Dijetari i madh Muhamed ibnu Ahmed ibnu Xhuzej el-Kelbī (741 h) rahimehullah ka thënë:
Njerëzit kanë pasur mendime të ndryshme në lidhje me shoqërinë: disa prej tyre e kanë zgjedhur shoqërinë për shkak të dobisë dhe përfitimit, disa të tjerë për shkak të vlerës së vëllazërisë për hir të Allahut të Lartësuar dhe disa prej tyre kanë zgjedhur tërheqjen dhe vetminë, meqë kjo është më afër sigurisë dhe meqë kushtet e shoqërisë gjenden rrallë.
Njerëzit ndahen në tri kategori:
● Shokë; dhe sa të paktë janë ata.
● Të njohur; dhe ata janë njerëzit më të dëmshëm ndaj teje.
● Ata që nuk të njohin dhe nuk i njeh. Në këtë rast ti ke shpëtuar prej tyre dhe anasjellas.
Sa i takon shokut, kushtet e tij janë shtatë:
I pari: të jetë njeri i sunnetit në akiden e tij.
I dyti: të ketë frikë Allahun në lidhje me fenë e tij, sepse nëse ai është bidatxhi apo i shthurur, ndoshta e tërheq shokun në medh’hebin e vet…
Me të vërtetë, njeriu është në fenë e shokut.
I treti: të jetë i mençur, sepse shoqërimi me ahmakun është bela.
I katërti: të jetë me moral të mirë. Nëse është me moral të keq, nuk je i sigurtë nga armiqësia e tij.
I pesti: ta ketë zemrën të pastër, në prani dhe në mungesë të tij; dhe të mos jetë i mbushur me urrejtje apo smirë; gjithashtu, mos të jetë kërkues i sherrit apo dyfytyrësh.
I gjashti: të jetë i qëndrueshëm në besën e tij; gjithashtu, të mos jetë nga ata që mërziten shpejt apo laraman.
I shtati: të të japë të drejtat e tua ashtu siç ia jep ti të drejtat. Nuk ka hajër në shoqërinë e atij që nuk t’i njeh të drejtat ashtu siç ia njeh ti.
📚 القوانين الفقهية (٢٩١/١)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema