Loading

Ka thënë el-al’lameh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah-:

Fitneja e të gjallëve: ajo është kur njeriu bie në fitne në jetën e dynjasë dhe zhytet në të dhe e harron Botën Tjetër, kjo është ajo që Allahu i Lartësuar e ka refuzuar për robërit e Tij.

{Përkundrazi ju e parapëlqeni jetën e dynjasë ndonëse Bota Tjetër është më e mirë dhe e amshueshme}

Dhe prej fitneve të dynjasë: janë dyshimet, kur në zemrën e njeriu futet dyshimi dhe injoranca ndaj asaj që Allahu i ka zbritur të Dërguarit të Tij ﷺ.

Sa i përket fitnes së të vdekurve ajo përfshin dy gjëra:

E para: ajo që ndodh gjatë vdekjes.

E dyta: ajo që ndodh në varr.

Çështja e parë: ajo që ndodh gjatë vdekjes: vërtet shejtani, Allahu na ruajttë prej tij, është më i kujdesshëm se kurrë për ta mashtruar birin e Ademit në çastin e vdekjes; sepse ajo është ora kritike kur ai futet në mes njeriut dhe zemrës së tij, që dmth: se ai e huton njeriun në atë çast me atë që e nxjerr nga feja islame.

Përkushtohet me përkushtim të plotë për mashtrimin e birit të Ademit në atë çast.

Kanë përmendur rreth el-Imam Ahmedit -rahimehullah- se kur ai ishte në agoninë e vdekjes dhe i binte të fikët, e dëgjonin të thoshte: ende jo, ende jo, kur përmendej, i thanë atij: o Eba Abdullah çfarë ishte ajo fjala jote, ende jo, ende jo?

Tha: vërtet shejtani po më shfaqet përpara dhe më thotë: ma hodhe o Ahmed (nuk munda të të shpie në gjynah të madh) dhe unë i thosha: ende jo, ende jo, dmth nuk ta kam hedhur, sepse njeriu nuk shpëton dot prej shejtanit vetëm nëse vdes, nëse vdes ndërpritet puna e tij, dhe shejtani nuk ka më shpresë që ta humbë atë nëse ka qenë besimtar. Ai thotë: ende jo, ende jo, dmth: nuk ta kam hedhur (shpëtuar prej teje) për shkak se njeriut mund t’i ndodhte ndonjë fitne gjatë vdekjes.

Porse unë i përgëzoj vëllezërit e mi të cilët e kanë besuar Allahun me të vërtetë, kanë ndjekur me sinqeritet të Dërguarin e Tij dhe qëndruan të palëkundur në fenë e Allahut, i përgëzoj ata se Allahu me mirësinë e Tij dhe Bujarinë e Tij nuk i poshtëron ata, nuk i lë ata që të kenë përfundim të keq, ai që ka qenë i sinqertë me Allahun le të përgëzohet me hajr.

Ama e dyta: që ka lidhje me fitnet e vdekjes: ajo është fitneja e njeriut në varrin e tij, vërtet njeriu, nëse vdes dhe varroset dhe shokët e tij largohen, i vijnë atij dy engjëj dhe e pyesin: Kush është Zoti yt, cila është feja jote dhe kush është i dërguari yt”.

📚 فتاوى نور على الدرب” (٢ /٦)”


Shënim i përkthyesit:

Shejtani me fjalën e tij “ma hodhe, ose shpëtove prej meje” kërkonte që në ato çaste Imam Ahmedi të bëhej mëndjemadh dhe të vdiste në atë gjendje, për shkak se ai nuk kishte mundur ta shpiente në gjynah të madh ose ta devijonte, mirëpo imami i sunnetit përkundrazi nuk u tregua mëndjemadh dhe ia ktheu: ende jo, ende jo!!!

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: