Loading

Ka thënë Hafizi Ibnu Kethir rahimehullah:

Është transmetuar se Umeri radij’Allahu anhu nuk po e shihte më një burrë prej banorëve të Shamit i cili prezantonte në mexhliset e tij, ndaj u tha Sahabëve:

“Çfarë ka bërë filani, i biri i filanit?”

I thanë: O Prijës i Besimtarëve, i ka rënë pas pijes (alkoolit) dhe kemi ditë që nuk e kemi parë. Umeri thirri shkruesin e tij dhe i tha:

Shkruaj: “Nga Umer ibnul Khatabi, drejtuar filanit, birit të filanit: Esselamu alejke! E më tej:

Unë po të drejtohem me lavde ndaj Allahut, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar me të drejtë, {Falësit të gjynahut, Pranuesit të pendimit, të Ashprit në Dënim, Bamirësit, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar me të drejtë; dhe tek Ai është kthimi përfundimtar.}

Më pas, u tha Sahabëve: Bëni dua për vëllanë tuaj që të afrohet me zemër tek Allahu, që Ai t’ia pranojë pendimin.

Kur atij i mbërriti letra e Umerit radij’Allahu anhu, e lexonte dhe e përsëriste me veten e tij. Dhe thoshte:

{Falësit të gjynahut, Pranuesit të pendimit, të Ashprit në Dënim!}

Më përkujtoi Dënimin e Tij dhe më premtoi Faljen e Tij! Vazhdonte ta përsëriste në vete duke qarë. Më pas u pendua me pendim të sinqertë. Kur i mbërriti ky lajm Umerit radij’Allahu anhu, u tha Sahabëve:

Kështu veproni kur ta shihni vëllanë tuaj teksa bie në një gabim! Udhëzojeni dhe luteni Allahun për të që t’ia pranojë pendimin! E mos u bëni ndihmës të shejtanit ndaj tij.

📚 تفسير ابن كثير (٧ /١٢٨-١٢٩)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: