Përcjell El Khatib në “Tarikh Bagdad” (12/354) nga Ahmed ibnu Mensur Er Ramadij:
U nisa me Ahmed ibnu Hanbelin dhe Jahja ibni Ma’inin për te AbduRezzaku. Kur u kthyem në Kufeh, Jahja ibnu Ma’ini i tha Ahmed ibnu Hanbelit: Dua t’i bëj provim Ebu Nuajmit.
Ahmedi e ndaloi, mirëpo ai nuk e dëgjoi, kapi një letër, shkroi në të 30 hadithe prej haditheve të Ebu Nuajmit, dhe në krye të çdo dhjetë haditheve ndërfuti nga një hadith që nuk ishte prej haditheve të tij (prej atyre të transmetuara nga Ebu Nuajmi).
Shkuam tek Ebu Nuajmi. Ai doli, u ul në derën e dyqanit të këpucëve. Ahmedin e uli në të djathtën e vet, Jahjan në të majtën, ndërsa unë u ula më poshtë.
Jahja i lexoi 10 hadithe, dhe ai rrinte i heshtur. Më pas lexoi hadithin e 11-të.
Ebu Nuajmi tha: “Nuk është ky prej hadithit tim. Fshije.”
Më pas i lexoi dhjetëshen e dytë, dhe lexoi hadithin e dytë të ndërfutur.
Ai tha: “Edhe ky nuk është prej hadithit tim. Fshije.”
Më pas lexoi dhjetëshen e tretë, dhe lexoi hadithin e tretë të ndërfutur.
Aty Ebu Nuajmit i ndryshoi fytyra! E kapi Ahmedin për krahu dhe tha: Sa për Ahmedin, them: Frika e tij ndaj Allahut e ndalon që ta bëjë këtë gjë!
Pastaj bëri me shenjë nga unë, dhe tha: Kurse ky është më i vogël sesa ta bëjë këtë! Kështu që (o Jahja!) këtë e ke bërë ti!!! Ti e ke bërë!!!
Nxorri këmbën, e shtyu Jahjan me këmbë dhe e nxorri nga dyqani.
Pastaj u ngrit dhe u fut në shtëpi.
Ahmedi i tha Jahjas: A nuk të ndalova nga kjo?! A nuk të thashë se është ekspert dhe i besueshëm?!
Jahja i tha: Ky shkelm është më i dashur tek unë sesa udhëtimi im (në kërkim të hadithit).
Përktheu: Abdur-Rahman Mema