Pyetje drejtuar dijetarit al’lameh AbdulAzijz ibnu Baz rahimehullah
Pyetësi me inicialet (m.m) nga Ebu D’habi thotë:
Po ju shkruaj për një mesele e cila më mundon natë e ditë… Unë u dashurova me një vajzë që punon me mua në të njëjtin vend dhe po ashtu ajo u dashurua me mua. Ramë dokord për martesë, mirëpo përpara martesës shejtani luajti me ne dhe rrjedhimisht bëmë një vepër që është në kundërshtim me Fenë Islame. Pasi udhëtova në një vend të largët, u ktheva, i kërkova dorën dhe u martova me të; elhamdulilah! Ne tani jemi të lumtur, mirëpo duam nga ju që të na tregoni për diçka me të cilën të shlyejmë atë që bëmë; gjithashtu, duam të dimë nëse ndikon kjo gjë e kaluar në martesën tonë. Ju lutemi na ndihmoni. Allahu ju bëftë dobi!
Përgjigje:
Bismilahir Rahmanir Rahim. Lavdërimi i takon Allahut. Lavdet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, profetin, imamin dhe zotërinë tonë, si dhe mbi familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e tij në të mira!
Dhe më pas themi:
Nuk ka dyshim që kontakti i burrit me gruan para martesës është një çështje e ndaluar! Ai nuk duhet që të kontaktojë me të me puthje, me prekje apo me ndonjë gjë tjetër! As ajo nuk duhet të kontaktojë me të! Ai nuk duhet ta shohë auretin e saj dhe as ajo nuk duhet ta shohë atë.
Ka thënë Allahu -azze ue xhel’le-:
{قُلْ لِلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْ ذَلِكَ أَزْكَى لَهُمْ إِنَّ اللهَ خَبِيرٌ بِمَا يَصْنَعُونَ * وَقُلْ لِلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ} [النور:30-31] الآية.
{Thuaju besimtarëve që t’i ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë organet e tyre intime (nga marrëdhëniet e paligjshme)! Ajo është më e pastër për ta. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithtëditur për atë që ata veprojnë. Dhe thuaju besimtareve t’i ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë organet e tyre intime!}
[en-Nur: 30-31]
Dhe ka thënë azze ue xhel’le:
{وَإِذَا سَأَلْتُمُوهُنَّ مَتَاعًا فَاسْأَلُوهُنَّ مِنْ وَرَاءِ حِجَابٍ ذَلِكُمْ أَطْهَرُ لِقُلُوبِكُمْ وَقُلُوبِهِنَّ} [الأحزاب:53] الآية.
{Dhe kur të kërkoni prej tyre diçka, kërkouani pas perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre.} [el-Ahzab: 53]
Ajo që ju bëtë më herët është munker dhe bie detyrë mbi ju që të pendoheni tek Allahu për lidhjen dhe marrëdheniet që keni pasur. Pendimi i shlyen mëkatet e shkuara, me kusht ama që të pendoheni që të dy me një pendim të sinqertë për atë që ka kaluar dhe krahas kësaj, të bëni nijetin për të mos e përsëritur më atë gjë. Me këtë gjë Allahu i shlyen ato që kanë kaluar, madje edhe kufër po të jetë: nëse kafiri pendohet dhe pranon Islamin, atëherë Allahu ia pranon pendimin. E njëjta gjë vlen edhe për gjynahet: nëse muslimani pendohet për atë që ka kaluar, largohet dhe ruhet prej tyre si madhërim për Allahun subhanehu dhe si ruajtje nga Dënimi i Tij dhe bën nijet të sinqertë që të mos e përsërisë më, atëherë Allahu ia pranon pendimin.
Nëse gjynahu ka lidhje me të drejtën e muslimanit në pasurinë e tij, gjakun e tij dhe nderin e tij, atëherë i kërkon hallallëkun atij për padrejtësinë dhe ia kthen hakun e vet.
Në mënyrë të përmbledhur themi:
Ti dhe gruaja duhet të pendoheni për atë që ka kaluar dhe rrjedhimisht pendimi i shlyen ato. Duhet t’ju vijë keq për atë që keni bërë në të shkuarën, s’duhet të ktheheni më tek ajo që jua ka ndaluar Allahu dhe duhet të bëni nijet të sinqertë që të mos i ktheheni më kësaj vepre.
Sa i takon nikahut, ai nuk ndikohet nga ajo që ka kaluar: nikahu është në rregull nëse plotësohen kushtet e tij. Lusim Allahun që ta bëjë atë një nikah të begatë! Gjithë lavdet i takojnë Allahut për ruajtjen nga shkaqet që e zemërojnë Atë azze ue xhel’le.
Kjo që keni bërë është si pasojë e përzierjes: me të vërtetë, prania e gruas me burrin në një zyrë është prej shkaqeve të rënies në zina, dhe për këtë arsye dijetarët kanë theksuar që ndalohet që gruaja të punojë me burrin në një zyrë apo në një punë ku i krijohet mundësia të jetë vetëm për vetëm me të, ta shohë atë dhe të shohë atë që Allahu ia ka ndaluar asaj.
Shikimi i saj ndaj tij me shikim të epshit dhe fitnes është prej gjërave të ndaluara. Ajo që bie detyrë është që të ruhet prej saj (punës) dhe ta lërë. Gruaja ka punë që bëhen bashkë me motrat e saj dhe me gjininë e saj, ndërsa burri ka punë me vëllezërit e tij dhe gjininë e tij. Ama përzierja dhe lënia e tyre në një zyrë dhe në një punë çon në një të keqe dhe shthurje të madhe. Është detyrë ruajtja nga kjo. Gjithashtu, punët si sekretare të zyrtarit, drejtorit, mjekut e të ngjashëm janë totalisht çështje të këqija dhe harame që shpien në shthurje, zina dhe fahisheh. Është detyrë ruajtja nga kjo. Është detyrë mbi udhëheqësit e muslimanëve që të tregojnë kujdes ndaj këtyre gjërave të këqija dhe t’i ndajnë gratë nga burrat: sekretari duhet të jetë për burrat ndërsa për gratë të jetë grua. Mjekja duhet të jetë me gratë dhe po ashtu infermierja, ndërsa infermieri dhe mjeku duhet të jenë me burrat.
Qëllimi është largimi i grave nga burrat dhe burrave nga gratë dhe ruajtja nga afrimi i njërit me tjetrin, sidomos në ato punë në të cilat ka kontakt dhe veçim të të dyve. Me të vërtetë, e keqja e kësaj është e madhe dhe përfundimi është i keq…!
UAllahul Muste’an!
Përktheu: Abdur-Rahman Mema