Loading

Imam Ibnu Kajjim el-Xheuzijeh rahimehullah:

Lutjes i duhet bashkëngjitur përkushtimi me gjithë zemër dhe me gjithë qënien në atë që kërkon. Gjithashtu, kjo duhet të përkojë me një kohë prej kohëve të pranimit të lutjes. Ato janë:

1- E treta e fundit e natës;

2- Koha gjatë Ezanit;

3- Koha mes Ezanit dhe Ikametit;

4- Koha para selāmit në pesë namazet farz;

5- Koha gjatë ngjitjes së Imamit në minber, ditën e Xhum’ah, derisa të përfundojë namazi i asaj dite;

6- Ora e fundit e kohës së Ikindisë (ditën e Xhum’ah).

Nëse krahas këtyre (që përmendëm) lutja përkon edhe me

🔘 nënshtrimin në zemër,

🔘 dorëzimin përpara Allahut,

🔘 përuljen ndaj Tij, me modestinë dhe butësinë;

🔘 drejtimin e lutësit nga kiblah,

🔘 të qenurit me abdes,

🔘 ngritjen e duarve drejt Allahut,

🔘 nisjen me Elhamdulilah dhe lartësimin e Tij;

🔘 më pas, me përshëndetjen e Muhamedit, robit dhe të Dërguarit të Tij ﷺ,

🔘 me paraprirjen me pendim dhe kërkim faljeje para (përmendjes së) nevojës që ai ka,

🔘me këmbënguljen në atë çështje,

🔘 me lutjen ndaj Allahut me Emrat, Cilësitë dhe veçimin e Tij në adhurim,

🔘 dhe me paraprirjen e kësaj lutjeje me lëmoshë, atëherë pa dyshim që kjo lutje nuk ka kurrë mundësi të refuzohet, sidomos kur përkon me lutjet për të cilat Profeti ﷺ na ka treguar se kanë të ngjarë të pranohen apo përkon me ato që përmbajnë Emrin më të Madh*.

📚 الداء والدواء (١٦)


Shënim i përkthyesit.

  • Dijetarët kanë pasur mospërputhje mendimesh sa i përket Emrit më të Madh, rrjedhimisht janë ndarë në katërmbëdhjetë mendime. Disa prej tyre kanë thënë që është “el-Hajj el-Kajjum”, të tjerë kanë thënë për “er-Rahman, er-Rahim”. Ka edhe të tjera mendime. Mendimi më i saktë është që lutësi të thotë: “Allahumme!”, pra, të thotë: “O Allah!”

 
Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: