Pyetje drejtuar shejkh Muhamed ibnu Hadī el-Medkhalī hafidhahullah:
Disa thonë se Imam Muhamed ibnu Abdul-Uehhabi është rebeluar kundër Perandorisë Osmane. Cila është kundërpërgjigjja juaj ndaj kësaj thënieje?
Shejkhu:
Kjo është gënjeshtër, që njihet me anë të historisë, ashtu siç thamë pak më parë. Kur transmetuesit përdorën gënjeshtrën, ne përdorëm kundër tyre datën.
Perandoria Osmane nuk ka pasur pushtet në vendet e Nexhdit, por ato vende kanë qenë principata, qytete të ndara të cilat xhelozonin me njëri-tjetrin, vrisnin njëri-tjetrin, i merrnin plaçkën e luftës njëri-tjetrit e kështu me radhë. Një pjesë e madhe e tyre ishte e zhytur në injorancë rreth fesë së Allahut dhe i bënin shirk Atij subhanehu ue te’ala.
Perandoria Osmane nuk kishte interesa në vendet e Nexhdit dhe rrjedhimisht e la këtë të fundit.
U ngrit imami rahimehullah te’ala, kur pa atë që pa prej vendeve të Nexhdit dhe njerëzve të tij, për të thirrur për tek Allahu tebareke ue te’la. Dhe pas një periudhe prej fillimit të davetit, Allahu ia lehtësoi këtë të fundit, me ndihmën që imami Muhamed ibnu Sa’ud i dha Muhamed ibnu AbdulUehhabit. Allahu i mëshiroftë të gjithë!
Dhe ata nuk luftuan askënd të parët, ashtu siç e kanë përmendur Shejkhul Islami rahimehullah, nxënësit e tij dhe imamët e El Sa’ud-ëve në atë kohë. Allahu i mëshiroftë të gjithë! Ata nuk luftuan askënd të parët. Nuk ishin ata që nisën luftën.
Ama kur i sulmuan, luftuan që të mbrojnë vetet dhe gjërat e tyre të shenjta. Njerëzit e së kotës dhe ata të cilët i ngarkoi Perandoria Osmane në krahinën e Ahsasë, deshën të luftojnë shejkhun; gjithashtu, deshën të luftojnë edhe princin që i erdhi në ndihmë. Sidoqoftë, që të dy i ndihmoi Allahu xhel’le ue azze, sepse të dy morën përsipër përkrahjen e fesë së Tij dhe thirrjen për veçimin e Allahut, në adhurim: shejkhu, me dije dhe sqarim, ndërsa imami me shpatë dhe shtizë, duke sakrifikuar bijtë e tij në këtë rrugë. E kështu, Allahu xhel’le ue ‘ala u dha fitore. Kur Perandoria Osmane ngarkoi një udhëheqës të saj kundër Ahsasë dhe mobilizoi ushtrinë për t’i luftuar, ata luftuan për të mbrojtur vetet dhe gjërat e tyre të shenjta.
Vendet e Nexhdit nuk kanë qenë nën pushtetin e osmanëve, ndaj nuk themi dot se imam Muhamed ibnu AbdulUehhabi u doli kundër. Subhan Allah! Si mund të konsiderohet kharixhij Muhamed ibnu AbdulUehhabi rahmetullahi alejhi – ky imam i nderuar dhe i respektuar?! Ja ku janë shkrimet e tij madhështore! Të gjitha orientojnë për dëgjimin dhe bindjen ndaj prijësve dhe thërrasin për zbatimin e urdhrave të tyre dhe nënshtrimin ndaj udhëzimeve të tyre. Si mund të thuhet kjo për të rahimehullahu te’ala?! Ja ku janë librat e tij që dëshmojnë për fjalën e tij të qartë, me të cilën refuzohet ajo që thonë. Po atij që e ka verbuar teka nuk kemi ç’t’i bëjmë. Lusim Allahun për ruajtje dhe shpëtim!
🔊 “ندوة بعنوان: “منازعة ولي الأمر مفهومها وصورها
Përktheu: Abdur-Rahman Mema