Ka përmendur Ebu Ja’la në “Tabakat el-Hanibileh” me zinxhir të saktë për një ngjarje të çuditshme që ndodhi gjatë vdekjes së imamit të sunnetit El-Hasen el-Berbeharij -rahimehullah- ku tha:
Më ka treguar Muhamed ibnul Hasen el-Mukri’ që tha: më ka treguar gjyshi dhe gjyshja se:
“Bidatxhinjtë vazhdonin ta mbushnin zemrën e (khalifit) er-Radij me vrer kundër Ebu Muhamed el-Berbeharit.
Aq sa Khalifi urdhëroi komandantin e policisë me një thirrje në Bagdad: që as dy veta prej nxënësve të el-Berbeharit të mos bëheshin bashkë, kështu që el-Berbeharij u fsheh vazhdoi të shpërngulej sa në njërin vend në tjetrin, aq sa u mundua shumë, më pas vdiq në anën lindore te motra e tij.
Kur vdiq, ajo i tha shërbëtorit të saj shih për dikë që ta lajë, ai e lau i vetëm dhe po i falte xhenazen i vetëm nga frika se mos dikush e merrte vesh dhe i gjymtonin trupin, për shkak se kërkohej me të madhe, nuk zgjati shumë dhe shtëpia u mbush me burra të veshur me rroba të gjelbëra dhe të bardha që po u falnin mbi el-Berbeharin, ndërsa motra e tij po vështronte, kur ai dha selam ata u zhdukën, shërbëtori i tha: a e pe o zonja ime atë që pashë edhe unë?
Tha: po, varroseni në shtëpinë time, kur unë të vdes më varrosni pranë tij, ajo vdiq pas një kohe dhe u varros pranë tij -Allahu i mëshiroftë të gjithë.”
Shënim:
Ky transmetim është me zinxhir shumë të saktë dhe ai është një keramet i imam Ebu Muhamed el-Hasen el-Berbeharij, i cili i shkërmoqi bidatet në kohën e tij, autori i librit madhështor “Sherhus Sunneh”, të cilin bidatxhinjtë vazhdojnë të tmerrohen prej emrit të tij, ashtu siç janë tmerruar përgjatë shekujve.
Vdiq i vetëm, i shtypur dhe Allahu e nderoi me krijesa që u falën mbi të, Allahu nuk ua humb punën vepërmirëve dhe Ai kujdeset për ta.
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
{ أَلَاۤ إِنَّ أَوۡلِیَاۤءَ ٱللَّهِ لَا خَوۡفٌ عَلَیۡهِمۡ وَلَا هُمۡ یَحۡزَنُونَ }
{Padyshim, që miqtë e Allahut nuk kanë pse të frikësohen dhe as të dëshpërohen}
Përktheu: Abdur-Rahman Mema