çështje e Zotit tënd. Lute Allahun që t’i udhëzojë në kryerjen e vepra të mira dhe të dobishme.

Ruaje zemrën nga mendimi i keq për të tjerët dhe ruaje gjuhën nga sharja e të tjerëve! Dije se musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të qetë.

Mos të të bëjnë neglizhent të devijuarit, duke shfrytëzuar emocionet e tua, e të të shpien drejt metodologjive që bien ndesh me Sheriatin, prej të cilave janë edhe metodologjitë e sharjes së dijetarëve dhe udhëheqësve.

Dije se do dalësh para Allahut dhe do merresh në llogari për atë që ke thënë; dhe çdo hasëm do marrë të drejtën nga hasmi i tij.

Dije se realiteti i besimit bëhet i qartë kur çështjet vijnë në kundërshtim me atë që njeriu dëshiron për shkak të emocioneve dhe jo vetëm. Pikërisht aty dallohet ai që pason tekat, nga ai që ia hap gjoksin bindjes ndaj Zotit të tij.

Shkroi: shejkh Sulejman Er-Ruhejli

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: