Muselemeh ibnu Abdul-Melik ibnu Meruan (v. 121h) ishte në krye të ushtrisë së muslimanëve që po rrethonte një kështjellë të madhe të romakëve, e cila u bë e pamundur për ushtrinë muslimane, për shkak të lartësisë së mureve të saj dhe të mbylljes së të gjitha dritareve.
Kjo gjë i ndihmoi ushtarët romakë që të gjuanin ushtrinë e muslimanëve nga lart, ndaj u shtua lodhja dhe sfilitja e ushtarëve të muslimanëve.
Një natë njëri prej ushtarëve erdhi me një ide të shkëlqyer, ai u fsheh i vetëm derisa mbërriti tek porta e kështjellës dhe filloi të gërmojë e të gërmojë, derisa arriti të hapë një zgavër e më pas u kthye pa e parë askush.
Të nesërmen u përgatitën muslimanët për luftë ashtu si herët e tjera, hyri ky hero prej zgavrës dhe e hapi derën, filluan muslimanët të mësynin përpara dhe të ngjisnin muret e kështjellës dhe nuk zgjati shumë derisa romakët dëgjuan zërat e tekbireve të muslimanëve mbi muret e kështjellës së tyre dhe brenda sheshit të saj, e kështu u arrit fitorja.
Pas betejës komandanti Muselemeh ibnu Abdul-Melik mblodhi ushtrinë dhe thirri me sa fuqi kishte:
Kush e hapi zgavrën tek porta e kështjellës, le të dalë që ta shpërblejmë.
Nuk doli askush!
U kthye dhe tha sërish:
Kush e hapi zgavrën le të dalë.
Nuk doli askush!
Më pas qëndroi përpara tyre të nesërmen dhe e përsëriti dhe tha atë që kishte thënë dje.
Nuk doli askush!
Ditën e tretë qëndroi përpara tyre dhe tha:
U betova se ai që e ka hapur zgavrën të vijë tek unë në çdo kohë që dëshiron, të natës apo të ditës.
Kur u afrua nata dhe komandanti ishte ulur në çadrën e tij, hyri tek ai një burrë që kishte mbuluar fytyrën dhe Muselemeh i tha:
A ti je ai që hapi zgavrën?!
Ai i tha: me të vërtetë ai që e hapi zgavrën dëshiroi që t’i bindet asaj që u betua prijësi i tij por ka tre kushte që ta pranojë kërkesën.
Muselemeh i tha: cilat janë ato?
Ai i tha:
1- që të mos pyesësh për emrin e tij.
2- që të mos e zbulojë fytyrën
3- dhe mos e urdhëro që të marrë shpërblim.
Muselemeh i tha: ju dha ajo që kërkoi.
Gjatë kësaj ai tha: unë jam ai që e hapa zgavrën.
U kthye andej nga erdhi me shpejtësi dhe u humbi në mes çadrave të ushtrisë.
Ndaloi Muselemeh dhe sytë i kishte mbushura me lotë dhe tha:
{Prej besimtarëve ka të atillë që ishin të sinqertë në marrëveshjen me Allahun, disa prej tyre e realizuan marrëveshjen duke dhënë jetën dhe ka prej tyre që janë duke pritur dhe nuk bënë kurrfarë ndryshimi}
Muselemeh pas kësaj thoshte kur bënte sexhde:
O Allah, më ringjall me atë që e hapi zgavrën.
📚 عيون الأخبار” لابن قتيبة (ص ٧٤١)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema