Loading

Thotë shejkh Abdur-Rezak el-Bedër:

Një prej bashkëkohësve tregonte për një sëmundje që e kishte goditur, e cila njihet si kanceri, dhe ishte në zorrë. Ai ishte një njeri me pasuri dhe kishte shkuar për kurim në shumë spitale nëpër botë — siç e përshkruante vetë — dhe unë e kam dëgjuar me zërin e tij në një regjistrim.

Në fund të udhëtimeve të tij për kurim, u takua me një mjek në Jordani, i cili i tha:

“Të këshilloj të mos e shpenzosh më këtë pasuri në udhëtime dhe mjekime. Shko në Mekë dhe kaloi atje ditët që të kanë mbetur nga jeta.”

Ai thotë:

“Dola nga ai mjek dhe vërtet shkova në Mekë, por shkova me bindje të plotë në Allahun e Madhëruar, se nuk ka shërim përveç shërimit të Tij dhe se vetëm Ai është Shëruesi. U ula pranë Shtëpisë së Allahut, pija nga uji i Zemzemit, i lutesha Allahut dhe i përsëritja lutjet me këmbëngulje.

Në javën e parë dhimbjet u ndalën.
Në javën e dytë, ushqimi që haja nuk më kthehej më — zakonisht asnjë ushqim nuk më pranohej nga stomaku.

Në javën e tretë e krahasova veten me një pemë të tharë që nisi të gjelbërohet.

Qëndrova një muaj. Pastaj u ktheva dhe bëra një kontroll me endoskop. I kërkova mendim mjekut, e ai më tha:

‘MashAllah, zorra jote është si ajo e një fëmije të vogël!’

Ai tha: ‘Nuk ka asgjë! Nuk ka asgjë!'”

Mendimi i mirë për Allahun e Madhëruar duhet ta shoqërojë gjithmonë muslimanin. Mendimi i mirë për Allahun nuk është thjesht një fjalë që e thua, por është një bindje që mbush zemrën tënde.

Një besim i thellë që jeton në zemrën e njeriut, së bashku me sinqeritetin ndaj Allahut të Madhëruar në këtë mendim të mirë për Të.

Përndryshe, është lehtë që një njeri të thotë: “Unë kam mendim të mirë për Allahun”, por ta thuash këtë është një gjë, dhe ta jetosh si bindje është diçka tjetër.
Mendimi i mirë për Allahun është një besim që mbush zemrën e njeriut.

Burimi i saj është njohja e drejtë e Allahut, e Emrave dhe Cilësive të Tij — se asgjë nuk është e pamundur për Të, se Ai është i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë, se kur dëshiron diçka, vetëm i thotë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet, dhe se Mëshira, Dituria, Mirësia dhe Bujaria e Tij përfshijnë çdo gjë.

Kur ky besim është i fortë dhe mbush zemrën e njeriut, ai jep fryte me lejen e Allahut të Lartësuar. Këtë e shpjegon fjala e sahabiut të madh Abdullah ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – i cili tha:

“Pasha Ate që nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Tij! Nuk i është dhënë ndonjë robi besimtar diçka më e mirë se sa mendimi i mirë për Allahun.”

Të kesh mendim të mirë për Allahun nuk është çështje e lehtë. Ajo ka ndikim të madh dhe të thellë në jetën e besimtarit.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: