Loading

Shejkh Muhamed ibnu Sālih el-Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Vërtet, kjo botë e gjitha do përfundojë. Çdo gjë në të është mësim: ashtu siç dielli lind në fillim të ditës dhe perëndon në fund të saj, ashtu dhe njeriu, përgjatë ekzistencës në këtë botë, lind e më pas vdes.

Po kështu, nëse vërejmë hënën e re në fillim të muajit, ajo fillimisht është e vogël, më pas vijon të rritet derisa bëhet e plotë, ndërsa më pas fillon të zvogëlohet.

{derisa të kthehet si rremi i përkulur i hurmës arabe.} [Jasin: 39]

Gjithashtu, nëse shohim muajt, e gjen njeriun duke medituar se kur është muaji pasardhës. P.sh. thotë: “Ne tani jemi në muajin e 12-të, pra, mbeten deri në Ramazan edhe 8 muaj. Sa gjatë!” Dhe befas ai i kalon ato me shpejtësi sikur të ishin veç 1 orë e ditës!

E tillë është edhe jeta e njeriut: ai e sheh vdekjen me një shikim të largët dhe shpreson, por befas ajo fije e shpresës këputet dhe humbet çdo gjë! Pastaj e sheh atë teksa bart të tjerët në barrelë dhe i mbulon me dhe; dhe mendon:

  • Kur do jetë radha ime?
  • Kur do të mbërrij në këtë gjendje?”

Dhe befas arrin në atë gjendje! A thua se ka qëndruar në tokë veç një mbrëmje ose një mëngjes të saj!

Të gjitha këto i them që të ngarkoj veten dhe vëllezërit e mi për të nxituar në shfrytëzimin e kohës, me qëllim që të mos humbasim asnjë orë dhe asnjë çast pa bërë llogarinë tonë gjatë tyre.

  • A jemi afruar tek Allahu me ndonjë gjë?
  • A vijojmë të jemi aty ku ishim?
  • Cila do të jetë kauza jonë?

Ne duhet t’i arrijmë gjërat përpara se të kalojë koha! Sa afër është bota tjetër në krahasim me dunjanë!

Ebu Bekri -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- e merrte si shembull fjalën e poetit:

Çdo njeri gdhihet me familjen e vet, por vdekja më afër se lidhësja e këpucës e pret!

Lus Allahun për mua dhe për ju për një përfundim të mirë! E lus Atë ta bëjë të ardhmen tonë më të mirë sesa ajo që ka kaluar dhe të na ndihmojë për përmendje, falenderim dhe adhurim sa më të mirë të Tij!

📚 لقاء الباب المفتوح” (٢ /١٧٩)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: